Mazhoranca fillon sulmin politik kundër Prokurorisë

Mazhoranca ka nisur revanshin politik ndaj prokurorëve të çështjes Tahiri, më konkretisht ndaj Besim Hajdarmatajt, kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Me anë të një statusi në ‘Facebook’,...

Mazhoranca ka nisur revanshin politik ndaj prokurorëve të çështjes Tahiri, më konkretisht ndaj Besim Hajdarmatajt, kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Me anë të një statusi në ‘Facebook’, deputeti i PS, Ulsi Manja, i ka bërë presion Hajdarmatajt kur i kujton se deklarata e lëshuar dje kundër kryeministrit Edi Rama mund të sjellë shkarkimin e tij nga detyra.

Sipas Manjës, deklarata e Ramës ku sulmohej organi i akuzës është normale për sa kohë ajo bëhet në forumet e partisë, por nga ana tjetër, prokurorit i ndalohet t’i përgjigjet akuzave politike të kryeministrit.

Postimi i Tij:

“Më kanë pyetur shumë njerëz a ka të drejtë prokuroria të bëjë deklarata politike si ajo e djeshmja, ja përgjigja ime:
Deklarata politike si ajo e djeshmja në mënyrë kategorike jo, madje as nuk duhet t’i çojnë nëpër mend e jo më t’i bëjnë publike në media sepse e ndalon Neni 9 paragrafi i 3 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në R.SH” ku thuhet qartë dhe pastër, “prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera”, e jo më të sulmojnë Kryeministrin që mban një fjalim politik në një forum të partisë së tij!!!
Besoj kaq e kupton edhe një që nuk është jurist!
Po kur prokurori e bën një deklaratë të tillë politike si ajo e djeshmja ç’farë pasojash ligjore ka?
Kjo konsiderohet si shkelje e betimit të bërë solemnisht “për t’i qëndruar kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe respektimit të rregullave të etikës profesionale në kryerjen e detyrës” , dhe në bazë të Nenit 148/dh të Kushtetutës së Shqipërisë, prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për “shkelje të rënda profesionale ose etike që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës”, respektivisht shkelen Nenet 37, 101/c dhe 102/ë të ligjit “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në R.SH”.
As edhe për të kuptuar këto nuk duhet të jesh jurist i shquar mjafton të hapësh defterët e ligjit dhe i kupton gjithkush.
Kaq besoj mjafton o dashamirës të drejtësisë dhe ligjit për të kuptuar kush e ka shkel ligjin në këtë rast prokurori apo Kryeministri!
Ndoshta i kam rënë pak gjatë po kështu jemi ne juristët!”

 

TË NGJASHME