Nisma 1 miliard euro, një projekt i Edi Ramës për pastrim parash

Qeveria shqiptare është në prag të kolapsit për shkak se ka çuar borxhin nga 63 për qind sa ishte në vitin 2013, në kufijtë e 80 për qindëshit. Ky...

Qeveria shqiptare është në prag të kolapsit për shkak se ka çuar borxhin nga 63 për qind sa ishte në vitin 2013, në kufijtë e 80 për qindëshit. Ky është vlerësimi i njohësit të ekonomisë, Dritan Shano.

I cili, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, thotë se çdo shqiptar, sot u ka 3000 euro borxh bankave shqiptare dhe atyre të huaja.

Ndërsa, duke komentuar planin e qeverisë ndaj biznesin, ai vlerëson se te sipërmarrësit e brendshëm dhe të huaj, është injektuar një klimë mosbesimi për të investuar.

Për shkak të represionit që qeveria ka ushtruar ndaj biznesit. Iniciativën prej 1 miliard euro, eksperti e sheh një projekt puro të qeverisë për të pastruar para.

Nga ku do të përfitojnë sipas tij, një grusht njerëzish pranë qeverisë. Dhe miliona të xhepave të qytetarëve të përdorura për palma, beton dhe koncesione,

Për debatin e largimit ose jo të FMN-së, Shano thotë se nuk ka asgjë të keqe që ky organizëm të largohet dhe të rikthehet në Modalitetin e Survejimit, siç e ka me plot vende të tjera anëtare.

Mazhoranca ka miratuar buxhetin për vitin 2018. Si ju duket shpërndarja e parave?

Shpërndarja e parave reflekton kompozimin e ri të qeverisë dhe koncentrohet haptas tek dy ministrat më të besuar të kryeministrit.

Me thënë të drejtën shoh pozitivisht vetëm kthimin e vëmendjes në kompletimin e veprave të infrastrukturës.

Të lëna zvarrë në 4 vitet e shkuara, edhe pse e di që propaganda mbi ‘to do e tejkalojë dobinë që kanë për t’i sjellë ekonomisë kur dhe nëse përfundojnë.

Për mua më e rëndësishme sesa shpërndarja e parave mbetet sesi do të harxhohen ato. Me sa efektivitet, me çfarë transparencë, si do shpërndahen gjatë vitit, dhe në fund a do arrijnë të kryhen.

Investimet publike në 4 vjetet që shkuan kanë çaluar ndjeshëm. Nuk arrij dot të shquaj në këtë qeveri kapacitete apo vullnete që të më japin besim se do ndodhë ndryshe.

Keni shprehur rezerva për iniciativën një miliard euro ku parashikohen investime të mëdha në infrastrukturë. 

 Çfarë është ajo që paralajmëroni ju dhe pse e quani risk të madh programin 1 miliard euro për Shqipërinë?

Programi 1 miliard euro është borxh i mirëfilltë, pavarësisht se çfarë emri ka dëshirë t’i vendosë qeveria PPP apo Koncesione. Fraza se ky borxh do fillojë të paguhet me vonë, nuk krijon asnjë siguri, dhe tingëllon tallëse. Kjo është qeveria që kur hyri sefte në zyrë shpiku konceptin se do marrim borxh për të ulur borxhin. Faktet tregojnë të kundërtën.

Borxhi nga 63 për qind i PBB në vitin 2013 është sot në kufijtë e 80 për qindëshit të PBB duke marrë parasysh garancitë e fshehura të koncesioneve dhe PPP-ve, detyrimet e prapambetura etj.

Çdo shqiptar sot u ka 3000 euro borxh bankave shqiptare dhe atyre të huaja. Është një borxh që është marrë pa vullnetin dhe dëshirën e tij, dhe i përdorur sipas idesë së të bërit shtet të qeveritarëve.

Postoblloku i Lungomarës është një shembull sesi shpenzohen këto para. Një borxh i ri prej 1 miliardi euro do e çonte nivelin e borxhit publik pranë 90 për qind të PBB-së.

Pse është kjo e rrezikshme? Sepse nuk do arrijmë ta shlyejmë dot. Sepse nuk do arrijmë të kryejmë investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë.

Shpenzimet e detyrueshme në buxhet janë mbi 85 për qind e buxhetit, pra pensione, rroga, sigurime, interesa etj.

Është rrënues, sepse ekonomia shqiptare nuk arrin të prodhojë mjaftueshëm të ardhura për buxhetin që të arrijë të përballojë të tilla nivele të borxhit.

Sepse, politikat e qeverisë nuk e kanë nxitur zhvillimin e ekonomisë, përkundrazi e kanë rrudhur atë. Sepse represioni i qeverisë ndaj biznesit ka prishur besimin e sipërmarrjes së brendshme dhe të huaj.

Jo më kot investimet e huaja janë më të ulëtat në Ballkan. Jo më kot rinovimi teknologjik i ekonomisë shqiptare nuk ndodh. Sepse shqiptarët po largohen nga vendi, po e braktisin atë. Kjo është një ngjarje ekonomike me gravitet të madh për të tashmen dhe të ardhmen.

E njëjtë me këtë është ulja e fertilitetit dhe numrit të lindjeve, çka do të thotë jo vetëm një Shqipëri e tretur e holluar, por dhe një ekonomi e tretur dhe e holluar, të cilës po i shket toka nën këmbë.

Nuk ka asnjë sinjal që këto prirje të ndryshojnë sidomos kur sheh se Llotaria Amerikane mbushet nga gjithnjë e më shumë shqiptarë.

Po t’i heqësh efektin e investimeve madhore si TAP dhe Kaskada e Devollit në normën e rritjes së PBB të viteve 2015 dhe 2016. Ka të ngjarë që ekonomia shqiptare të ketë kaluar në recesion gjatë këtyre viteve.

Përveç këtyre arsyetimeve të lidhura me performancën e pritshme të ekonomisë dhe mungesën e kapaciteteve të qeverisë për menaxhuar koncesionet dhe PPP.

Sikundër e ka paralajmëruar dhe FMN disa herë, e shoh projektin prej 1 miliard euro si një projekt pastrimi parash. Ku do përfshihen dhe do përfitojnë një numër i kufizuar njerëzish pranë qeverisë.

Bankave të nivelit të dytë do t’i duhet një sforco e madhe morale që të bëhen pjesë, pa kushte dhe indikatorë suksesi për financimet e projekteve.

Që ka ndërmend qeveria të shpërndajë si dhurata pa asnjë lloj transparence, edhe pse betohet për të kundërtën. Së fundmi, mendoj se gropa e borxhit është thelluar shumë.

Dhe është strategji e gabuar të kërkosh të dalësh nga gropa duke gërmuar poshtë këmbëve të tua.

Qeveria ka futur TVSH-në te bizneset e vogla. Me masat e ndërmarra ndaj biznesit a është përmirësuar performanca e grumbullimit të të ardhurave, pasi opozita nga ana e saj mbledhjen e taksave për biznesin e vogël e ka quajtur një dështim?

Nuk mendoj se kjo qeveri ka përmirësuar rritjen e të ardhurave. Ajo vetëm ka rritur taksat, çdo vit që kur ka marrë pushtetin.

Në dy vitet e para këtë punë e bënte qeveria ndërsa në dy vitet e tjera e bënte këtë përmes pushtetit lokal. Mjaft të kujtojmë rritjet e taksave në Tiranë.

Rritje nga të cilat biznesi nuk e ka marrë veten akoma. Disa qindra miliona euro kanë lënë xhepat e qytetarëve dhe janë futur në arkën e Qeverisë. Për t’u bërë më pas palma, beton dhe koncesione për një grup shumë të ngushtë klientelistë.

Edhe këtë vit ajo parashikon t’i marrë shqiptarëve nga xhepat rreth 25 milionë euro të tjera. Metodat që ajo përdor, janë të Luftës së Dytë Botërore.

Kontrolli dhe dhuna tatimore e vazhdueshme quhen aksion për formalitetin. Dhuna është efektive aq sa ajo zgjat, dhe pastaj mënjëherë prodhon efektin e kundërt.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë politikë bashkëpunimi me biznesin. Apo një tjetër politikë që do e nxiste biznesin të formalizohej me dëshirë, pa dhunë, gradualisht.

Këto do të ishin qasje të qëndrueshme, që do të garantonin formalizimin gradual të një ekonomie që sot është rreth 40 për qind informale.

Kjo politikë do të garantonte arritjen e zgjerimit të bazës së tatimpaguesve dhe bindjen fiskale. Dy fusha ku kjo qeveri jo vetëm vazhdon të dështojë, por duket dhe se nuk ka ndonjë interes politik të angazhohet.

Ka një debat për largimin ose jo të misionit të FMN-së. Në kushtet ku është ekonomia shqiptare dhe mënyra se si po qeveriset vendi a ka nevojë që të ketë një autoritet që ta kontrollojë apo ka ardhur koha që të largohet?

FMN është nje institucion më i dashur për qeverinë sesa për mua. Ishte Fondi që i dha kësaj qeveria 300 milionë euro kredi si kurrë ndonjë qeverie tjetër shqiptare më parë.

E bëri këte me një shpejtësi të habitshme dhe duke u bazuar formalisht në listimin e disa masave. Dhe aksioneve mjaft të dobëta për t’u quajtur reforma të rëndësishme.

Shqipëria e ka fituar të drejtën ta ndërpresë marrëdhënien me Fondin Monetar që në vitin 2005.

Që atëherë intensiteti i marrëdhënieve me FMN-në (pra lloji i marrëveshjeve) ka qenë në zgjedhjen e qeverive të radhës. Mendoj se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të shohë një rol dhe vëmendje me në rritje të DG ECFIN,  përkundrejt reformave dhe performancës makrofiskale të Shqipërisë.

Nuk ka asgjë të keqe që FMN-ja të largohet dhe të rikthehet në Modalitetin e Survejimit. Siç e ka më plot vende të tjera anë- tare. Qeverinë nuk e kontrollon FMN.

Qeverinë e kontrollojnë shqiptarët. Ata dhe e dëbojnë!

Marë nga gazeta Shekulli

TË NGJASHME