Thaci në ‘rrethin e vdekjes” nga një hall shumë i madh qe e mundon…..

KASTRIOT   ISLAMI Të gjithë pa përjashtim, përvec një pakice shumë të vogël, mendojnë se Thaci, për shkak të një halli shumë të madh, ka rënë në kurth ose më...
KASTRIOT   ISLAMI
Të gjithë pa përjashtim, përvec një pakice shumë të vogël, mendojnë se Thaci, për shkak të një halli shumë të madh, ka rënë në kurth ose më saktë ka pranuar me apo pa vetëdijë të gëlltisë një lugë supë që ka rezultuar e prishur…Kjo lëvizje s’mund të shpjegohet vetëm me marrëzinë e tij të madhështisë. Natyrisht edhe ndonjë lojtar mediokër ndërkombëtarë që është në prag të largimit nga posti i lartë që posedon dhe mendon të përfitojë mund ta ketë shtyrë në këtë lëvizje tërësisht me pasoja të konsiderueshme.
Teza e Thacit për korrektimin e kufijve, pavarësisht përpjekjeve të tij kolosale për të provuar të kundërtën, është simetrike me tezën serbe të shkëmbimit të territoreve, për të mos thënë është vetëm pjesa e saj për ti vënë fitilin stabilitetit të Ballkanit.
Teza e shkëmbimit të territoreve të cilën Thaci përpiqet ta maskojë me “projektin” e tij për korrektimin e kufijve është sqaruar në detaje në dokumentin e think-tankut serb CEAS të financuar edhe nga Soros. Ndonëse edhe në këtë dokument, që duket më shumë një dokument strategjik i shtetit serb, shumë hapa të mëtejshëm që do të conin në realizimin e skenarit të Serbisë së Madhe, nuk janë zbuluar në trajtë eksplicite por lexohen qartas nëpër rrjeshta. Pra në thelb teza e Thacit e ka burimin tek skenari serb për Serbinë e Madhe ose për të qënë më të saktë është në rezonancë perfekte me këtë projekt.
Teza e Thacit si edhe ajo serbe s’mbështetet në asnjë nga qëndrimet e vjetra apo të reja të faktorëve të rëndësishëm globalë për rregullimin e ish-Jugosllavisë pavarësisht se pala serbe përpiqet ta paraqesë atë si një ide të pakundërshtuar nga administrata aktuale amerikane gjë që s’rezulton të jetë e konfirmuar publikisht. Po ashtu kjo tezë është kundërshtuar së fundmi ashpërsisht nga të gjithë partnerët globalë por edhe politikanët apo ekspertet ndërkombëtarë që kanë projektuar konfiguracionin aktual të vëndeve të ish-Jugosllavisë pas zbërthimit të saj.
Teza e Thacit, sado të përpiqet presidenti i Kosovës ta maskojë atë, ka në themel projektin për shkëmbimin e territoreve, sepse do të ishte naïve të besohej që Serbia e cila s’pranon të njohë pavarësinë Kosovës do të pranonte njohjen e pavarësisë së Kosovës duke dorëzuar edhe Preshevën dhe duke mos fituar asgjë tjetër në shkëmbim?!. Kjo qasje do të ishte e papranueshme për një inteligjencë normale.
Teza e Thacit përbën vetëm njëri nga projektet e shkëmbimit të territoreve që Serbia ka programuar të realizojë edhe me vënde të tjera për të maksimalizuar synimet e krijimit të Serbisë së Madhe.
Sipas projektit të shkëmbimit të territoreve, Serbia, në fazën e parë ose më saktë gjatë bisedimeve me palën kosovare do të kërkojë gjoja vetëm “komunat me shumicë serbë që ndodhen në territorin aktual e Kosovës”, kurse Thaci do të kërkojë vetëm “komunat me shumicë shqiptare që ndodhen në territorin aktual të Serbisë”. Kështu do të duket sikur Thaci është patriot duke kërkuar vetëm territoret me shumicë shqiptare në territorin serb, si për shëmbull ato të Preshevës, duke u mburrur njëkohësisht se s’e lëshon Mitrovicën. Kurse serbët do të qetësojnë palën e tyre duke thënë se do të kërkojnë vetëm territoret me popullsi serbe në shumicë në territorin e Kosovës, si për shëmbull Mitrovicën dhe s’do të lëshojnë asnjë territor tjetër, për shëmbull Preshevën, por vetëm do të mund të njohin pavarësinë e Kosovës në shkëmbim të marrjes së Mitrovicës. Këto ditë, Thaci i ndodhur nën presionin e të gjithë faktorëve, ka filluar të krekohet duke thënë se s’do ta pranojë kërkesën serbe për Mitrovicën. Por serbëve u mjafton vetëm që ky debat të fillojë dhe janë të lumtur që ky debat ka nisur nga Thaci të cilin kanë filluar ta “përkëdhelin” edhe publikisht.
“Negocimi” i rradhës mes Kosovës e Serbisë, për korrektimin e kufijve, sidomos nisur nga propozimi i Thacit, do t’i interesonte shumë palës serbe, sepse pavarësisht se do të dukej sikur fillimisht s’do të kishin mirëkuptim të plotë për kërkesat e Thacit, ata do të mund të siguronin të zhvendosnin debatin nga detyrimi për të njohur pavarësinë plus integritetin territorial të Kosovës në shkëmbim të integrimit në BE në diskutimin teknik për korrektimin e kufijve sipas parimit demografik. Kjo e gjitha lexohet qartas në dokumentin e CEAS serbe. Kjo lëvizje taktike i intereson shumë palës serbe për të shpëtuar nga presioni ndërkombëtar aktual dhe për ta hedhur topin në fushën e Kosovës e për të fituar kohë e cila punon kundër Kosovës aq më shumë sa politikanët kosovarë hedhin në treg teza jo shumë të maturuara thjesht për interesat e tyre personale pushtetmbajtëse.
Shumica dërmuese mendojnë se:
i) Teza e Thacit është vetëm një pjesë e projektit për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë;
ii) Projekti për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm hapi i parë drejt realizimit të skenarit të vjetër të Serbisë së Madhe;
iii) Efekti domino i këtij projekti për krijimin e Serbisë së Madhe do të përfshinte të gjithë vëndet e rajonit (fillimisht me shumë gjasa BiH) dhe askush s’do të mund ta ndalonte, duke hedhur kështu në erë stabilitetin e rajonit. Madje edhe vetë Thaci që id ha shtysë kësaj tronditjeje do të habitej edhe vetë sesi do të gjëndej i përfshirë nga ky tërmet shkatërrimtar për Kosovën, e me shumë gjasa edhe për rajonin.
Thaci e ka shumë të qartë se ku do ta conte rajonin teza që ka hedhur në treg, i cili kohët e fundit nga frika që e ka zënë ka filluar ta artikulojë me gjysëm zëri duke pasur me bindjen naïve se do të mund të dilte prej andej.
Shumë vetë shtrojnë pyetjen: Përse Thaci e ka hedhur këtë tezë pikërisht në këtë moment? Ka disa përgjigje që e lidhin këtë artikulim të tij me faktin se ai gjëndet në një situatë shumë të vështirë të lidhur me fatin e tij politik. Ose sepse i ndodhur në këtë hall shumë të madh ka rënë në kurthin e pranimit të kësaj loje të rrezikshme, duke treguar edhe një shkallë të lartë naiviteti se mund të dilte lehëtsisht prej këtij kurthi me deklarata nacionaliste.
Disa të tjerë mendojnë se ai po luan nga halli i madh një lojë të rrezikshme me stilin e tij të zakonshëm. Pra i gjëndur në një hall shumë të madh, ai mesa duket ka menduar se mund të luajë këtë lojë të rrezikshme sic ka vepruar edhe herë të tjera brënda Kosovës me faktorët e brëndshëm duke bërë fillimisht një bllof për interesa të vogla politike personale e për të zhvendosur vëmëndjen dhe më tej duke vazhduar të insistojë me lojra fjalësh në varësi të reagimit apo artikulime ultranacionaliste dhe në fund duke u zbrapsur si i pafajshëm. Por këtë rradhë është futur në lojë të rrezikshme jo thjesht me lojtarë politikë kosovarë por me palën serbe dhe nëse do ta vazhdojë këtë lojë të nisur prej tij edhe në shtator s’do të ketë më as kohë dhe as mundësi të dalë më prej saj, duke shkatërruar jo vetëm gjithcka ka fituar personalisht por mbi të gjitha duke komplikuar rëndë të ardhmen e Kosovës.
I gjëndur në këtë kurth për shkak të hallit të madh që mesa duket e mundon dhe/ose për shkak të një naiviteti ekstrem, Thaci fillimisht u përpoq ta maskojë këtë implikim me tezën e korrektimit të kufijve që të gjithëve i duket një tezë jo fort inteligjente. Sa më shumë po zhytet në këtë skemë aq më shumë gafa do të gjeneronte dhe për rrjedhojë aq më e pamundur do të bëhet dalja e tij nga kurthi dhe për rrjedhojë më shumë marrëzi do ti duhen të artikulojë duke u përpjekur të dalë prej andej.
As teza e Shqipërisë së Madhe që mesa duket Thaci ka koordinuar edhe me Ramën nuk do të ishte as dalje nga ky qorrsokak dhe as shpëtim për të ardhmen e tij politike sepse në këtë rast faktori i rëndësishëm global nga refuzues i tezës së tij do të shndërrohej në atakues të ashpër të marrëzisë së tij. Në këtë rast cështja e Kosovës do të komplikohej e do të vonohej kurse pala serbe do të vëzhgonte e lumtur rezultatet e skenarit të saj.
Përfundimi është i qartë: Thaci për shkak të hallit shumë të madh personal është futur i pa shpresë në “rrethin e vdekjes”. Inisitimi për të shpjeguar shkëmbimin e territoreve me korrigjimin e kufijve është i destinuar ta zhysë gjithnjë e më thellë. Besimi se do të mund të dalë nga ky rreth me akrobacitë e zakonshme apo duke ngjallur frikë tek ndërkombëtarët, përmes tezave ekstreme nacionaliste, vetëm do të rrisë shpejtësinë drejt fundit. Dhe së fundmi shpresa se mbështjetja nga ndonjë ndërkombëtar do të mund të ishte komaradrja e shpëtimit do të rrezulonte iluzore e zgjënjyese. Dhe mbi të gjitha, asnjë nga këto opsione, edhe sikur të ishin të suksesshme, nuk do të mund ta shpëtonin nga halli i madh që e ka futur në “rrethin e vdekjes”. E vetmja shpresë për të minimizuar pasojat do të ishte shkëputja e shpejtë nga ky opsion, cdo inisistim me shpresën e cuarjes deri në fund të këtij projekti apo të shpëtimit pa u lagur vetëm do të rriste eksponencialisht koston.
Syri.net
16 gusht 2018

TË NGJASHME