Shqipëria kujdeset më shumë për të shkuarën sa për të ardhmen!

Në librin “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, autori Ruschir Sharma arrin në përfundimin se një ndër dhjetë faktorët më të rëndësishëm në përcaktimin e rritjes ekonomike është rritja e...

Në librin “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, autori Ruschir Sharma arrin në përfundimin se një ndër dhjetë faktorët më të rëndësishëm në përcaktimin e rritjes ekonomike është rritja e popullsisë. Sipas të dhënave të analizuara në

100 vitet e fundit bota ka patur vetëm 56 raste të shteteve që kanë përjetuar “mrekulli ekonomike”, e cila nënkupton rritje ekonomike mbi 6% në vit për më shumë se një dekadë. Shqipëria në fakt e ka të domosdoshme këtë rritje të lartë për të ulur varfërinë në vend dhe për të mundësuar një rritje të nivelit të jetesës për qytetarët e saj. Një rritje ekonomike prej 6% në vit për dhjetë vitet e ardhshme nënkupton se të ardhurat për frymë mund të rriten nga 4200 USD në vit në afërsisht 7600 USD deri në vitin 2027. Por kushti kryesor që të arrihet kjo “mrekulli ekonomike” sipas përllogaritjeve është rritja e popullsisë me të paktën 2.7% në vit. Të pakta kanë qenë ato shtete me rritje ekonomike kaq të lartë për një periudhë të gjatë kohe pa këtë kusht thelbësor.

Për këtë arsye po të rikthejmë vëmendjen te të dhënat e Shqipërisë shihet qartë tensioni i lartë që ka vendi ynë mes pritshmërisë për rritje të ekonomisë dhe të dhënave dekurajuese demografike. Sipas projeksioneve demografike të INSTAT Shqipëria në tre skenarë mund të ketë këto të dhëna deri në vitin 2031: ose një popullsi prej 2.5 milionë banor ose -14% krahasuar me 2011 ose 3.03 milionë banor dhe një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2011.

Në të dy këta skenarë ne jemi larg pritshmërisë për “lulëzim demografik” e për rrjedhojë larg pritshmërisë për rritje ekonomike të lartë. Ekonomisti Sharma gjithashtu thekson se në 698 raste të analizuara të rritjeve ekonomike që nga viti 1960 vetëm tre kanë qenë rastet kur një shtet ka patur rënie të popullsisë dhe njëkohësisht rritje ekonomike të qëndrueshme mbi 6% në vit. Këto shtete janë Portugalia në vitin 1960 dhe Bjellorusia dhe Gjeorgjia 2000-2010. Por të tria në kushtet kur kishin kaluar trazira politike apo kaos së pas luftërave Për këtë arsye Komisioni Europian shkruan në vitin 2005 “në histori nuk kemi parë rritje ekonomike pa rritje të popullsisë”.

Historia e shtetit shqiptar ka dy episode kryesore për sa i përket popullsisë: periudha e pas Luftës së Dytë Botërore që çoi thuajse në trefishim të popullatës dhe periudha e tranzicionit që po sheh një trend rënës konstant të popullsisë. Në fakt në vitet 1960 popullsia e Shqipërisë rritej me një trend prej 3.1 % dhe që ishte ndër më të lartat në botë dhe më e larta në Europë. Shqipëria ka regjistruar 814 mijë banorë në vitin 1923. Ndërkohë që në vitin 1960 deri në fund të vitit 1990 arriti të dyfishojë popullsinë nga 1.6 milion banorë në 3.2 milionë banorë, por për shkak të politikave të mbylljes së ekonomisë nuk u mundësua rritje ekonomike.

Sipas INSTAT “emigrimi i të rinjve, rënia e lindshmërisë, si dhe vdekshmëria më e ulët që nga viti 1989, kanë zvogëluar peshën e brezave të rinj dhe kanë rritur atë të brezave më të vjetër në popullsinë e përgjithshme, duke çuar drejt një moshimi demografik. Ndërkaq transformimi i popullsisë drejt plakjes ka implikime ekonomike të mëdha. Kostoja e shoqërisë për mbështetjen e të moshuarve është më e lartë sesa kostoja mesatare e mbështetjes për një fëmijë” (ONS UK, 2008). Duke analizuar të dhënat për të parë nëse Shqipëria kanoset nga plakja dhe kostot financiare që ato sjellin për shoqërinë është e rëndësishme të analizohet raporti mes fëmijëve nën 15 vjeç me popullsinë në moshë pune, si dhe raporti mes të moshuarve mbi 65 vjeç me popullsinë në moshë pune. Ndryshimet ndër vite të këtyre raporteve thonë shumë për potencialin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ajo që vihet re nga të dhënat e Shqipërisë nga viti 2001 deri në vitin 2016 është se varësia e të moshuarve është rritur nga 12% në 18.87%, ndërkohë që varësia e fëmijëve ka rënë nga 46.49% në 26.26%. Që do të thotë se popullata në moshë pune në 15 vitet e fundit po kujdeset gjithnjë e më shumë për të moshuarit sesa për fëmijët. Sipas të dhënave të INSTAT “plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, dhe parashikimi është se fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025”.

Së dyti, përqindja e popullsisë që është mbi 65 vjeç në Shqipëri thuajse është dyfishuar nga 7.5% në vitin 2001 në 13% në vitin 2016. Ky dyfishim i përqindjes së popullsisë mbi 65 vjeç i është dashur Francës më shumë se 115 vjet për t’u arritur dhe SHBA 69 vjet.

Gjatë zgjedhjeve të fundit kandidati i Libras hodhi idenë se shteti shqiptar duhet të japë “1000 EURO për çdo bebe të re që lind pasi kemi plakje të popullatës”. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka shpallur gjithashtu iniciativën e re “për të rritur fondin për bebet, si dhe bonusin mujor për familjet me shumë fëmijë”. Të dyja këto raste theksojnë dhe njëherë “minën me sahat” që ka shoqëria jonë dhe që në rast se nuk adresohet seriozisht pasojat mundet të jenë tejet negative për ekonominë. Por nga ana tjetër, të dyja këto politika janë tipike të ndërhyrjeve të shtetit në shoqëri me anë të fondeve publike. Kostot ekonomike të kësaj politike janë shumë të larta ndërkohë që rezultati në ndryshim të fertilitetit në vend është i dyshimtë nga eksperienca e vendeve të ndryshme të botës së zhvilluar apo në zhvillim. Kanadaja për shembull ofroi incentiva të ngjashme në vitin 1988 për “bonuset e lindjeve”, por që hoqën dorë pas disa vitesh pasi personat që u nxitën nga këto politika ishin kryesisht të varfrit që më pas shtuan presionin mbi shërbimet e tjera sociale të shtetit. Australia gjithashtu e mbajti këtë politike vetëm gjashtë vjet pasi nuk u pa asnjë ndryshim në fertilitet ndërsa Kili ofroi një skemë progresive sipas numrit të fëmijëve, ku nëna paguhej 100 dollarë më shumë për fëmijën e dytë, tretë dhe të katërt edhe kjo me pak efekt.

Ky presion demografik do të jetë shqetësimi kryesor i ekonomisë së vendit tonë dhe presionet financiare kërkojnë gjithnjë e më shumë një konsensus të plotë politik për ato reforma ekonomike që lejojnë konkurrencën e që lehtësojnë shtetin nga pagesat direkte, si për arsimin, shëndetësinë, pensionet apo arsimin. Në rast se nuk e kuptojmë këtë, Shqipëria do të vazhdojë me ritme të ulëta të rritjes ekonomike dhe emigrimi do të vazhdojë të thajë burimet njerëzore të shtetit shqiptar.

Marrë nga Mapo.al

TË NGJASHME