Revolucioni i ndritur ose Zgjimi i madh kombëtar! Nga Arian Galdini

105 vjet shtet shqiptar e ne ende vuajmë nga Kompleksi i Ditës së Parë të Shtetbërjes. Edi Rama madje e zyrtarizoi këtë sëmundje të rëndë kolektive që ne kemi,...

105 vjet shtet shqiptar e ne ende vuajmë nga Kompleksi i Ditës së Parë të Shtetbërjes. Edi Rama madje e zyrtarizoi këtë sëmundje të rëndë kolektive që ne kemi, duke rikthyer foton e Ismail Qemalit në çdo zyrë të shtetit. Jo se Ismail Qemali nuk e meriton, porse qëllimi i Edi Ramës ishte paradoksalisht meskin e kontradiktor në të njëjtën kohë. Njeriu që flet çdo ditë për shtetbërjen, u fsheh pas fotos së Ismail Qemalit, sepse nuk donte ta respektonte shtetin e tij, duke mosnderuar institucionin e Presidentit të Republikës, cilido të jetë ai. Fshehja tek e shkuara apo krahasimi me të shkuarën është bërë simptoma më e dukshme e pafuqisë dhe padëshirës së udhëheqësve tanë politikë për tu shkëputur e shëruar nga sëmundja e Kompleksit të Ditës së Parë të Shtetbërjes. Ata janë të sëmurë kronikë, të vetëinfektuar me vullnet të lirë dhe infektues të zellshëm të kujtdo rreth e pas tyre.

Nga ana tjetër, kur janë në Opozitë, udhëheqësit tanë vuajnë nga Kompleksi i Revolucionit Personal. Pothuajse të gjitha Opozitat, në këto 27 vitet e fundit, sapo kanë kuptuar që nuk kanë fituar zgjedhjet e nuk do të jenë në pushtet, ia kanë nisur të flasin për Revolucion. Cilido të ketë qenë lideri i rradhës i Opozitës, nuk i ka shpëtuar gjuhës fundbotëse dhe mesianike me thirrje për Revolucion e përmbysje me çdo kusht të pushtetit diabolik të cilit i ka ardhur dita marrjes në dorë të frenave të punëve të shtetit e qeverisjes.

Lideri i Opozitës në Shqipëri duket si i magjepsur nga sprova për të pasur edhe ai Revolucionin e tij. Por që të prodhohet Revolucioni, duhet të shpaloset Djalli. Asnjë lider opozite ne vendin tonë, kurrë, në asnjë rast, nuk ka zgjedhur rrugën e gjatë, rrugën që të çon e s’të kthen. Të gjithë, pa asnjë përjashtim kanë zgjedhur rrugën e shkurtër. Nuk shkojnë vetë të vrasin kuçedrën, por sjellin Djalli këtu. Të zgjedhësh rrugën që të çon e s’të kthen, do të thotë të rendësh kah sakrifica e vetëmohimi, për ç’ka e beson të vlerë e të rëndësishme. Në këtë rrugë nuk mer të tjerë me vete, por ti vendos veten tënde në dispozicion të të tjerëve. Nuk flet për Djallin, por ushqen me mishin e pulpës tënde shqiponjën që të mban në krahë ndërsa fluturon për të të çuar në përballjen me kuçedrën. Kurse ajo rruga që të çon e të kthen, është e thjeshtë fare. Mjafton që ti të flasësh pafund për të keqen e tu thuash njerëzve se Mbretëria e Djallit ka pllakosur. Mbill depresion, dëshpërim, dekurajim dhe shpreso që, kësisoj do të krijohet edhe ushtria e Revolucionit tënd.

Me këtë reflektim, nuk po dua fare të them se Edi Rama nuk është Djalli që ne Opozita kemi shpallur. Jo aspak. Edi Rama është një e keqe e pamëdyshtë që pushtetin e ka si vegël dëfrimi e pasurimi pa frerë. Edi Rama është Zoti i rradhës në krye të punëve të katrahurës. Sot, me këtë reflektim në fakt, nuk po merem me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën si njerëz e udhëheqës konkretë. Sot e kam reflektim, me veten time, për veten time, me shoqërinë tonë, për shoqërinë tonë, e për si ne e kuptojmë e përjetojmë, qeverisjen dhe opozitarizmin. Dua të them, se kemi mbjellë kaq shumë depresion e dekurajim në këtë vendin tonë me kaq shumë skandale e ligësi të cilat burimin e kanë tek kompleksi i pushtetarit si shtetbërës dhe i opozitarit si revolucionar, saqë nuk po lëmë asnjë shans për tu zhvilluar ndonjë bimë a oaz urtësie në këtë vend.

Të gjithë ne që shkruajmë, flasim e veprojmë, të gjithë ne që kemi zë, ndikim e përgjegjësi publike, të gjithë pa përjashtim, duke më përfshirë mua të parin, jemi bërë ose të dorëzuar ose të depresionuar. Kur jemi dorëzuar, marim anën e njërës prej palëve, ose qëndrojmë larg palëve, sepse kështu dhe vetëm kështu i bëjmë mirë vetes dhe botës sonë të vockël personale e familjare. Kur jemi të depresionuar, nuk lëmë rast pa bërë garë se kush gjen fjalët e hiperbolat më hidhnake e koniciane, për të përshkruar çdo keqshkuarje e paudhësi në këtë vend. Gara jonë e dorëzimit dhe depresionimit, janë bërë si holokausti i shpresës dhe besimit ndër ne, tek të gjithë ne.

A e keni vënë re se ne ndjekim, lexojmë, vlerësojmë, klikojmë, pëlqejmë kryesisht e madje dërrmueshëm, dëfryesit e depresionuar ose mendjendriturit e dorëzuar. Jemi aq cinikë e të ligësht me veten e njëri tjetrin, saqë njerëzit e mirë, aktet e mira, shembujt e mirë, lajmet e mira, i klasifikojmë si shtirje, hipokrizi ose si të parëndësishme ose të pavlera fare e të lehta. E gjitha kjo ka ardhur si reaksion zinxhir, ngase udhëheqësit pushtetarë nën kompleksin e shtetbërjes dhe udhëheqësit opozitarë nën kompleksin e revolucionbërjes, e kanë helmuar në atë pikë këtë shoqëri, sa shpesh të duket e kotë të ëndërrosh në këtë vend e për këtë vend.

Udhëheqësit dhe matrica e tyre politike, sociale e kulturore kanë degraduar më pas edhe të gjitha hallkat e mendjendriturve, intelektualëve, profesionistëve, artistëve, gazetarëve, etj, etj, duke i katandisur këta, ose në të dorëzuar ose në të depresionuar. Janë pothuajse të njëjtat gjendra fëlligështie që përdoren prej 2 dekadash ndër ne, për të shpërthyer qelbin e çdo debati që na ka përfshirë e ndarë, duke filluar nga debatet e dasitë politike, deri tek ato fetare, kulturore, për dekonstruktimin e heronjve, personaliteteve, ngjarjeve e çështjeve tona kombëtare, apo mbi përkatësitë krahinore, e gjithfarë temash të kësollojshme.

Janë të njëjtët njerëz që paguhen tejet majmësisht për të shkallmuar çdo pikë reference e çoroditur çdo mendje. Kjo është edhe arsyeja pse doja ti hidhja në eter këto përsiatje, sepse ne kemi kaq shumë nevojë për një revolucion të ndritur. Jo revolucion pushteti, por revolucion mendjehapës, çlirues energjish pozitive. Ky helm masiv, dorëzonjës e depresues, duhet mundur nga një Zgjim i Madh. Një shpirt i ri i inkurajimit, mirësisë, vlerave dhe besimit duhet domosdoshmërisht të ngjizet, rritet e ngadhnjejë mes nesh.

Asnjë pushtet shteti e asnjë opozitarizëm revolucionar, nuk mund ta mbjellë dot këtë frymë të inkurajimit. Zgjimin e Madh mund ta sjellin vetëm guximtarët që dinë të maten me vetet e tyre, me makthet e tyre më të këqija, e paskëtaj të shembullizojnë me fjalë, akte dhe vepra të mbara.

Më shumë sesa udhëheqës që mbajnë fjalime të bukura e që dinë të flasin zhdërvjellët, kësaj shoqërie e këtij kombi i duhen udhëheqës nëpërmjet shembullit të tyre personal. Revolucioni i ndritur apo Zgjimi i Madh është e vetmja zgjidhje… Përndryshe, helmi do të na mbysë, dorëzojë, depresionojë apo largojë…

TË NGJASHME