Qyteti antik Albanopolis del në dritë

Arkeologë nga Shqipëria dhe Gjermania punuan për të nxjerrë në dritë pjesë të rrënojave të qytetit antik të Zgërtheshit, i pagëzuar që më 1854 si “Albanopolis”

Për vite me rradhë, askush veç deleve në kërkim të barit nuk ka ndaluar këtu qoftë edhe për të hequr ca ferra e barishte që mbulojnë gurët ciklopikë të kullave mbrojtëse të njërit prej qyteteve antike ilire më të përfolur në Shqipëri. Megjithatë. gjatë prillit në nekropol  dëgjoheshin  së largu zëra dhe zhurma e kazmës.

Një projekt studimor njëmujor midis arkeologëve shqiptar, nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga “Universiteti Goethe”, në Frankfurt të Gjermanisë, i cili pritet të përsëritet edhe në dy vitet e ardhshme, riktheu arkeologët në qytetin antik të Zgërdheshit.

Kërkimet, të cilat u kryen prej mesit të marsit deri më 20 prill, synojnë njohje më të plotë të territorit të qytetit antik, nxorrën në dritë katër varre dhe një strukturë rrethore që sipas drejtuesve të projektit mund të jetë një varr monumental në afërsi të një tempulli të lashtë.

Rrënojat e pagëzuara, edhe pse kjo mbetet ende vetëm hipotezë, si “Albanopolis” nga gjuhëtari austriak  Johann Georg von Hahn në vitin 1854, ndodhen në kodrën e Zgërdheshit në Jug-Perëndim të Krujës, në vijim të rrugës për në fshatin Halil.

Me rikthimin e arkeologëve, mes banorëve janë ngjallur gjithashtu shpresat se zbulimit e tyre do të tërheqin më shumë vizitorë në rrënojat e lashta dhe investime në infrastrukturë nga qeveria.

Zbulimet e bëra i kanë entuziasmuar arkeologët, të shpërndarë në disa grupe pune në sipërfaqen prej 10 hektarësh që zë qyteti antik në drejtim të fushës së fshatit. Ata zhvilluan 4 sondazhe arkeologjike, dhe kanë zbuluar katër varre dhe një strukturë rrethore ende të paidentifikuar qartësisht.

Për arkeologët një prej varreve është shumë i veçantë dhe siç thonë është hera e parë që hasin një strukturë kaq të mirëruajtur, me një teknikë ndërtimi që përkon me shek. III-IV të Erës Sonë, ku shtresa e varrit dhe muret anësore janë ndërtuar me tulla, e mbuluar më pas me tjegulla.

“Struktura e varrit të zbuluar ka një cilësi shumë të lartë ndërtimi dhe skeleti brenda tij, mendojmë se është i një gruaje, e cila mund t’i përkiste një shtrese të lartë shoqërore”, tha për BIRN bashkëdrejtuesi i gërmimeve, arkeologu gjerman, Dr. Thomas Maurer.

Varri i zbuluar në një thellësi të vogël pranë mureve rrethuese të qytetit antik, në zonën e nekropolit, kishte brenda një “inventar” të pasur me objekte.

“Kemi gjetur 3 objekte prej qelqi, 2 prej tyre janë shishe (njëra me trup sferik dhe tjetra në formë këmbane) dhe e treta është një ojnohe. Po ashtu kemi gjetur një objekt prej argjendi, dy unaza dhe 5 rrathë prej bronzi, që nuk është ende i qartë funksioni i tyre”, shpjegoi për BIRN bashkëdrejtuesja e gërmimeve, arkeologia shqiptare, Dr. Elvana Metalla.

Jashtë mureve të fortifikuara, rreth 400 metra në fushën poshtë kalasë, ka dalë në dritë një strukturë rrethore, ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.

“Ndoshta kemi të bëjmë me një varr monumental. Kjo strukturë na bën të mendojmë se mund të kemi edhe një tempull pranë, pasi dikur në këtë zonë shtrihej edhe nekropoli i periudhës helenistiko-romake, të qytetit antik, por kjo mbetet për tu vërtetuar me vijimin e gërmimeve”, tha arkeologu Thomas Maurer.

Në pjesën më të lartë të kalasë, në akropol, po zhvillohen gjithashtu gërmime në ambientin e një kishe deri tani ende të padatuar, që ndoshta i përket periudhës nga antikiteti i vonë deri në mesjetën e hershme, me synim marrjen e informacionit sa më të plotë mbi mënyrën e organizimit të këtij monumenti.

Aty pranë, në vijim të një muri prej guri rreth 90 metra, kanë qenë vendosur tre kulla, ku sot dallon kulla mbrojtëse në hyrjen veriore, e ruajtur në një pjesë të mirë të saj, por e pushtuar nga bimësia.

Qyteti antik ka qenë i ngritur në një kodër që ofronte mbrojtje natyrore dhe një pjesë e saj është ndërtuar mbi shkëmbinj. Pastrimi i mureve ekzistuese nga bimësia, synon sipas arkeologëve identifikimin e gurëve të vendosur gjatë ndërtimit dhe rikrijimin e planimetrisë së shtrirjes së kalasë dhe ndoshta edhe të formave të rrugëve dhe ndërtesave të qytetit.

Gërmimet e nisura nuk janë rastësore, ato bazohen në dy fushata arkeologjike, të viteve 1969 dhe 1972. Rrënojat që qëndrojnë hijerënda mbi një prej kodrave të fshatit Halil, mendohet se ngrihen mbi qytetin ilir, Albanopoli, qendër e fisit të Albanëve.

Qyteti përmendet për herë të parë në mesin e shekullit të dytë Para Erës Sonë, nga Klaud Ptolemeu, në veprën e tij “Gjeografia”.

Mendimin se këtu duhej kërkuar Albanopolisi i vjetër, e hodhi studiuesi dhe gjuhëtari austriak, Johann Georg von Hahn, kur e vizitoi kalanë në vitin 1854. Emri i këtij qyteti u lidh kështu edhe me emrin kombëtar të shqiptarëve.

Gjetjet arkeologjike të mëhershme dhe ato të këtij viti, tregojnë se qyteti ka qenë i shtrirë edhe jashtë mureve rrethuese. Përveç gurëve të kalasë, pak të punuar, zbulimet kanë treguar për një nivel të lartë zhvillimi të qytetërimit, duke zbuluar objekte apo pjesë statujash të gdhendura me mjeshtëri.

“Gjatë punimeve të ndërtimit në zonën përfund qytetit, në vitin 1961, janë gjetur mbeturinat e mureve të një godine, një sasi tjegullash dhe një kokë luani, pjesë e një sime”, shkruhet në Revistën “Iliria”, (vol; 2, 1972), në artikullin “Qyteti ilir në Zgërdhesh”, të arkeologut Selim Islami.

Ndryshe nga qytete si Durrësi, ku ndërtohet në zona me risk arkeologjik, në Zgërdhesh vendasit e kanë respektuuar “kufirin” e kalasë, e cila për ta përbën një simbol krenarie.

Në hyrje të fshatit Halil, dyqani i vogël berberhane, shërben si “Pikë informacioni”. Arben Halili, rreth 50 vjeç, lë klientin që po qethte dhe pa përtuar tregon gjithë entuziasëm për kalanë. Por ai nuk është shumë i kënaqur me infrastrukturën që të çon atje.

“Ka shumë turistë që unë i kthej pas, për shkak të rrugës së keqe, por interes ka shumë, ndërsa problemi më i madh është infrastruktura”, tregon ai me zell.

Rikthimi i arkeologëve u ka dhënë shpresë banorëve se zona mund të ketë më shumë vizita turistësh dhe ndoshta edhe më shumë punë.

Madje sëfundmi qeveria ka njoftuar se fshati Halil është përzgjedhur si një nga 100 fshatrat, ku synohet zbatimi i investimeve strategjike, për zhvillim të integruar të hapësirave rurale të vendit, por banorët nuk dinë se çfarë do të thotë kjo përzgjedhje dhe as nëse kjo do u sjellë të paktën ujin e rrjedhshëm i cili mungon prej vitesh.

Në fakt hera e fundit që fshati u dëgjua në media, ishte viti 2017. Mungesa e ujit të pijshëm për rreth 17 vite, për 3 mijë banorët e fshatit, i detyron gratë e fshatit që të qëndrojnë në radhë për të siguruar ujin e pijshëm tek burimi aty pranë, ashtu siç kemi dëgjuar se ndodhte shekuj më parë.

Autor: Geri Emiri

Marrë nga Reporter.al

TË NGJASHME