Mike Pompeo miratohet nga Senati për Sekretar të Shtetit

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara miratoi emërimin e Drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, në postin e sekretarit amerikan të Shtetit, duke i hapur...
Foto AFP

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara miratoi emërimin e Drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, në postin e sekretarit amerikan të Shtetit, duke i hapur rrugë konfirmimit të tij në Senat.

Emërimi i Pompeos u miratua me të 11 votat e republikanëve, ndërsa nga dhjetë demokratët e Komitetit, nëntë votuan kundër.

Pompeo morri emërimin nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi ky i fundit shkarkoi sekretarin e deritanishëm të Shtetit, Rex Tillerson.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e mirëpriti votimin në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë dhe tha se Senati tani ka vota të mjaftueshme për të konfirmuar Pompeon, këtë javë, në postin e sekretarit. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Pompeos të ndiqte një samit të NATO-s më 27 prill.

“Shtetet e Bashkuara do të kenë një kryediplomat që gëzon besimin e plotë të presidentit”, tha McConnell.

Pompeo është bërë një nga këshilltarët më të besueshëm të Trumpit gjatë 15 muajve të tij si drejtor i CIA-s.

Së voni, ai ka qenë i përfshirë thellë në përgatitjet e një takimi të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Një nga senatorët Republikanë, Rand Paul, i cili ishte shprehur më herët kundër Pompeo, bëri kthesë dhe deklaroi votën pro tij.

Demokratët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë e kanë kundërshtuar Pompeon, duke e konsideruar si luftarak dhe të ashpër ndaj Islamit, por ai e ka mbështetjen e së paku tre demokratëve në Senatin e plotë dhe asnjë republikan tjetër nuk është shprehur kundër. Kjo do të thotë se ai tashmë e ka të sigurtë konfirmimin për Sekretar të Shtetit.

TË NGJASHME