Reforma në administratë, ku do punojnë 81 mijë nëpunës

Vitin e ardhshëm qeveria propozon të ketë në punë me pagesë si punonjës buxhetorë 81 mijë e 410 vetë, ndërkohë që për këtë vit janë planifikuar 81.718 punonjës. Pra,...

Vitin e ardhshëm qeveria propozon të ketë në punë me pagesë si punonjës buxhetorë 81 mijë e 410 vetë, ndërkohë që për këtë vit janë planifikuar 81.718 punonjës. Pra, stafet e administratës do të pakësohen me 308 vetë. Por ndërkohë, po në këtë dokument, parashikohet edhe një grup prej 230 vetësh, që do të jenë si rezervë për institucionet e reja të drejtësisë, që do të krijohen. Kjo, ndërkohë që janë të përfshirë në buxhet 50 punonjës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe 37 të tjerë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, çka do të thotë që planifikohen 317 vende në administratën e magjistraturës, nga të cilët, për 230 prej tyre ende nuk janë përcaktuar afatet se kur do të fillojnë punë.

Për sa i përket administratës qendrore, shkrirja e disa ministrive dhe funksioneve e bën të vështirë të krahasohen me saktësi ndryshimet e personelit, duke patur parasysh edhe kalimin e stafit nga një ministri e vjetët tek një tjetër.  Kështu për shembull, duket sikur Kryeministria do të ketë një reduktim të madh, pasi, nga 646 punonjës që ka aktualisht, stafi  kalon në vetëm 150 vetë. Pra, katër herë më pak. Por kjo shpjegohet me ndryshime në kompetenca të disa institucioneve, të cilat më parë qendronin nën “ombrellën” e Ramës, për t’u shpërngulur pranë ministrive të tjera, ose për të dalë si institucione jo në vartësi direkte të Kryeministrisë.

Stafi më i madh administrativ do të jetë në vartësi të ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me 31 mijë e 4 vetë. Ndërkohë, psh ministria e Jashtme, që ka tërhequr edhe personel nga ish-Integrimi, nuk i ka marrë dikasterit të shrirë 113 punonjësit, por vetëm 50 prej tyre, duke shmangur personel ndihmës apo mbështetës. Ministria e Brendshme do të punojë me 60 vetë më pak, ajo e Mbrojtjes me 100 vetë më shumë,, etj.

Presidenca do të shtojë edhe 10 punonjës të tjerë në stafin e saj, duke kaluar nga 76, në 86 vetë.

Sipas projektligjit, Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja. Por rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Këshilli i Ministrave, pas miratimit paraprak nga Kuvendi.

Për vitin 2018 nuk parashikohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave përcakton edhe një numër maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror.

TË NGJASHME