A mund të kemi një sjellje të PS dhe PD ndryshe nga kjo e sotmja?

Është e pamundur të mos e çosh mendjen te natyra e njeriut teksa sheh kryeministrin që me orë e orë të tëra grindet, vetëlavdërohet, kritikon, shan të tjerët, tall...

Është e pamundur të mos e çosh mendjen te natyra e njeriut teksa sheh kryeministrin që me orë e orë të tëra grindet, vetëlavdërohet, kritikon, shan të tjerët, tall gazetarët, përçmon opozitën, shmang debatin duke bërë çfarëdolloj gjesti apolitik që të mundet, ndërkohë që qeverisja e tij është e mbuluar plotësisht nga re të errëta dyshimesh për mbjelljen masive të hashashit dhe ekonomia është në vështirësi të mëdha, ka papunësi dhe varfëri që rritet, ka rënie të konsumit, biznesi po zhytet në vështirësi në një klimë të keqe taksash që janë të larta etj.

Është po ashtu e pamundur t’i ikësh kësaj pyetjeje kur sheh që ministrat, njerëz të medias, opinionistë përpiqen duke dalë krejtësisht nga ajo që kërkon deontologjia e profesionit të mbrojnë veprimet e qeverisë, të endin narrativë apo argumente që mbrojnë sjelljen dhe gjuhën e kryeministrit. Kjo pyetje është e natyrshme padyshim edhe kur sheh luftën ekstreme brenda opozitës për të qenë deputet, përpjekjet e pamoralshme për një rol me sulme nga më personalet duke vënë në zjarrin e këtyre sulmeve edhe familjarët e të sulmuarve. Mund të shtrohej kjo pyetje edhe kur sheh turravrapin e pandalshëm për famë të mijëra të rinjve të cilët duan të bëhen këngëtarë apo modele, kur sheh pangopjen për pasuri, vrapimin pas epshit të shumë njerëzve në botën e biznesit, politikës, muzikës etj., ankthin e pashtershëm për të dalë nga anonimati apo mposhtur vdekjen.

Për të mbetur te politika, te qeverisja, te pushtetarët duhet thënë se derisa në qendër të botës ata kanë veten, për ta uji, balta, skamja, papunësia, sëmundja, pamundësia për paguar ilaçet, dhuna e policisë e tatimorëve etj., nuk ekzistojnë. Pyetjet mbi njeriun janë aty, janë të ankthshme, edhe kur sheh që dikush vret për t’u bërë i pasur, vret nga pija, vret gruan apo fëmijët, jeton mes epsheve, trafikon drogë dhe femra, vjedh shkrime dhe paturpësisht i boton si të tijat madje edhe mundohet të justifikojë, blen doktoraturë , diplomë, post etj.

Ky nuk është një perceptim, kjo është ajo që shihet dhe jetohet përditë në këtë vend. Mendimtarë të shumtë, tekste filozofike, teologjike etj., kanë folur gjatë mbi natyrën e njeriut. Nisur nga dhuna e madhe, luftërat, mizoritë, kampet e përqendrimit, perversionet, vrapimi pas epsheve shumëkush mund të priret të mendojë se njeriu është në fakt një egërsisë. Në kohët moderne këtë pikëpamje e mbrojtën mendimtarë të shquar si Freud, Nitzsche etj. Ndërkohë që ata që janë quajtur humanistë e besojnë njeriun të mirë, e ngrenë atë në gjendjen engjëllore. Mendimi më zotërues veçanërisht në besimet fetare (sidomos atë islam) është se njeriu qëndron në mes, se gjendet mes djallëzores dhe engjëllores dhe se ka potencialin të shndërrohet në njërën nga të dyja.

Pikërisht kjo gjë e bën njeriun të jetë një nga krijesat më të veçanta. Ndryshe nga engjëjt, bimët, pemët, kafshët etj., njeriu mund të zgjedhë të jetë i mirë ose i keq. Ai mund të jetë i dhembshur në rastin që zgjedh të jetë mizor, ai mund të jetë shkatërrimtar, agresiv i dhunshëm në momentin kur ne presin që ai të jetë i mirë dhe fisnik. Njerëzit mund të përpiqen të nxënë, studiojnë dhe bëjnë punë shumë të mira por ata mund të rrinë kot, të tallin të tjerët, të bëhen idiotë dhe të mos kenë asnjë dëshirë të sillen sikur kanë diçka tjetër veç mishit. Mund të jenë inteligjentë, njerëz që mendojnë, arsyetojnë ose mund të jenë kokëbosh nga ata që janë lëndë e parë e asaj që Hanah Arendt e quante banaliteti i së keqes (ky lloj njeriu prodhoi monstrat që kryen krimet në komunizëm dhe fashizëm).

Pra, njeriu mund të jetë mëkëmbës i Zotit në tokë i ngarkuar me detyrën e dëshmimit të Tij dhe me mbrojtjen e të drejtës dhe të mirës. Kjo është pika në të cilën njeriu është krijesë e veçantë e Zotit dhe këtij njeriu i janë përulur edhe engjëjt. Fetë e mëdha monoteiste besojnë se ky është njeriu të cilit i ka folur Zoti përmes zbulesës dhe profetëve dhe kjo është krijesa që Ai do dhe mbron. Nga ana tjetër gjendet njeriu lakmitar, i pangishëm, shkatërrues, epshndjekës dhe jo inteligjent që mund të shkatërrojë veten, por mund të dëmtojë deri në shkatërrim edhe krijimin. Misteri i vullnetit të lirë, misteri i pyetjeve madhore si zgjedh dhe çfarë zgjedh njeriu, krijon pandalur një gjendje konstante tensioni, gjendje që e dallon njeriun nga pjesa tjetër e krijimit.

Ka një dinamikë të vazhdueshme e cila është shtrati në të cilin inteligjenca dhe vullneti i lirë e çon njeriun drejt mirësisë, të ndershmes, të drejtës apo drejt vesit, vetëkënaqësisë, vetëlavdërimit, pangopjes etj. Sigurisht njeriu nuk është engjëll por nuk është as djall dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ai është aq i veçantë. James Madison, një nga etërit themelues të SHBA-së dhe një filozof i rrallë i ligjit thotë se në qoftë se njerëzit do të ishin engjëj nuk do të na duheshin as ligje, as rregulla, as institucione nuk do na duhej asgjë.

Në qoftë se njerëzit do të ishin engjëj ata nuk do të ngarkoheshin me detyrën e përdorimit të inteligjencës dhe të vullnetit të lirë për të kërkuar të mirën dhe të vërtetën. Ky është fati i njeriut, një fat që e fut atë në një zinxhir të madh qeniesh. Pra, njeriu nuk është egërsirë por ai ka mundësinë të jetë edhe më i keq se një egërsirë. Një egërsirë nuk ka vullnet të lirë dhe nuk ka as inteligjencë si ajo e njeriut. Një egërsirë udhëhiqet nga nevojat dhe dëshirat fizike. Duke keqpërdorur ose mospërdorur inteligjencën dhe duke rënë te dëshirat dhe nevojat fizike, njeriu mund të bëhet më keq se një kafshë. I takon të zgjedhë. Përderisa vetëm njeriu mund të zgjedhë mes të mirës dhe keqes atëherë vetëm për të ekziston shpërblimi dhe ndëshkimi.

Gjithë thelbi qëndron te përdorimi i drejtë i vullnetit të lirë dhe i inteligjencës. Është e qartë se gjendja e sotme në parlament, politikë, ekonomi, shkolla, spitale dhe kudo mund të jetë shumë më mirë vetëm duke përdorur inteligjencën dhe vullnetin e lirë. Është poshtërim i madh për njeriun kur ai sillet si kafshë dhe jeta që ai bën si i tillë është një tmerr pavarësisht nga çfarë duket./www.mapo.al/

TË NGJASHME