Rama, ankthi i vdekjes dhe pushteti

Fitim Zekthi Një nga tiparet bazë të qenies njerëzore është se ajo është e vetëdijshme se është gjallë dhe është e vetëdijshme se do të vdesë. Vetëdija se vdekja...

Fitim Zekthi

Një nga tiparet bazë të qenies njerëzore është se ajo është e vetëdijshme se është gjallë dhe është e vetëdijshme se do të vdesë. Vetëdija se vdekja është e pashmangshme e fut njeriun në një ankth të pafundmë dhe motivon thuajse gjithë veprimin e tij.

Profesorët Ernest Becker dhe Sheldon Solomon, të cilët kanë studiuar për vite me radhë ndikimin që ka te njeriu ideja se ai do të vdesë kanë formuar atë që njihet si teoria e menaxhimit të terrorit. Sipas tyre njeriu përjeton terror kur ai mendon për vdekjen ose e pushton ideja e vdekjes. Për të gjetur një mënyrë për të qetësuar këtë terror apo për t’i dhënë zgjidhje terrorit që shkakton vdekja, njerëzit ndërtuan botëkuptime të caktuara kulturore.

Pra, botëkuptimi kulturor që ka dikush është mburoja që ai ka për të kuruar terrorin e vdekjes. Përkushtimi ndaj familjes, lindja e fëmijëve, besimi në Zot, grumbullimi i pasurive të mëdha, të jetuarit e jetës në mënyrë libertine, fitimi i një fame të madhe si një misionar apo transformues etj., janë disa nga mënyrat që përdoren nga njerëzit.

Solomon nëpërmjet vrojtimeve dhe eksperimenteve ka vënë re se kur njeriu ekspozohet ndaj idesë së vdekjes apo shtyhet të mendojë për vdekjen ai i përforcon edhe më shumë pikëpamjet e veta kulturore. Janë më se 300 eksperimente të tilla. Ndër më domethënësit është ai i 40 gjyqtarëve në Arizona. Gjyqtarët mendohen si njerëz që vendosin racionalisht duke ndjekur një procedim logjik strikt kur analizojnë faktet dhe interpretojnë. Gjyqtarëve iu kërkua, secilit më vete, të jepnin një vendim mbi një çështje prostitucioni.

Para vendimit gjysmës së gjyqtarëve iu kërkua të mendonte për vdekjen, të përshkruanin momentin e vdekjes së tyre dhe funeralin. Duke qenë se gjysma u përball shumë pranë me idenë e vdekjes, ajo mori vendimin më të ashpër që lejonte ligji. Ndërsa gjysma e gjyqtarëve që nuk mendoi për vdekjen apo funeralin mori vendime të ndryshme, shumë më të lehta se sa ai i gjysmës tjetër.

Solomon thotë se ideja e vdekjes i bëri të 20 gjyqtarët të mbronin fuqimisht pikëpamjet e tyre kulturore. Ata ishin kundërshtarë të prostitucionit. Pra, ideja e vdekjes e përforcon shumë pozicionin e një njeriu, e bën atë më radikal dhe për pasojë shumë më pak të arsyeshëm dhe rrit vetëvlerësimin për veten, thotë Solomon. Ai thotë gjithashtu se menaxhimi i terrorit të vdekjes përdoret gjerësisht edhe në politikë. Shumë politikanë duan pasuri dhe zhyten në jetë luksi, por edhe shumë të tjerë përpiqen të bëjnë gjëra të mëdha, mendojnë se janë misionarë.

Pushtet do të thotë më shumë pushtet për të rritur veten, për të ndryshuar gjendjen nga ajo e të qenit i vogël, i fundmë, një copë mishi që do të kalbet në një të madhe, të vlefshme, të rëndësishme, unike. Kur në një pikë të caktuar ose ekstreme njerëzit kaplohen nga ideja se projekti i tyre po dështon, ata bien në depresion, thotë Ernest Becker në librin “Mohimi i vdekjes”. Në një këndvështrim tjetër, jo të psikologjisë, presidenti çek Vaclav Havel, tha gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit Sonning për kontribut në qytetërimin europian se janë tri llojet e shtysave që e bëjnë një njeri të merret me politikë.

E para, tha ai, është dëshira për të ndihmuar vendin të bëhet më i mirë nisur nga ideale dhe vlera të cilat i mendon të shtrenjta.

E dyta është dëshira për vetafirmim, e cila mund të bëhet shkatërrimtare sepse mund të përfundojë në mënyrën e vetme për të afirmuar ekzistencën. Përtej politikës nuk shihet më ekzistencë dhe vetëm nëpërmjet saj iu imponohesh njerëzve, kundërshtarëve dhe lë gjurmë që mendon se do të jenë përjetë. Ka edhe një të tretë, që ka të bëjë me marrjen me një punë, me sigurimin e mjeteve për të jetuar dhe sigurimin e jetës.

Havel thotë se te politikani i mirë gjenden të tria, por dominon e para, ndërsa te politikani i keq dominon e dyta, pra dominon dëshira për ta bërë politikën si një gjë vetëm për të afirmuar veten …Edhe në Shqipëri, sigurisht, ka patur dhe ka politikanë që e kanë zgjedhur politikën si një mjet për të kuruar terrorin ose një mjet për vetafirmim siç ka edhe politikanë që janë aty për pasuri.

Në datën 24 qershor të vitit 2013, kur u bë e qartë se Edi Rama i kishte fituar zgjedhjet dhe do të ishte kryeministër, ai i tha në një intervistë dy gazetarëve Philippe Bertinchamps dhe Jean-Arnault Derens të Le Currier des Balkans: “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk i çaj kryet për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”.

Nuk ka patur kurrë një politikan në Shqipëri që të jetë shprehur kështu, që të thotë kaq haptas se makthi i vdekjes është forca e vetme shtytëse e tij. Në këtë mënyrë ai i përket grupit të dytë të politikanëve sipas Havelit, ose iu përket atyre njerëzve që terrorin e vdekjes e qetësojnë nëpërmjet politikës.

Çështja është se kur vihet në diskutim ky projekt i cili ka për qëllim të zhbëjë vdekjen, atëherë njeriu bëhet radikal, i mbron shumë më me forcë pikëpamjet e veta dhe e sheh politikën si objektin e vetëm të ekzistencës. Kjo gjë është vënë re edhe këto ditë, kur situata politike në vend është e acaruar, kur shumica qeverisë është e shkatërruar, kur vendi rrezikon të mos mbajë zgjedhje në kohë etj.

Kryeministri, i cili është në të drejtën e tij të gjejë argumente të mbrojë idetë e tij, është bërë gjithnjë e më përçmues, gjithnjë e më përbuzës dhe vijon të sulmojë kundërshtarët. Kërkesave të opozitës që të ketë vetting për politikanët i përgjigjet me sulme, me fyerje, organizon njerëz, nxjerr deputetë që të sulmojnë. Propozimit të PD-së për të verifikuar koncesionet  dhe tenderët i përgjigjet me konferenca shtypi të njerëzve të tij që sulmojnë familjarët e kryetarit të opozitës, apo me deklarata të vetat ku tregon “talentin e vet në politikë”, “mbështetjen e madhe popullore”, “fitoren e thellë që mund të marrë edhe tani” dhe “opozitën që drejtohet nga një politikan i dobët sipas tij “si Lulzim Basha”. Edhe gazetarëve që arrijnë t’i bëjnë ndonjë pyetje sfiduese, si Rakipllari apo Bejtja, iu përgjigjet po me shpoti, me arrogancë, përçmim etj.

Askush në botë nuk e ka kuruar terrorin e vdekjes me anë të politikës ose duke e parë si të vetmin objekt ekzistence, përkundrazi ky terror është rritur vazhdimisht. Politikanët që e kanë rritur pushtetin pa ndalur, që janë bërë diktatorë, autokratë apo totalitarë jo vetëm nuk e kanë zgjidhur ankthin e vdekjes, por janë zhytur më shumë në rrugën e rritjes së pandalur të pushtetit, në rrugën e abuzimit me pushtetin dhe të kryerjes së krimeve nga më të ndryshmet.

I zgjidhur në këtë mënyrë ky terror është shkatërrimtar.

Kryeministri Rama duke qenë nën këtë presion të madh dhe duke parë projektin e tij për pavdekësinë të bjerë, rrezikon të hyjë në një rrugë pa krye të rritjes së pushtetit dhe të abuzimit me të.

Edi Rama gradualisht, të paktën prej pesë vitesh, e ka futur ekonominë e vendit në një qerthull që nuk prodhon rritje, që ka rritur borxhin publik me gati 15 pikë përqindjeje ose me mbi 2 miliardë euro, që nuk ndihmon të gjejnë punë të papunët, që nuk ndihmon të kenë më shumë vakte ushqim të varfërit etj. Prej gati pesë vitesh Kryeministri ka dhënë rreth 1,5 miliardë euro konçesione katër- pesë bizneseve në mënyrë të dyshimtë dhe pa asnjë rentabilitet për ekonominë, përkundrazi duke rritur borxhin dhe lënë lart papunësinë. Prej gati pesë vitesh njerëz që vijnë nga bota e trafikut të drogës dhe krimit janë ose ishin deputetë dhe kryetarë bashkish dhe kryeministri i mbrojti me forcë kundër opozitës dhe opinionit. Në këto pesë vite vendi u mboll masivisht me hashash aq sa pati raste kur në dogana kalonin (kjo u kap) edhe 8 tonë hashash, pra 8 mijë kg. Në këto pesë vite në Shqipëri u fut kokainë në masa të pamendueshme që vinte nga Kolumbia si rasti i 600 kg me vlerë rreth 200 milionë euro. Prej pesë vitesh kryeministri është në një sulm të përditshëm ndaj gazetarëve, disa i tall dhe i fyen, disave u përmend pronarin, disa i hipën në avionë. Prej pesë vitesh kryeministri sulmon vazhdimisht opozitën. Për çdo gjë që thotë apo bën opozita ai ka një njeri që e sulmon, për çdo gjë që thotë apoo bën kryetari i PD-së ai sulmon vetë ose me të tjerë, për çdo gjë që shkon keq pengesë ose fajtore është opozita.

Një njeriu që kërkon ta zgjidhë ankthin e vdekjes me pushtet, nuk i mjafton kurrë pushteti që ka. Rama vazhdimisht zgjeron pushtet. Sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe qeveria duke i eliminuar ka më shumë pushtet. Sot paraja publike dhe lejet për punë publike janë të gjitha në dorën e kryeministrit dhe pak biznesmenëve. Sot ka një përmbysje të thellë të rendit të gjërave. Sot, kur qeveria merr pronë publike dhe ia jep një biznesi për të ndërtuar kulla, ajo thotë se po i jep qytetit një teatër të mrekullueshëm që do marrë çmime në Barcelonë. Sot, kur opozita denoncon grupe kriminale që kontrollojnë një qytet apo disa qytete ajo quhet e “mbaruar” dhe në “krizë” ndërkohë të gjithë shohin vrasje, rrëmbime personi, krime tipike mafioze. Sot, kur ikin mijëra njerëz nga vendi, kryeministri thotë se ne jemi më mirë se sa Kroacia, sot kur ka varfëri dhe papunësi qeveria thotë se punë ka, por populli është dembel apo nuk ka profesionistë etj.

Një lider i sheh të vërtetat si të përhershme, i mendon vlerat të përjetshme dhe nuk dorëzohet para joshjeve të tilla të pushtetit, nuk e bën krimin dhe korrupsion mjet për rritjen e pushtetit, për marrjen e zgjedhjeve dhe mundur kundërshtarët, opozitën apo popullin e tij.

Vdekja nuk ka pse të jetë një terror, ajo mund të shihet si një mrekulli, njeriu mund të gjejë dhe duhet të gjejë botëkuptime të tjera kulturore për të menaxhuar terrorin e vdekjes, të cilat i japin paqe atij dhe të tjerëve. Shoqëritë dhe madje civilizimet janë një përgjigje pikërisht për këtë terror, thotë Becker.www/politiko.al/

 

TË NGJASHME