U shua Dielli i patriotizmit dhe antikomunizmit nga komunistët në SHBA! nga Beqir Sina

Me partitë tradicionale në Shqipëri, PLL, BKD, BK, dhe Federatën PanShqiptare Vatra, dhe organin Dielli, këtu në SHBA, fillon dhe merr fund, konservatorizmi shqiptar, e djathta dhe nacionalizmi –...

Me partitë tradicionale në Shqipëri, PLL, BKD, BK, dhe Federatën PanShqiptare Vatra, dhe organin Dielli, këtu në SHBA, fillon dhe merr fund, konservatorizmi shqiptar, e djathta dhe nacionalizmi – patriotizmi shqiptar, idealizmi shqiptar.
Këto fakte të hidhura, nëse i përkthejmë me terma postmodernë, ato duhet të jenë për shqiptarët si asete të mëdha të kombit tonë. Pa Federatën PanShqiptare Vatra, dhe Diellin, ku do të ishim!? A do të kishim mbetur ende shqiptarë atdhedashës në vorbullën e egër të asimilimit shumëkombësh në SHBA!?
Fakti se ne mburremi gjithmonë, kur themi se Vatra e kolosëve të kombit shqiptar Noli, Konica, Pipa etj., luajtën me vetëdije rolin e shtetit amë, kur ai na mungonte. Vatra e dikurshme, me Uillsonin e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, së bashku me patriotët dhe atdhetarët, fisnikët e kombit shqiptar.
Më pas partitë tradicionale, që u krijuan në mërgim, mbas ardhjes së komunistëve në pushtet, ishin PLL, BKD, BK, së bashku me Federatën PanShqiptare Vatra, dhe organin opozitar antikomunist Dielli, nuk e njohën asnjëherë qeveritë komuniste deri sa komunizmi u kalbëzua përbrenda dhe vetërrëzua.
Shqiptaro-amerikanët për shumë dekada si patriotë të përkushtuar dhe në mënyrë vullnetare e donin Shqipërinë të lirë dhe demokratike, mike të përjetshme me SHBA dhe Europën Perëndimore. Ata kur u arratisën nga Shqipëria e Enver Hoxhës dhe shkuan në Europë, si synim kryesor kishin kampionin e demokracisë botërore SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë.
Ato kurrë nuk pushuan për interesat e shtetit amë Kosovës dhe Çamërisë, duke luftuar së bashku me forcat e tjera veterane nacionaliste në mërgim, të cilët kishin ardhur para tyre, duke bërë aleancë të madhe para flamurit kuq e zi pa yllin komunist, një sakrificë të madhe dhe historike për kombin tonë.
Po ku janë sot idealistët, patriotët e atdhetarët në Federatën PanShqiptare Vatra, dhe organin e saj Dielli! Ato gjenden në fakt në faqet e mureve të Vatrës së vdekur sot, të kthyer celuloid bardhezi, në zyrat e saj pa frymëmarrje në Bronx, New York.
Në Vatër (Kryesi) sot kanë mbetur shumë pak idealistë naivë, ku shumë prej tyre nga mosha dhe dëshpërimi se nuk e panë më kurrë vendlindjen vdiqën… disa të tjerë u larguan për arsye shëndetësore.
Ndërkohë, ata pak vatristë, që kanë mbetur po mundohen të mbajnë gjallë frymën dhe idealet vatrane, si për të treguar se Vatra rron dhe nuk vdes kurrë…
Ata pak pensionistë në moshë të thyer, që kanë mbijetuar aty, nuk “shiten” dhe nuk e lëshojnë kurrë Vatrën, nga se janë idealistë, janë patriot e atdhetar, deri në vdekje. Kurse, vatranët e qetë me vlera reale janë shumë larg shtëpisë pa zot të Vatrës në Nju Jork. Është e çuditshme por dhe një fakt kuptimplotë se pikërisht ky element vërtetë atdhedashës, sot jetojnë dhe ndihmojnë Vatrën, mbajnë gjallë nga Detroiti, Florida e Washington!
Dielli sot po vetëshuhet, se nuk ka mbetur as edhe një sa për be, i thonë më shqip. Aty nuk ka më gazetarë idealistë, patriotë dhe atdhetarë, qoftë edhe me ndonjë traditë vatrane, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e Diellit, që ka zgjedhur privatisht editori i sotëm, janë ish-gazetarë të ushtrisë popullore proletare të Shqipërisë. Ku është katandisur Dielli sot? Sot Dielli si fletushmë familjare i ngjason një llambushke, që ndizet kur i teket partizanëve, të cilët mbas vitit të zi 1991 kanë mbërritur në SHBA. Ai udhëhiqet nga një kryetar aktual Dritan Mishto, i biri i ish-Prokurorit, në kohën e komunizmit, të Partisë Komuniste (Punës) të Shqipërisë. Aty para pak viteve ka nisur të vegjetoj një kryeredaktor i ri Diellit Dalip Greca, i cili ka qenë më parë kryeredaktor i gazetës “Shkëndia”, gazetë e Komitetit të Partisë Komuniste (Punës) në rrethit e Lushnjës, deri në vitin 1991.
Dielli pro komunist, ka një Sekretar për Shtypin Dritan Haxhia, i cili bën pjesë në kryesinë e Vatrës. Ai është i biri një këngëtari nga më të njohurit e asaj kohe në Shqipëri, i cili me zemër dhe shpirt i këndoi diktatorit Enver Hoxhës, por që edhe vetë ka qenë një ish-militant i PS (anëtar i FRESH-it), në “demokraci”. Porter i Vatrës ngjyroset me komunistë të stazhionuar në Shqipëri, midis të cilëve dallohen bashkëpunëtorët besnikë të partisë, ish-oficeri komunist Qemal dhe bashkëshortja e tij Këze Zylo, ish-mësuese e partisë.
Gazeta më e vjetër shqiptaro-amerikane Dielli (1912), sot udhëhiqet e drejtohet nga një grup enveristë me miq e familjarë të idealeve komuniste të Partisë së Punës, parti, kjo që ngordhi, por la bijtë e saj, të cilët po vazhdojnë rrugën e largqoftit edhe këtu në diasporë. Ata kanë pushtuar me djallëzi shtypin (Diellin) dhe Vatrën e Nolit dhe Konicës. Nëse këto dy korifenj të mendimit përparimtar atdhetar shqiptar do të ishin gjallë ato do të kishin bërë vetëvrasje, pse komunizmi shqiptar pushtoi SHBA-në!
Dalipi, punoi më shumë si gackë e mbuluar për të bërë pushtimin e Vatrës me komunistë të stazhiunuar. Si me urdhër të peshkut na mbiu papritur dhe kujtuar një farë Dritan Haxhia, që si u thotë ai shokëve të vet nuk e dinte se ku ishte dera e Vatrës… deri sa me “yzmin” e Dritan Mishtos, tani është caktuar në postin e sekretarit për komunikimin me Median.
“Dielli” i Enver Hoxhës në Vatër (që është bërë sot kopja e gazetës Zëri i Popullit), ka hapur dyert (i ka shqyer ato) edhe për dy bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, kushërirën ose një nga të afërmet e tepelenasit së tyre, Kryepralamentarit Gramoz Ruçi, mbi të cilin rëndoi krimi i vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë më 9 prill 1991 në qytetin antikomunist të Shkodrës.
Në Vatër i është dhënë vend të bijës së një ish-Kryetari të Kooperativës dhe Sekretarit të Partisë së Kooperativës Bujqësore, ku ishte Kampi i tmerrshëm i Tepelenës, në kohën e krimeve kolektive, ku vdiqën shumë fëmijë për bukën e gojës, në kampet e internimeve që ngjasonin me kampet e shfarosjes së Maht’hauzenit dhe Aushvicit, gjatë kohës së nazizmit gjerman…
Për dy miqtë familjarë të kryetarit Dritan Mishto dhe të vetemëruarit kryeredaktori Dalip Greza, Vatra sot ka nepotizëm në afrimet e saj, që bien ndesh me kodin dhe etikën e Federatës në fjalë.
Ata më larguan me “dhunë” mua dhe Mimoza Dajçin, vetëm për të afruar dhe futur në Vatër dhe bashkëpunëtorë të organit të saj, Qemalin dhe pseudogazetaren Këze Zylo, si shpërblim pse ajo kishte shkruar 4 vjet më parë për largimin nga Konsullata, pra nxjerrjen nga puna të diplomatit komunist Mishto.
Afrimi i tyre sikurse është shprehur edhe vetë ish-Konsulli dështak, ka qenë se: “Shoqja ime komuniste Kozeta ( alias Këze) Zylo, ishte e vetmja “gazetare” nga diaspora, që shkroi kundra Edi Ramës, në shkarkimin e Konsullit”. Kjo është ajo që vetë Mishto, ka thënë publikisht (ndaç ta mohojë dhe ndaç pohojë). Kjo është e vërteta, mbasi Dielli nuk mbulohet me shoshë. Kjo është vërteta!
Nëse nuk themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën nuk bëjmë gjë tjetër, por veçse pohojmë një fatalitet tonin, se po e humbim Vatrën, dhe Diellin. Të dyja motra e vjetra shqiptaro-amerikane po udhëtojnë të sigurta drejt varrezave të Nju Jorkut, mbasi është pushtuar me kohë nga social komunistët dhe sigurimsat, që mbështetën nga naivët miop.
Vatra në Amerikë, është mbajtur gjallë dhe me dinjitet vetëm nga korifenjtë e politikës, letërsisë dhe media, patriotët e atdhetarët e flaktë, anëtarët e saj luftëtarë dhe njerëz që nuk kursyen asgjë, për Federatën dhe atdheun e tyre për shumë dekada në mërgim.
Vatrës, tani i duhet reforma e pastrimit sa më parë nga mostrat e diktaturës komuniste. Vatra duhet të jetë një shtëpi apo vatër e ngrohtë për të gjithë patriotët shqiptarë dhe jo për vemjet e diktaturës komuniste, atyre që deri dje e kishin halë në sy Federatën Panshqiptare…

Marrë nga Mapo.al

Kategori
AnalizëPolitikë

TË NGJASHME