LSDM fituese në shumë komuna të Maqedonisë

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka shpallur fitoren në një numër komunash të vendit dhe epërsinë e votave në shumë komuna të tjera ku do të ketë balotazh pas...
(AP Photo/Boris Grdanoski)

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka shpallur fitoren në një numër komunash të vendit dhe epërsinë e votave në shumë komuna të tjera ku do të ketë balotazh pas dy javësh.
Krerët e partisë dhe mbështetësit e saj festuan mbrëmë para selisë së qeverisë. Sipas LSDM-së, kandidatët e saj për kryetarë komunash kanë fituar që në raundin e parë në Manastir, Kumanovë, në disa komuna në kuadër të qytetit të Shkupit dhe në disa të tjera në brendi të vendit.
Ndërkaq, pothuajse të gjitha partitë shqiptare kanë deklaruar fitore në zgjedhjet vendore të 15 tetorit, por realisht vetëm Bashkimi Demokratik ka arritur të fitojë Kërçovën, të cilën Fatmir Dehari, si kandidat i vetëm shqiptar që ishte, do ta drejtojë edhe një mandat katërvjeçar; si dhe komunën rurale të Pllasnicës, afër Kërçovës.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i cili garoi për një mandat të dytë në Strugë, ka njoftuar se shkon në balotazh me epërsi votash ndaj rivalit të tij Ramiz Merko të BDI-së.
Në Tetovë do të ketë balotazh midis Teuta Arifit, BDI dhe Kasam Bilallit, Lëvizja “Besa”. Në Gostivar, Nevzat Bejta (BDI) dhe Arben Taravari (ASH), në Çair: Visar Ganiu (BDI) dhe Zeqirja Ibrahimi (Besa).
Në garën për kreun e Shkupit në balotazh pritet të shkojnë Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Koce Trajanovski i VMRO-DPMNE-së, i cili garon për një mandat të dytë. Por, fitoren e njërit ose të tjetrit e përcaktojnë votuesit shqiptarë.
Humbësja më e madhe duket të jetë VMRO-DPMNE, e cila nuk ka arritur të mbajë disa komuna në pjesën lindore të vendit dhe brenda qytetit të Shkupit që vlerësoheshin si “bastione” të saj. Partia ankohet për parregullsi të shuma, incidente, trysni, blerje votash e shantazhe. Nikolla Gruevski, ish-kryeministër dhe kryetar i VMRO-së tha gjatë një paraqitjeje në mesnatë se do t’i ankimojë “para organeve përkatëse dhe gjyqësore rezultatet dhe parregullsitë në më shumë komuna”.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oiver Spasovski u tha gazetarëve se janë regjistruar ndërprerje të shkurtra të procesit të votimit në disa qendra votimi, por kjo ka zgjatur për 15-20 minuta, pastaj ka pasur raste të fotografimit të fletëvotimit nga votuesit, të cilët janë ndaluar nga policia.
Zgjedhjet shihen me interes edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili pret një proces të drejtë dhe demokratik në zgjedhje. Komuniteti ndërkombëtar haptazi ka lënë të kuptohet se pjekuria demokratike, përkatësisht procesi i zgjedhjeve do të diktojë rrugën dhe avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
Procesin e ndoqën 373 vëzhgues nga misioni ODIHR, i OSBE-së, vëzhgues nga disa prej komisioneve qendrore të vendeve fqinje dhe nga ambasadat e huaja në Shkup, si dhe mbi pesë mijë pjesëtarë të organizatave joqeveritare vendase.
Ambasadori amerikan, Jess Baily iu është bashkuar pjesëtarëve të ambasadës në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa u bënte thirrje “të gjithëve që të dalin dhe ta japin votën e tyre”.
Ndërkaq, ajo që prej vitesh ka qenë çështje debati është numri i madh i votuesve të regjistruar. Maqedonia ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues. Nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë që nga viti 2002 kur kishte pak mbi dy milionë banorë, ndërsa emigracioni është një prirje në rritje dhe shumë shtetas vetëm në vitet e fundit kanë kërkuar qëndrim ose ndodhen tashmë në shtetet perëndimore.

TË NGJASHME