Programi i Bashës përballë të punësuarve prej Ramës nga Dr Besart Kadia

Pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe valës populiste që solli të majtën në pushtet, Kryeministri Berisha në atë kohë u shpreh pak ditë pas rezultatit të zgjedhjeve se: “Edi...

Pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe valës populiste që solli të majtën në pushtet, Kryeministri Berisha në atë kohë u shpreh pak ditë pas rezultatit të zgjedhjeve se: “Edi premtoi gjëra që unë nuk mund t’i premtoja. Nuk mund t’i premtoja shërbimin falas në shëndetësi, as heqjen e taksave për 95 për qind të popullsisë, as t’ua merrja djersën një pale e t’ia shpërndaja një pale tjetër!” Në vend të saj fushata e tij u përqendrua në fakte, në statistika shtetërore për ekonominë, për investimet publike, për rrugët e ndërtuara etj.

POPULIZMI NË EKONOMI

Katër vite më vonë, premtimet e Kryeministrit Rama janë dukshëm të paarritura, sidomos kur flitet për 300.000 vendet e punës, rritjen ekonomike, taksat e ulëta apo shërbimet shtetërore falas. Por, pavarësisht kësaj, Kryeministri Rama thotë se vendet e punës janë hapur dhe se objektivi do shtohet me 220.000 vende të reja pune në katër vitet e ardhshme ose më shumë se ç’është numri i të papunëve aktualisht! Po përse Edi Rama futet sërish në fushatë me shifra e objektiva që janë qartazi të paarritshme? Kjo fillon me shprehjen e famshme të Kryeministrit Disraeli se “ka gënjeshtra, gënjeshtra të mëdha dhe statistika”.

Fuqia që ka përdorimi i statistikave në shtetet moderne nuk mund të theksohet mjaftueshëm. Shtetet moderne përdorin të dhëna statistikore për të justifikuar një objektiv të vetëvendosur në fillim të mandatit, për të lehtësuar në këtë mënyrë komunikimin me publikun dhe legjitimuar një mori veprimesh në pushtet. Të njëjtën qasje përdorën Brexitiers, politikanët që kërkonin daljen nga BE, gjatë referendumit në verën e shkuar. Shkruar në një autobus, ata thanë se, nëse qytetarët votonin për t’u larguar nga BE, atëherë sistemi i tyre shëndetësor do të përfitonte £350 milionë në javë. Vetëm kjo shifër thjeshtoi në publik një debat të komplikuar.

Njëkohësisht shprehte faktin se fushata ishte pro sistemit social anglez, pro kursimit të parave dhe kundër përdorimit të tyre nga burokratë në Bruksel. Të dhënat statistikore e objektiva të tillë mund të kenë një fije të vërtetë, por politikanët populistë i përdorin pa kursim për të arritur objektivin e tyre.

PUSHTETI MERRET DHE MBAHET ME GËNJESHTËR

Kryeministri Rama i ka keqpërdorur të dhënat statistikore pa më të voglin problem për të marrë vota e për të qeverisur. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka tregje financiare të zhvilluara e kur aktorët e rëndësishëm ekonomikë ngurrojnë të mbajnë qëndrime publike, qeveria e majtë vazhdon të mos turpërohet kur keqpërdor hapësirën publike me të dhënat e saj. I tillë ishte rasti kur ministri i Financave, Ahmetaj, shprehej se në katër vite janë krijuar më shumë vende pune se objektivi fillestar prej 300 mijë vendesh.

Por në një raport të publikuar nga Banka Botërore thuhet se, në vitet 2010-2016, në gjithë vendet e rajonit të Ballkanit mezi janë krijuar 300 mijë vende pune, duke e bërë këtë pretendim të ministrit Ahmetaj minimalisht qesharak. Pavarësisht kësaj, Ahmetaj e Rama janë gati të pranojnë se ata mund të hapin 220 mijë vende të reja pune nëse fitojnë sërish. Pse? Jo vetëm në Shqipëri, por kudo qeveritë janë të gatshme të gënjejnë me të dhënat zyrtare për t’u rizgjedhur.

Kujtojmë borxhin grek dhe fshehjen e tij për vite e vite me radhë, gjersa çoi në ekspozim të borxhit real dhe në krizën e rëndë të borxhit publik, që ka çuar në humbjen e ¼ të ekonomisë gjatë dhjetë viteve të fundit. Po ashtu Hungaria në 2006-n, qeveria e ish-komunistit Ferenc Gyurcsany rriti borxhin publik duke ia fshehur publikut, për t’u ofruar atyre një pension të 13-të dhe masa të tjera sociale që të “blinte” zgjedhjet.

BBC raportonte për një regjistrim të fshehtë të Kryeministrit hungarez që shprehej se ai “kishte gënjyer në mëngjes, në drekë e në darkë” elektoratin. Nëse vazhdohet me këtë debat publik, Shqipëria do të përfundojë sërish në presion ndaj biznesit edhe gjatë viteve të ardhshme, nëse PS do ketë fatin e ekonomisë së vendit. Në nëntor 2015, gjatë kulmit të presionit ndaj biznesit, Ahmetaj do të shprehej se: “premtuam 300 mijë vende pune, por sot kemi 200 mijë.

Suksesi vjen pas aksionit të informalitetit, një betejë që shkon në themel të rritjes ekonomike.” Për të arritur këtë objektiv qeveria çdo gjashtë muaj u bënte presion bizneseve e drejtorive rajonale tatimore të regjistronin çdo person që gjenin në dyqane të vogla në Shqipëri si të vetëpunë- suar e fermerë për të shtuar numrin në sistemin e pagimit të sigurimeve shoqërore, në mënyrë që të dhënat të dilnin si punonjës të rinj në sistem. Për të arritur këtë objektiv të vetëvendosur qeveria ishte e gatshme të shtonte kostot e biznesit e të krijonte presione që i vështirësuan kushtet e të bërit biznes në vend.

Objektiva të vetëvendosura kanë çuar gjithnjë në politika të gabuara. Në Kinë, gjatë “Përpjekjes së Madhe” në fund të viteve 1950, shumë ferma vendosën objektiva më të larta nga ç’ishte e mundur, duke bërë që i gjithë prodhimi i grurit të merrej në formë takse për industrializimin e vendit me koston e urisë për miliona njerëz. Gjithashtu Putini në vitin 2012 inkurajoi reforma në letër për të përmirësuar renditjen në Doing Business të Rusisë.

Në vitin 2015, shpjegon Rushir Sharma në librin e tij “Rise and Fall of Nations”, Rusia renditej në vend të 51-të, nga vendi 120 që ishte dy vite më parë. Por ai shtron pyetjen se përse asnjë biznes i huaj me rëndësi nuk shkonte të hapte biznes në Rusi. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me qeverisjen Rama, ku me ndihmën e ekonomistëve gjeorgjianë të Shakasvillit u munduan të adresonin tërë reformat, që në letër do ta rendisnin Shqipërinë më mirë në renditje në Doing Business.

Në 2017 Shqipëria renditet në vend të 58-të, por problemi është që në katër vjet kreditë me probleme mbeten sërish më të lartat në rajon, borxhi publik mbetet i lartë, rritja ekonomike nën pritshmëri, kreditimi i ekonomisë i pandryshuar, ndërkohë që papunë- sia mbetet në të njëjtat nivele si në 2013 dhe paga mesatare ka rënë me 2.1% ,sipas INSTAT, vetëm gjatë vitit të shkuar.

Ndaj, sipas Ligjit Goodhart, kur një matje në ekonomi shndërrohet në objektiv për t’u arritur nga ana e autoriteteve, atëherë kjo matje nuk bëhet më relevante, pasi qeveria synon të përdorë çdo formë për të ndryshuar statistikat për të arritur objektivin. 300 mijë vende pune, thotë ministri Ahmetaj, u arritën, 183 mijë vende pune në sektorin jobujqësor dhe 120 mijë në atë bujqësor.

Por një “cross-check” i thjeshtë tregon se, ndërkohë që janë hapur vende pune, pagesat për ndihmë ekonomike dhe të papunë- sisë janë rritur me 12.4% dhe 13.4% në vitin 2016, krahasuar me një vit më parë. Këto kontradikta bëjnë që objektivi i papunësisë të jetë një objektiv qesharak për qeverinë dhe synimi të jetë vetëm çlirimi i ekonomisë nga praktikat etatiste të vëna re këto katër vite të qeverisë së majtë. Ndaj, premtimet e bëra nga programi i djathtë synojnë në tërësi ulje të rolit të shtetit në të bërit biznes në Shqipëri si në reforma institucionale, ashtu dhe në ulje të barrës fiskale.

Kryetari i opozitës Basha ka qenë transparent për më shumë se dy vjet për vizionin e tij të ekonomisë me të dhëna konkrete për politikat fiskale, si rrallëherë nga një opozitë. E djathta nuk mund të premtojë 300 mijë vende pune apo shërbime falas… Ajo tregon se populizmi të sjell në pushtet dhe të detyron të qeverisësh si populist, duke mos ndihmuar asnjë në periudhën afatgjatë.

Ndaj, kryetari i opozitës Basha ka premtuar një ekonomi që i beson tregut, duke propozuar taksat më të ulëta në rajon, siç është riprezantimi i tatimit të sheshtë në nivelin 9% për: tatimin mbi të ardhurat e korporatave, tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për sigurimet shoqërore. Heqje e fushëveprimit të taksimit mbi dividendin dhe fitimin kapital e ulje të shkallës tatimore për interesat nga 15% në 9%. Ndryshe nga e majta, programi i djathtë synon çlirimin e tregut në potencialet e tij reale. Kurse objektivi i 220 mijë vendeve të reja të punës është në fjalët e ish-kryeministrit hungarez “gënjeshtër e mëngjesit, e drekës dhe e darkës.”

Besart Kadia është Sekretar për Sipërmarrjen e Lirë në Partinë Demokratike

Marrë nga gazeta Panorama

Kategori
Punësimi

TË NGJASHME