Në vend të urimit për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave! nga Artan Fuga

Akademikë, shpëtojeni urgjent Akademinë nga kalbëzimi! Shoqëria nuk mund të alokojë fonde për një shërbim që nuk e merr! Rregjimi i privilegjeve ka mbaruar që më 4 gusht 1789!

Pasi u zgjodh në një kontekst krejt jo dinjitoz, me akademikë që refuzuan të kandidojnë brenda atij kuadri, i uroj kryesisë të ri-ri zgjedhur, të japi dorëheqjen dhe të mos e tërheqi edhe institucionin në humnerën e kokëfortësisë !

Këto zgjedhje nëse nuk shpallen « non-lieu », sot apo nesër, janë këmbana e fundit për Akademinë e Shkencave !

Asgjë nuk e ndaloi që sot ne 4 shtator 2017 në Akademinë e Shkencave të ndaloheshin zgjedhjet që nuk janë zgjidhje !

Zgjedhje thjesht rrotative, ku kryesia rizgjidhet si e njejta kryesi, si një rikthim i përjetshëm rrotavi rreth së njejtës gjë, ndërkohë kur i gjithë opinioni i vendit e tregon me gisht Akademinë si një institucion që ka degraduar !

Zgjedhjet sot e kundërvunë Akademinë e Shkencave me arrogancë kundër opinionit publik të vendit !

Pa një platformë të debatuar thellë dhe gjerësisht, pa kandidatë alternativë, pa pastërtinë e figurës të akademikëve, pa konceptuar një reformë tërësore, nuk mund të ketë zgjedhje sepse nuk mund të rizgjidhet një kryesi, e cila është përgjegjësja e vetme dhe e plotë, prej një dekade e stagnacionit dhe e kalbëzimit të pandërprerë të atij institucioni. Që për më tepër ka penguar reformimin e brendshëm të Akademisë, ka censuruar mendimin alternativ brenda saj, ka penguar modernizimin e institucionit.

Nuk është debat për persona ! Eshtë fjala për institucionin si e mirë publike ! Por, gjithsekushi të mbajë përgjegjësitë e veta dhe një ditë kur detyrat i tejkalojnë mundësitë, të thotë : Ecni !

Dorëheqja ose ngrirja nga të gjitha funksionet e kryesisë është i vetmi hapi që do të clirojë Akademinë e Shkencave nga modeli i vjetër, i pareformuar, në lëngimin e fundit të një institucioni që duhet dhe mund të ishte splendid dhe në krye të mënçurisë kolektive të shqiptarëve !

Me këtë kryesi, zëri i lirë i akademikëve nuk mund të shprehet !

Kryesia e zgjedhur sot, në kushtet e ngjarjeve që rrokullueseshin me shpejtësi këtë mëngjes, ka tani vetëm një rrugë të arsyeshme.

Pasi u zgjodh, të japi dorëheqjen ose të ngrijë nga të gjitha funksionet derisa Asambleja e Akademisë të ketë ngritur një komision reformimi me kompetenca të plota, dhe ndërmarrë e përgatitur pa vonesë strategjinë rinovuese dhe të shpalli pastaj zgjedhjet e reja !

Unë do ta vazhdoj angazhimin tim deri në fund në këtë linjë ! Pa u ndalur nga asgjë !

Cili është fundi ?

Ose kthim i Akademisë të Shkencave në pozicionin që I kërkohet nga komuniteti shkencor, nga shoqëria dhe nga interesat kombëtare, ose dryni te porta e saj!

Derisa të reformohet nga një komision i përzgjedhur prej Akademikëve, Akademia mund të drejtohet administrativisht thjesht nga Sekretari i saj !

Eshtë koha për një model rrënjësisht të reformuar, modern, të institucioni që duhet të ishte në pararojë të ndërtimit të strategjive të kërkimit shkencor në vend!

Kategori
Opinion

TË NGJASHME