Pak mendime të tërthorta pse shqiptarët nuk mbushin sheshet e protestës!

Le tia nisim me pyetjen se përse ‘risia’ nuk inkurajohet dhe nuk gjen terren për tu rritur e ngritur në këmbë në vendin tonë? Sepse: ‘Ata’, ‘Zotëruesit e Pushteteve’,...

Le tia nisim me pyetjen se përse ‘risia’ nuk inkurajohet dhe nuk gjen terren për tu rritur e ngritur në këmbë në vendin tonë?

Sepse: ‘Ata’, ‘Zotëruesit e Pushteteve’, pra ata që kanë qenë dhe janë, pra ‘E vjetra’, i tjetërson duke sajuar risitë e veta nga laboratorët e saj e duke krijuar iluzionin se i përmbush nevojat e ‘publikut’.

1. Publiku ka nevojë për liri, Ata ia shkëmbejnë këtë nevojë me lirinë për të folur por për të mos u dëgjuar. Liria që na japin Ata, është liria që na shfuqizon. Ndërkohë që liria e vërtetë është ajo që i jep fuqi zërit të qytetarit duke buçitur në çdo vesh vendim-marrësish si këmbanë alarmi për përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparencë.

2. Publiku ka nevojë për demokraci, por Ata ia shkëmbejnë këtë nevojë me pushtete të zhbalancuara dhe me dekurajim të publikut për pjesëmarrje në to, si manifestim ky i lirisë shfuqizuese.

3. Publiku ka nevojë për Autoritet, ‘Ata’ i japin në shkëmbim Fuqinë.
Autoriteti në kushte normale lirie dhe demokracie, vjen nga dinjiteti, respekti, aftësia, drejtësia, qëllim-mbarësia dhe humaniteti kur i bën gjërat.
Fuqia e vetme në kushte normale lirie dhe demokracie është Fuqia e Qytetarit dhe e Ligjit përballë të cilit të gjithë qytetarët janë të barabartë. Por, në mungesë të lirisë dhe demokracisë ata na japin si Fuqi, përdhunën e Pushteteve të Shtetit dhe Parasë.
Pushtetet e Shtetit keqpërdoren për Plaçkitje, Zhvatje e Pasurim, e po ashtu Pasurimi nga Plaçkëbërja dhe Zhvatja përdoren për të siguruar padrejtësisht Pushtetet e Shtetit.
E publiku nuk respekton më të talentuarin, por batakciun e suksesshëm.
Publiku nuk respekton e as vlerëson më karakterin, integritetin, vlerat e parimet, por makutërinë, zhdërvjelltësinë për plaçkëbërje, marifetet dhe poshtërsinë që të japin para, fuqi dhe sukses në ditët e sotme.
Publiku mësohet të mos e nderojë më të ndershmin e të virtytshmin, por të lëvdojë dhe admirojë fuqinë e hajdutit, mashtruesit, atij që i bën gjithë të ligat por që ia del të bëjë plaçkë, të pasurohet shpejt, të bëjë apo blejë akses në “elitat e reja”, pra të konsiderohet si i shkathët, i zoti dhe i suksesshem.

4. Publiku kërkon ndërrim fytyrash, ndryshim elitash, ‘Ata’ e pêrmbushin këtë nevojë të publikut me ‘klone’.

Ata krijojnë ‘djem e vajza të reja’ që për hir të suksesit, famës, e fuqisë, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.
E publiku mësohet të nderojë më shumë një ‘deputet’ a ‘ministër’ a “figurë partie” që gjithë meritën që ka është se e kanë bërë Deputet, Ministër apo Figurë Partie për shkak të cilësive të tilla si: ‘bindshmeria’, ‘deklarataleximi’, ‘skuthëria’, ‘çdinjitetëzimi’, ‘dehumanizimi’, mashtrimi, vjedhja, plaçkëbërja, etj, etj…

Publiku nuk e njeh më partnerin e tij, mikun e tij, guximtarin dhe luftëtarin për të mirën publike, mendimtarin kritik, njeriun me vlera dhe integritet. Publiku e shpërfill, e përbuz, e nënçmon atë që është i ndershëm por i dobët e i pafuqi, ngase i ndershmi e ka të vështirë të ndërtojë fuqi apo autoritet në këtë shoqëri ku triumfon ‘Batakçiu që i bën të gjitha’.

Këtu vlen më shumë kaqoli e ‘idioti’ të cilin ‘Ata’ e bëjnë deputet, ministër, e figurë partie. Ndërsa të talentuarit e të ndershmit i mbyllet çdo rrugë e mundësi e pengohet me gjithçka e në gjithçka.

Këtu flitet mirë për ‘Të Fortët’ që na vjedhin e sundojnë. Por njëkohësisht flitet shumë keq plot zemëratë të pakuptueshme për të ndershmit e të talentuarit që guxojnë të kenë ambicje e veprojnë publikisht për të mirën publike.

Këtu, vlen më shumë një ‘zero’ që ‘Ata’ e bëjnë ‘personazh publik’ e që shëtitet si klloun nëpër ekrane, gazeta e revista, sesa një i vetëbërë që ka shumë për të thënë e për të bërë e që vlen vërtetësisht.

Këtu nuk vlen dija, por sinjali i Partisë se kush do të jetë Kaqoli i rradhës që do të ngjitet si yll.

Nuk vlen fuqia e karakterit, integriteti e vetëbërja, por shërbëtorizmi dhe bindshmëria ndaj vijës së Partisë.

Nuk vlen talenti por skuthëria dhe gatishmëria për të bërë gjithçka.

Nuk vlen përvoja, por mashtrimi.

Ketu, Ata por edhe publiku, pëlqejnë fotogaleritë prej fashionistësh me veshje e pushime luksi, me gala e harbime showbizi si edhe të vilave të hajdutëve dhe plaçkëbërësve që administrojnë para dhe pushtete publike.

Nuk pëlqehen ‘sandalet’ e të ndershmëve dhe të talentuarve të vetëbërë.

Këtu, hapësira publike është e tejmbushur me ‘klone’, kaqola, idiotë, batakçinj, intelektualë dhe analistë partie, lustraxhinj, mediokër, mashtrues, hajdutë, skutha, të cilët i bëjnë lavde e qoka Kryetarëve dhe partive e patjetër edhe njëri-tjetrit, dhe e shtijne Publikun në zili për suksesin e “Këtyre” që janë kaq të suksesshëm e kaq të arrirë në jetën e tyre, ani pse këta janë plaçkëbërës të pacipë, hajdutë, mashtrues dhe kotësinarë.

Këta janë në Pushtet, në Opozitë, në Media, në Art, këta janë ‘elitat e reja’, pasunarët e rinj, plaçkëbërës me paratë dhe pushtetet e publikut, hajdutë e mashtruesa, bashkë me kllounët e tyre që i argëtojnë si analistë të ngrefosur të cilët ndihen si kategori sipërore ngase mund të hyjnë në Oborre nga Porta Kryesore edhe pse janë rrogëtarë e shërbëtorë të rëndomtë.

E Publiku humbet busullën. Publiku, nuk e arrin dot kuptueshmërinë e së drejtës dhe të vërtetës.

Kështu publiku stepet, struket dhe humbet rolin e tij e mundësinë e tij njëkohësisht.

Ne e kemi detyrim ndaj duhet ta themi të vërtetën.

Duhet ta themi pa droje sepse e vërteta na çliron të gjithëve.

Përndryshe shpresa se gjërat mund të ndryshojnë nuk do të lindë kurrë.

TË NGJASHME