Nga buroi e Djathta dhe e Majta?

Në vijim të rubrikës tonë Mendimi Konservator po sjellim një përmbledhje të shkurtër të librit Debati i Madh i Yuval Levin, botuar në The Spectator nga Jesse Norman. Shkrimin...
Edmund Burke (majtas) dhe Thomas Paine karikaturuar nga Gillray dhe Cruickshank
Në vijim të rubrikës tonë Mendimi Konservator po sjellim një përmbledhje të shkurtër të librit Debati i Madh i Yuval Levin, botuar në The Spectator nga Jesse Norman.

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu

Lufta me pamflete midis “konservatorit” Edmund Burke dhe “radikalit” Thomas Paine vazhdon të jetë midis nesh në mënyra të papritura, tregon Yuval Levin në Debatin e Madh.

Cila është origjina e  të majtës dhe të djathtës në politikë? Përgjigja tradicionale është se këto ide burojnë nga Kuvendi Kombëtar Francez pas vitit 1789, ku mbështetësit e Mbretit u ulën nga një anë e kuvendit dhe mbështetësit e revolucionit nga ana tjetër. Yuval Levin në Debati i Madh argumenton jo mënyrën e uljes në kuvend por idenë: që e majta dhe e djathta hynë në rrjedhën e politikës Anglo-Amerikane nëpërmjet përballjes publike në vitet 1790 midis Edmund Burke dhe Thomas Paine, aktorët kryesore të një lufte pamfletesh e cila drithëroi dhe mbërtheu lexuesit në të dy kontinentet.

Nëse kjo është e saktë, atëherë gur themeli i debatit politik modern në Britani dhe Amerikë nuk është kapitalizmi kundër socializmit, apo fundamentalizmi fetar kundër laicizmit kozmopolit, por një mosmarrëveshje shumë më e hershme dhe më e thellë se vetë natyra e rendit politik modern.

Në fund të vitit 1790 Burke publikoi Reflektime mbi Revolucionin në Francë. Revolucioni ishte festuar nga të parët midis intelektualëve, radikalëve dhe bien-pensants (mendimtarë tradicionalë) në Britani, ndaj shumë njerëz natyrshëm supozuan se Burke, reformatori i madh, do ti bashkohej të preferuarit të tij, udhëheqësit të Whig-ve Charles James Fox për ta brohoritur revolucionin. Erdhi si shok i thellë për ata të lexonin Reflektimet – një deklaratë e fortë filozofie politike dhe një kritikë shkatërruese për revolucionin në vetvete.

I shokuari më i madh ishte Thomas Paine, i cili bëri emër si autor i traktit revolucionar Common Sense (Mendimi Praktik) në 1776. Tashmë ai kuptoi se kundër librit të Burke nevojitej një përgjigje publike e shpejtë dhe po aq therëse. Rezultati ishte The Rights of Man (Të Drejtat e Njeriut). Kjo e ndjekur nga një duzinë pamfletesh, ndërkohë që opinioni ishte ndarë në mes për këtë çështje, dhe revolucioni në Francë degradoi – siç e kishte parashikuar Burke – në anarki, terror dhe luftë.

Levin, redaktor i revistës National Affairs, i përshkruar si “Mishërues i trurit Republikan në një njeri të vetëm” e vendos kontekstin si duhet. Në një anë kemi Burke, “filozofi në veprim”. Një burrë që kombinon nxënien e thellë dhe reflektimin me zotërimin e fakteve, është gjithmonë i ndërgjegjshëm për limitet e arsyetimit human individual dhe e shikon shoqërinë si një trashëgimi fatlume pa çmim, të cilën çdo gjeneratë duhet ta ruajë dhe ta përmirësojë për brezat e ardhshëm. Në anën tjetër kemi Paine, urrejtja e të cilit për autoritetin në çdo formë është aq e madhe sa zgjatohet deri në mirënjohjen për mendimtarët e mëparshëm (“Unë rrallë citoj; arsyeja është, se gjithmonë mendoj”). Paine është një burrë që e hedh poshtë traditën e zakonin dhe kërkon të ri-themelojë qeverinë dhe vetë shoqërinë sipas arsyetimit abstrakt.

Është për tu lavdëruar fakti se Levin tregohet i paanshëm – madje ndoshta më tepër sa duhet. Burke ishte shpesh tejet i fryrë dhe i vetëkënaqur, por pa dyshim ai ishte një burrë me integritet e dinjitet personal të jashtëzakonshëm. Paine, në kontrast, rrallë e ruante admirimin e mbështetësve të tij. Ai ishte një qylaxhi i paturpshëm, që u shpëtua nga burgu në Francë nga James Monroe (presidenti i ardhshëm) dhe më pas jetoi dy vite në shtëpinë e Monroe i paftuar. Pasi u mundua fillimisht të afrohej me Burke, kur nuk mundi filloi një fushatë të paskrupullt denoncimi (false) si marrës i një pensioni mbretëror “të maskuar” apo sekret.

Ndryshimet janë më të thella se kaq. Burke është vërtet një mendimtar kompleks. Ai operon në shumë nivele, në disa fronte; ka një kuptim shumë të hollë se si faktet kushtëzojnë teorizimin; dhe nevojitet shumë kohë dhe angazhim që vërtet të merresh me të. Paine nuk është aspak kompleks; në fakt ai e hedh poshtë kompleksen. Për atë më e rëndësishmja është ushtrimi i pakalueshëm i arsyetimit individual abstrakt në moment. Thjeshtësia e tij është një burim thelbësor i fuqisë së tij retorike. E megjithatë efekti i kësaj është të hedh poshtë të vërtetat e thella në favor të falsiteteve të drejtpërdrejta, dhe ta çojë atë drejt kontradiktave.

Kështu pra, a janë këta të dy hartuesit e parë të së majtës apo të djathtës? Deri në një nivel, qartësisht po: siç kam argumentuar vetë, Burke është konservatori i parë dhe Paine është një radikal kanonik. Por ajo që është më therëse sot  është shkalla e makijazhit në politikën e sotme, ku sloganet fitojnë mbi mendimin në mes të një gare të pafund për të gjetur legjitimitet dhe autenticitet të vërtetë. Në të vërtetë ironia është se, ndërkohë që qeveria ka vazhduar të rritet, po kështu është rritur edhe numri i të vetë-shpallurve Burkeanë të së majtës të cilët kërkojnë të ruajnë status quo-në, ndërkohë që Painanët e të djathtës duan t’ja rinisin nga fillimi.

Qartësisht, ky është një lexim i keq i Bruke dhe Paine; dhe kjo të bën të ndihesh i dëshpëruar për të ardhmen e Burkeanëve, veçanërisht në politikën Amerikane.

Marrë nga www.spectator.co.uk

Librin e Yuval Levin Debati i Madh mund ta gjeni në Amazon

Kategori
Mendimi Konservator

TË NGJASHME