KRYESHEFAT E HAJDUTËRISË NË TIRANË, MIRËMBAJNË HAJDUTËT E TROJEVE

Kim Mehmeti Shqiptaria është ndarë në principata, secili udhëheqës mendon për veten e vet Ne jemi një popull që kemi shumë të përbashkëta, mbi të gjitha gjuhën, mirëpo ne...

Kim Mehmeti

Shqiptaria është ndarë në principata, secili udhëheqës mendon për veten e vet

Ne jemi një popull që kemi shumë të përbashkëta, mbi të gjitha gjuhën, mirëpo ne nuk kemi të kaluar të përbashkët. E keqja më e madhe është se, ne nuk bëmë asgjë që sot të kemi të sotme të përbashkët dhe, aq më keq, ne s’mund të bëjmë gjë për të pasur një të ardhme të përbashkët.

Çfarë do të sillte në këto moment fillimi i bisedimeve për korrigjimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë? Çfarë impakti do të kishte në rajon?

Ky propozim do të ishte më normal nëse do të bëhej nga presidenti i Serbisë, jo nga ai i Kosovës, sepse bëhet fjalë për një shtet të fuqishëm serb, që mund të komoditet dhe të dojë të nxjerrë në treg territoret. Kjo tregon që Shqiptaria nuk ka një koncept për të ardhmen e vet. Sikur Kosova të kishte burra shteti që të bënin llogari për Shqiptarinë, ose për rajonin. Sepse për sa i përket ndarjes së territoreve, shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një favor. Me çfarë mund ta kushtëzojë Kosova, Serbinë? Duhet të jesh një idiot të thuash atë që thotë presidenti i Kosovës, që ne do ta marrim luginë e Preshevës dhe s’do japim gjë në këmbim. Cili shqiptar mund ta besojë këtë gjë? Këtë gjë mund ta thotë vetëm një njeri që ka humbur kontaktin me realitetin, një njeri që është në vështirësi dhe që nxjerr koncepte që trazon jo vetëm shqiptarët, por të gjithë Ballkanin. E zëmë se fillon bisedimi për ndarjen e territoreve. Ç’do të bëjnë serbët në Bosnje, ç’do të bëjnë shqiptarët në Maqedoni? Kjo gjë i shërben vetëm serbëve për të zgjidh problemet e veta, sepse pas kësaj shteti serb bëhet më i fortë dhe kjo gjë shkatërron dy shtete të tjera, Bosnjën dhe Maqedoninë. Është e pamundur t’i mbash ato pas këtij shkëmbimi territoresh. Kjo ide për shkëmbim territoresh është menduar me kohë nga dy presidentët, por po ndodh tani, që i leverdis më shumë Serbisë, për t’i hequr përgjegjësinë nga luftërat, duke u fokusuar tek çështjet e territorit.

Si e vlerësoni reagimin shqiptar për këtë çështje?

Mendoj se nuk ka asnjë koncept mbarë etnik, asnjë bashkëpunim midis popujve shqiptarë, sepse tek shqiptaria vetëm tek krimi janë të bashkuar, për sa i përket politikës secili ka principatën e vet dhe secili bën llogari si të rrijë më gjatë në krye të principatës së vet, në krye të Shqipërisë së vet dhe e kam përsëritur shpesh, shyqyr që ne jetojmë në epokën e globalizimit, sepse ne do të kishim aq Shqipëri sa ka parti. Ajo e keqe që i ndodh shqiptarisë është se, nge gjithë ato Shqipëri që kemi, asnjëra nuk është shtet normal. Ne shqiptarët e Maqedonisë nuk do të arrijmë asgjë përderisa kryeshefat e hajdutërisë janë në Tiranë dhe mirëmbajnë hajdutët tanë në Maqedoni. Dhe është e vështirë që të ndërrohen këto elita politike, pasi mbrojnë njëri tjetrin, ngaqë kanë biznese së bashku. Dhe po të vini re, këto zhurma për ndarjen e territorit nuk kanë ndonjë efekt, nuk kanë revolt tek populli. Sepse, nëse do të kishte revoltë të popullit, do të ishin mbledhur 100 mijë shqiptarë në Prishtinë dhe do të protestonin.

Kryeministri i Shqipërisë e quajti si një mundësi historike faktin që Kosova dhe Serbia mund të vendosin vetë për kufijtë, një mundësi që mund të vijë pas 30 vitesh sipas tij.

Për politikanët shqiptarë, mundësitë historike janë ato që u mundësojnë atyre të mbeten në pushtet. Ata shitën çdo gjë, tani ka ardhur radha të shiten tokat. Politikanët shqiptarë për të ndenjur në pushtet shesin dhe nënën e tyre. Mund të them që ne shqiptarët kemi arritur në fazën më të rrezikshme që mund t’i ndodhi një populli. Kjo fazë është, periudha kur në popull bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të tij. Kur lodhesh, duke pritur që do të vijë dikush dhe do të rregullojë gjërat. Edhe sot në Kosovë, e cila ishte djepi i patriotizmit dhe atdhedashurisë, kjo dashuri për atdheun nuk ndihet më, sepse ai popull është lodhur dhe e kuptoi që të gjithë ato flijime, u bënë që një klasë politike të pasurohej. Shans historik për shqiptarët është nëse arrin të marrësh diçka dhe mos të japësh diçka në këmbim. Nuk është shans historik të realizosh konceptin disa vjeçar të Serbisë, që Kosova të ndahet.

Është folur jo pak në të gjithë këtë situatë për ndryshim të qëndrimeve të politikës ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, veçanërisht SHBA. Si e vlerësoni?

Çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët, kur ju lanë 20 vite për të ndërtuar shtëpinë tuaj, dhe shohin që njëri e ndërton dhe 3 e prishin. Ndërkombëtarët e panë që Kosova nuk ka kapacitet shtet-formues, sepse çfarë u bë me Kosovën që nga dita e pavarësisë deri më sot? Ata e panë gjithë këto vite, pastaj edhe ata janë lodhur duke ndërhyrë për çdo problem të Kosovës.

Mungesa e unitetit është një element që na ka karakterizuar që herët po të kujtojmë konferencën e ambasadorëve në Londër ku ne shkuam me 4 përfaqësi, kjo gjë ndodh edhe sot apo jo?

Ne përçarjen e kemi fat për arsyen se ne gjithmonë kemi jetuar të copëtuar, të ndarë. Kurrë nuk kemi pasur mundësinë që t’i përkushtohemi vetvetes, por ne gjithmonë kemi qenë të përqendruar se kur do të shkëputemi, ose do të çlirohemi nga armiku. Asnjëherë s’kemi qenë të përqendruar se si ta ndërtojmë shtëpinë e përbashkët. Sot ne paguajmë një çmim të madh prej këtij fakti. Ne jemi një popull që kemi shumë të përbashkëta, mbi të gjitha gjuhën, mirëpo ne nuk kemi të kaluar të përbashkët. E keqja më e madhe është se ne nuk bëmë asgjë që sot të kemi të sotme të përbashkët, dhe aq më keq ne s’mund të bëjmë gjë për të pasur një të ardhme të përbashkët. Ne nuk mund ta ndryshojmë botën. Nëse bota thotë që shqiptarët duhet të jetojnë kështu siç janë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni s’kemi ç’të bëjmë, nuk e luftojmë dot botën. Ne duhet ta dimë që edhe pse jetojmë në shtëpi të ndara, ne kemi një kopsht të përbashkët që është gjuha, kultura, zakonet etj. Tek ne tani ndodh që problemi i shqiptarëve të Kosovës është i atyre, jo i të gjithë shqiptarëve.

Duke u ndalur në Maqedoni, tek çështja e emrit, u duk se u arrit një zgjidhje e shpejtë përmes marrëveshjes së Prespës. Emri Maqedoni e Veriut, a është një zgjidhje në konceptin tuaj, dhe ku qëndrojnë ose nuk qëndrojnë shqiptarët brenda kësaj zgjidhjeje?

Kushdo që dëshiron stabilitetin e Maqedonisë, duhet ta dijë se një Maqedoni në NATO dhe në BE është garant se ai shtet do të mbijetojë, sepse në fund të fundit, Maqedonia nuk është as projekt shqiptar, as projekt maqedonas, por është projekt ndërkombëtar. Duke qenë kështu, asaj duhet t’i shtohen garancitë ndërkombëtare. Por në gjithë këtë rrëfim ka dhe një rrëfim tjetër brenda, që problem i emrit nuk është tamam i emrit, por i mbiemrit. A janë maqedonasit sllavë, apo janë maqedonasit e Aleksandrit, sepse populli maqedonas është një popull që vetëm aty ekziston. Dhe nëse nesër ndryshoni emrin, si do të quhet populli që e ka lidhur fatin e tij me emrin e shtetit. Kjo nuk është thjesht një çështje politike, qe do të shkojmë në NATO apo jo, por deri ku shkon ky interes? Deri në momentin që nuk ka këmbim territoresh, sepse në momentin që do të shkëmbehen territore shtrohet një pyetje logjike: nëse jo sot, a është hapur mundësia që ne shqiptarët si 30% të mendojmë pse duhet të rrimë këtu, ku u shkëmbyen këto territore.

Emri Maqedoni e Veriut a rrezikon të mbartë në vetvete një teze të fshehur për: Maqedoni të Jugut, Lindjes dhe Perëndimit?

Me vetë faktin që quhet Maqedoni e Veriut, çdo njeri normal e di që ka dhe një jugore, sepse kjo botë ka 4 anë, si në rastin e Koresë. Prandaj unë e lidha dhe me popullin, sepse ju kur thoni sot, maqedonas shtrohet një pyetje se, nëse bëhet fjalë për maqedonasit veriorë, apo jugorë, sepse nuk është vetëm një popull. Këtu është fshehtësia e mbiemrit që thashë unë, se grekët nuk janë të interesuar aq shumë për emrin, se sa për mbiemrin. Sepse tani është e vështirë të përcaktosh se kush janë maqedonasit.

Për sa i përket këtyre çështjeve të përcaktimit të territoreve a duhet të flisnin më shumë shqiptarët për një bashkim kombëtar ose territorial apo kjo gjë mbetet një utopi?

Tek ne ballkanasit ekziston një problem. Tek ne nuk kanë përfunduar ende luftërat ballkanike. Ne ende jemi në vazhdën e atyre luftërave, luftërave për territore. Nga ky rrafsh del që Ballkani është gjithmonë i trazuar. Të gjithë janë të pakënaqur me atë që kanë. Në këtë aspekt më të zëshëm janë serbët, sepse gjithmonë kanë dashur të kontrollojnë lojën. Edhe sot lojën e imponojnë serbët, jo shqiptarët. Ne veprojmë pas asaj që ata bëjnë. Në Maqedoni ndodh e njëjta gjë, partitë politike nuk prodhojnë politikë. Ata veprojnë pas tjerëve. Deri dje ishte Gruevski, ai që impononte./www.telegraf.al/

TË NGJASHME