Veprat me histori të veçanta të 90 artistëve shqiptarë, ekspozohen në GKA

Gjatë muajve korrik dhe gusht 2017, Galeria Kombëtare sjell për publikun një ekspozitë me vepra dhe autorë shqiptar nga fondi i saj. Janë 45 piktura dhe 9 skulptura të...

Gjatë muajve korrik dhe gusht 2017, Galeria Kombëtare sjell për publikun një ekspozitë me vepra dhe autorë shqiptar nga fondi i saj. Janë 45 piktura dhe 9 skulptura të cilat kanë një histori të veçantë.

Me qëllim ekspozimin dhe kurimin e imazhit, këto vlera jetuan për shumë vite, (disa prej tyre nga viti 1981) në disa institucione të Shtetit shqiptar. Dokumentacioni përkatës dhe afatet kohore nuk u respektuan, prandaj shumë prej këtyre veprave u braktisën për vite me radhë nëpër magazina, u dëmtuan dhe u lanë jashtë çdo standardi të ruajtjes dhe mirëmbajtjes, ndërsa shumë të tjera u zhdukën.

Ato janë punë të mbi 90 artistëve shqiptar si Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Sadik Kaceli, Angjelin Dodmasej, Zef Shoshi, Guri Madhi, Danish Jukniu, Odise Paskali, Agim Zajmi, Qamil Grezda, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Kel Kodheli, Skënder Kamberi, Petro Kokushta, Hasan Nallbani, Agim Faja, Bashkim Ahmeti, Mustafa Arapi, Besim Golemi, Nikolin Ivanaj, etj.

Në fillim të vitit 2014 Galeria Kombëtare e ktheu në prioritet kthimin e këtyre veprave në shtëpi. Përmes një proçesi jo të lehtë, arritëm të kthejmë 66 piktura dhe skulptura.

Pothuajse të gjitha veprat që u kthyen në GKA kishin nevojë emergjente për restaurim, prandaj i’u nënshtruan menjëherë ndërhyrjeve konservuese nga laboratori i restaurimit dhe përmbushjes së standardeve për ekspozimin e tyre.
Mungesa prej vitesh në ekspozita dhe kthimi i tyre në identitet, na nxiti t’i ekspozojmë gjatë këtij sezoni veror, për publikun shqiptar dhe të huaj.

Ekspozita nuk bazohet në një koncept kuratorial, por vlera e tyre artistike kombëtare, kthimi në fondin e GKA, shpëtimi dhe restaurimi, meritojnë të shfaqen për të gjithë ata që e duan artin figurativ shqiptar./ATSH

Kategori
Art-Kulture

TË NGJASHME