Kush i bën qesharakë, bordet e administrimit të universiteteve publike! nga Artan Fuga

Kjo çështje nuk është një histori e vjetër e lidhur me debatet dhe kritikat ndaj ligjit për arësimin e lartë që nuk kam rreshtur prej disa vitesh duke ia...

Kjo çështje nuk është një histori e vjetër e lidhur me debatet dhe kritikat ndaj ligjit për arësimin e lartë që nuk kam rreshtur prej disa vitesh duke ia adresuar. Ai ligj nuk ka nevojë të debatohet sërish. Politikisht, moralisht dhe intelektualisht cdo prind, student dhe pedagog që mendon, e ka arkivuar atë në ndërgjegje si një mish i huaj në botën e dijes që i merr asaj frymën dhe e ka asfiksuar krejt.

U riktheva atje për shkak të një ndodhie aktuale sepse ministrja teknike e arësimit dhe sporteve, zonja Karabina, që nuk është fare përgjegjëse as për atë ligj dhe as për gjendjen e arësimit, në pikë të hallit, në republikën tonë të vjetër, bëri një veprim që nuk ia kuptoj as qëllimin dhe as dobinë publike. Ajo zëvendësoi me urdhër të saj disa antarë bordesh në borde të universiteteve publike, pikërisht ata që vijnë sipas ligjit atje si përfaqësues të ministrisë.

Eshtë një ndodhi që tregon për këtë pikë jo vetëm natyrën paradoksale dhe hipokrite të ligjit për arësim të lartë, por edhe anën e tij qesharake, përpos që në kësish rastesh edhe më i humburi individ human e kupton se në çfarë konteksti ligjor vepron dija universitare e masakruar në republikën tonë të vjetër.

Hajde një ministre vendos ca anëtarë bordesh, ikën ajo vjen një tjetër, heq ata të një ministreshe të mëparshme dhe vendos të tjerë, ikën kjo, vjen një tjetër vendos ca të tjerë.

Të tjerë vendos një ministre socialiste, të tjerë një ministre demokrate, të tjerë supozohet se do të bënte një ministre e idesë çame, të tjerë një e idesë minoritare greke, të tjerë një e idesë agrare, e kështu me radhë.

E vërteta, ka thënë një burrë me mjekër, duhet të presi edhe gjatë, deri sa jeta ta nxjerri në pah. Lum si ai që ka kohë ta presi jetën dhe nuk hidhërohet!

U desh paradoksi i ministrave teknikë në qeveri, që të kuptohet se gjithçka që predikon preambula dhe propaganduesit që e kujtojnë dijen si domate fshati, për mospolitizimin e bordeve administrative është një hipokrizi, se autonomia universitare është një hipokrizi, se qendrueshmëria e bordeve është një hipokrizi. Autonomia e universiteteve publike që një birbo që e heq veten si specialist arësimi i lartë i quan “universitete shtetërore”,është një lojë fjalësh, ka marrë ujë, i kanë futur thikën.

Hiq e vër anëtarë bordesh sa herë ndryshohen ministrat!! Ja kjo i bën qesharake bordet e administrimit të universiteteve publike. Tekat po i shkatërrojnë dita ditës universitetet publike dhe dijen universitare.

Drejtuesit e arësimit të lartë e kanë çuar zullumin deri aty ku nuk mban më, të nxitur, nën presionin dhe të joshur nga lobi regresive kontrabandiste, që si te publiku ashtu edhe te privati ka jo pak. Ka agjenci publike të mira sikurse ka privatë të mirë. Por, ka edhe midis të dyve që janë sabotatorë të dijes kombëtare.

Unë uroj që kryetari i qeverisë së re ta nuhasi se çfarë ka ndodhur dhe ta presi këtë nyje gordiane të sabotatorëve për qëllime fitimi të arësimit të lartë publik dhe privat kombëtar.

Kjo nuk ma ul aspak respektin që kam për kolegët e mi kudo në borde dhe në senate. Sepse pjesa dërmuese e tyre me përjashtime shumë të pakta nuk kanë asnjë faj për këtë situatë. Madje edhe kolegët që reaguan ndaj zëvendësimeve të anëtarëve të bordeve bërë nga zonja Karabina nuk kanë faj që reaguan.

Por, këta të fundit nuk i shkuan problemit deri në fund. Ata me të drejtë i quajtën këto zëvendësime si të politizuara, por nuk i shkuan deri në fund problemit. Politizimin nuk e solli zonja Karabina, ajo çoi deri në fund politizimin që frymëzon ligji për arësim të lartë që i jep kompetenca ministrit për arësim që të emërojë e çemërojë anëtarë bordesh të universiteteve publike!

Politizimi është thelbi i kuadrit juridik të arësimit të lartë shqiptar. Nga kjo nuk do të vuajnë vetëm universitetet publike që do të degjenerojnë dita ditës prej peshës së kontrollit vertikal, por edhe ato private që do të ndjejnë gjithnjë e më shumë thembrën e politikës në administrimin e përditshëm të tyre.

Jetës i duhet të presi pak.

Veç dëshmisë për një autonomi qesharake dhe hipokrite, ngjarja e fundit, përveç se preku ca interesa të vockla, tregoi edhe deriku kanë abuzuar disa me besimin që u kishte dhënë qeveria.

Shihni emrat që janë hequr dhe që kanë qenë anëtarë bordesh administrimi. Punonjës të ministrisë të arësimit ose të bashkisë, të rrethit të afërt politik. Kjo është autonomia universitare pra që në bordin e administrimit të jetë përshembull edhe shefja e kabinetit të ministres së arësimit?

Ajo është për mua një zonjë e nderuar, madje edhe financiere me emër, po me konflikt interesi, ose shefe kabineti, ose anëtare bordi, të dyja jo, sepse nuk ka vend për hipokrizinë e autonomisë universitare pastaj. Kështu edhe me të tjerë.

Shihni emrat dhe gjykoni.

Unë nuk do të isha kundër bordeve të administrimit të universiteteve publike. Qendrimin tim e kam shprehur prej vitesh për një ndarje midis pedagogjisë dhe administrimit në universitete. Por, nuk është vendi këtu t’i risjell ato.

Po kush ka të drejtë të jetë anëtar bordi administrimi në një universitet publik?

Nuk mund të vish atje pa asnjë legjitimitet, si shpërblim partie, si qokë personale e ministreshës apo sepse je besnik i partisë, apo je delirant që hiqesh se i njeh ceshtjet e financimeve publike universitare.

Duhet të kesh një legjitimitet, pra të përfaqësosh diçka. Do të ishte e mirëpritur që aktorë privatë, persona të veçantë financues të mëdhenj, fondacione që kontribuojnë me financime për universitetet publike ose aksionerë në to ( jam për t’i hapur aksionet universiteteve publike dhe private) të kenë përfaqësuesit e tyre në bordet e administrimit.

Por që në këta borde të jenë persona që jo vetëm nuk japin gjë nga xhepi i tyre, por vijnë atje me lugë në brez, si në dasëm, pa asnjë legjitimitet moral, funksional, madje edhe pa kompetenca dijesh në fushën e administrimit të industrisë publike të krijimit të dijes, kjo është qesharake.

Cdo gjë e mbrapshtë, në fund mbaron si komedi.

Si mund të jesh anëtar i një bordi administrimi pa kulturën minimale dhe formimin minimal si administrator i së mirës publike në fushën e dijes dhe të shkencës!!!

Dikur dilnin ca propagandistë sahanlëpirës nga ata të “tepsisë” që thoshin se meqë shteti jep buxhete për universitetet publike atëhere ministri i arësimit paska të drejtë të vendosi me dorën dhe tekat e tij anëtarë bordesh në universitetet publike!

E para, paraja e buxhetit administrohet edhe nga agjenci qeveritare edhe nga agjenci publike në një demokraci legjitime.

E dyta, meqë mendokan kështu, caktoni edhe një komisar nga shteti për të parë si harxhohet buxheti në presidencë, në radiotelevizionin publik, në autoritetin e mediave audiovizive, në bashki, e kudo. Kjo do ta bënte të gjithë sistemin të komanduar nga komisarë politikë si ata që nuk kanë munguar të shfaqen në bordet administrative të universiteteve publike.

E treta, sigurisht shteti do të kontrollojë sesi i përdorin fondet edhe universitetet publike, sikurse opera, teatri, estrada, gjykatat, presidenca, etj., por për këtë ka institucione, kontrolle, mund të aplikohen konkurim me projekte, etj.

Kush nuk kupton dalliin midis vullnetit të përgjithshëm shtetëror dhe vullnetit individual të një personi fizik të emëruar në një bord pa asnjë legjitimitet dhe kompetencë në këtë fushë, ai vihet në pozitë qesharake.

Sepse marrim vesh, si qershia mbi tortë, dhe qeshim, uroj të jenë thashetheme, që diku një bord administrimi universitar na paska vendosur të shpërblejë veten me honorare mujore të nxjerra nga paratë e universitetit publik që duhet të shkojnë për biblioteka, libra, infrastrukturë, etj.

Nuk paskan menduar për rrogat mizerabël të pedagogëve dhe punonjësve, por për xhepin e tyre.

Në qoftë e vërtetë, unë këtë e konsideroj si kulmin e amoralitetit administrativ.

A nuk mund të njoftoheshin trupat universitare për këtë vendim? Apo nuk bëhen transparente këto lloj vendimesh sepse ngjallin energji populiste midis profesoratit!!!

A nuk mund të bëhej fillimisht një promemorje qoftë edhe në parim për rrogat dhe shpërblimet e punonjësve dhe pedagogëve të universiteteve publike, por direkt edhe dorën në financat e institucionit për të mbushur xhepat personalë?

Ky është bordi i adminstrimit!!!

Ky është administrimi!

Më raftë pika mua!

Për të qeshur e qarë njëherësh!

Unë nuk jam kundër pagesave për punën! Përkundrazi, puna e lartë, kërkon shpërblim të lartë! Por, pagesat e vetvetes nga bordi jashtë cdo rregulloreje universiteti, ende të pabërë, jashtë cdo kuadri juridik specifik, në mënyrë krejt të privilegjuar, nuk ka emër të pranueshëm që mund t’i vihet.

Megjithatë uroj të jenë vetëm thashetheme!

Paradokset nuk kanë fund. Sepse anëtarët e bordit zgjidhen pas votimit në senat. Dhe pastaj marrin pavarësi të plotë si nga senati ashtu edhe nga trupa akademike universitare e cdo universiteti.

Keni parë gjëkundi që një trupë administrative, pra bord, të marri legjitimitet nga një zgjedhje dhe përzgjedhje prej një instance tjetër, dhe pastaj të mos ketë asnjë varësi dhe lidhje kontrolli prej saj???

Do të ishte njësoj sikur qeveria pasi të merrte votimin e besimit në Kuvend, as të mos pyeste dhe as të mos kishte më asnjë instrument kontrolli nga ana e Kuvendit ndaj qeverisë!

Raporti nëpërmjet delegimit të një vullneti vendim-marrës dhe mënyrës së funksionimit të atij të cilit i është deleguar ky vullnet, është një çështje e ndërlikuar për t’ua shpjeguar disave.

Nuk e kuptojnë dot sepse nuk kanë kulturën e duhur juridike dhe politike për ta kuptuar.

Ajo që u duhet thënë atyre me shpresë se diçka mund të kuptojnë është se universitetet publike shqiptare i kanë përçarë në mënyrë funksionale midis senatit dhe bordeve. Sepse i kanë bërë me dy koka drejtimi pa vendosur asnjë mekanizëm që ta bënte këtë organizim të funksionojë.

Eshtë ligja për arësim të lartë dhe lobitë dhe personat e interesuar që kanë prodhuar këtë mosfunksionim që sot, apo nesër, këtu apo atje, do të bëjë që plagët të maisen.

Këto lobi dhe persona të mbrapshtë vështrojnë rrugën pa dalje ku i kanë futur universitetet publike dhe i qeshin e i përqeshin !

Na përqeshin!

Kategori
Opinion

TË NGJASHME