Veliaj dhe populizmi legalizues

‘Dielli shikohet që në mëngjes’ thotë populli, mirëpo kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, duket se parapëlqen një shprehje tjetër të popullit, ‘grushti i parë, gjysma e fitores’. Prandaj e...

‘Dielli shikohet që në mëngjes’ thotë populli, mirëpo kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, duket se parapëlqen një shprehje tjetër të popullit, ‘grushti i parë, gjysma e fitores’. Prandaj e nisi mandatin me kamera me vete, për t’ia treguar gjithë popullit ‘live’ grushtin e tij të parë si kryebashkiak. Ditën e parë u shfaq duke shëtitur me autobusin e një linje të transportit publik për të prezantuar një qasje të re ndaj tij. Të dytën në një konferencë për shtyp me ministrin e Zhvillimit Urban për të shpallur hartimin e Planit të Përgjithshëm Territorial. Rezultatet e ditës së parë, i njohin të gjithë qytetarët që e përdorin këtë shërbim bazik urban. Përveçse një rritje të ndjeshme të çmimit nuk konstatohet ndryshim tjetër. Por edhe produktet e ditës të dytë po ju shpalosen. Qendra e qytetit po përgatitet për t’u mbushur me kulla, që megjithëse bëhen publike vetëm pasi pajisen me leje ndërtimi, janë fëmijët e mënyrës dhe procesit të hartimit të Planit.

Sidoqoftë, në këtë shkrim modest të opinionit, nuk do flasim as për transportin publik e as për Planin e Kullave, por do fokusohemi te punët dhe investimet publike të ndërmarra prej tij duke i grupuar ato sipas një qasjeje racionale dhe më të kuptueshme për publikun. Sot do flasim për grupin e parë të punëve të administratës Veliaj (nga katër të tilla), të quajtur ‘populizmi legalizues’ dhe që përfshin punët publike të ndërmarra për të kënaqur pritshmëritë e gjëra, por që vlejnë pak, asfare apo dëmtojnë. Këtu hyjnë të gjithë ndërhyrjet e fragmentarizuara në infrastrukturën inxhinierike dhe sociale të blloqeve të banimit, si: asfaltimi i ndonjë rrugice a rruge; meremetimi i ndonjë segmenti të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve; shtrimi i ndonjë trotuari e mbjellja e disa pemëve; vendosja e disa stolave apo e një grupi lodrash plastike; bojatisja e shtimi i ndonjë kati apo shtese anësore në ndonjë kopsht a shkollë ekzistuese e të tjera si këto.

Shakaja më e madhe që na është thënë nga oponenca teknike dhe opozita politike, në dekadën e fundit, është se thelbi i disbalancave në qytetet tona janë mungesa e pemëve, trotuaret apo rrugët e pashtruara, shkollat e pamirëmbajtura, rrjetet nëntokësore të vjetruara e të tjera si këto, dhe se mjafton të balancosh këto mungesa dhe problematikat e qytetit zgjidhen automatikisht! Sigurisht që mungesa të tilla jo vetëm ekzistojnë, por janë aq evidente saqë nuk ka nevojë për shpjegim teknik. Sepse çdo individ mund t’i perceptojë nëpërmjet shqisave të tij, mirëpo këto janë pasojat dhe jo shkaqet. Që të shërosh një qytet, sikurse edhe të shërosh një njeri, dija dhe veprimet e marra në kuptim të saj duhet të na drejtojnë te mjekimi i shkakut dhe jo i pasojës. Për këtë na nevojitet dija shkencore. Na nevojitet që të identifikojë tumorin që sjell dhimbjen dhe ta kurojë atë, dhe jo të japë ca qetësues për të ndalur përkohësisht dhimbjen duke ta lënë tumorin në vend!

Është ky diskurs, i pranishëm apo në mungesë, që formëson njohuritë e publikut mbi hallet e qytetit, dhe si rrjedhim logjik edhe kërkesat e pritshmëritë qytetare ndaj kryebashkiakut dhe administratës së tij. Këto kërkesa e pritshmëri populiste kanë qytetarët ndaj kryebashkiakut Veliaj, dhe ekzaktësisht këto është duke kënaqur ‘njeriu që punon’ çdo ditë në Tv. Ai po na jep aspirina për tumorin, ndërsa ne përsërisim të njëjtat ankesa. Oponenca dhe opozita i largohen qendrës së qytetit për të gjetur trotuare pa pemë, rrugë me baltë, shkolla të palyera, terrene pa stola e lodra për fëmijë e të tjera si këto, nëpër periferi; ‘njeriu i punës’ i ndjek nga pas për t’i rregulluar edhe periferitë sikurse ka rregulluar qendrën; qytetarët sipas përkatësisë partiake mbeten të kënaqur apo të zhgënjyer nga punët e tij; ndërsa qytetit i mbetet tumori që agravohet përditë e më shumë nga mungesa e trajtimeve dhe ndërhyrjeve me medikamentet e duhura.

Është ky tumor i patrajtuar që i jep këtij grupi punësh publike dimensionin legalizues së realitetit urban ekzistues. Ndërsa shtrohen rrugë e trotuare, mbillen pemë, vendosen stola e lodra për fëmijë, densiteti i bllokut të banimit mbetet ai që ishte. Raportet e volumeve të elementeve formues të tij me numrin e banorëve mbeten ato që ishin, përderisa: e njëjta rrugë apo trotuar shtrohet; në të njëjtin trotuar mbillet ndonjë pemë; në të njëjtin terren të hapur vendoset ndonjë stol a lodër fëmijësh. E njëjta gjë për infrastrukturën inxhinierike ku ndërhyhet me segmente në një rrjet, apo infrastrukturë sociale ku godinave ekzistuese i shtohet ndonjë kat! Prandaj, këto investime jo vetëm nuk përmirësojnë gjendjen ekzistuese, por edhe legalizojnë realitetin urban të formësuar nga fragmentarizimi i ndërhyrjeve individuale të mëparshme, dhe konstituojnë një kulturë institucionale të zhvillimit të fragmentarizuar edhe për të ardhmen e ribërjes së qytetit.

Marrë nga Mapo.al

TË NGJASHME