Koreja e Veriut pezullon provat bërthamore dhe raketore

Koreja e Veriut thotë se ka pezulluar provat bërthamore dhe ato me raketa me rreze të gjatë veprimi. Ajo njoftoi gjithashtu se planifikon të mbyllë objektin e saj të...
Reuters

Koreja e Veriut thotë se ka pezulluar provat bërthamore dhe ato me raketa me rreze të gjatë veprimi. Ajo njoftoi gjithashtu se planifikon të mbyllë objektin e saj të provave bërthamore.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut tha sot se vendi “kurrë nuk do të përdorë dhe as nuk do të transferojë armë bërthamore apo teknologji bërthamore në asnjë rrethanë, përveç nëse ka kërcënime bërthamore dhe provokim kundër vendit”.

Ushtria koreanoveriore po ndalon gjithashtu provat e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe tha se pezullimet hynë në fuqi po sot.

Koreja e Veriu tha se qeveria po i ndërmerr këto veprime për të ndryshuar fokusin kombëtar dhe për të përmirësuar ekonominë.

Pas njoftimit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se ky “është një lajm shumë i mirë për Korenë e Veriut dhe Botën”.

Në një postim tjetër presidenti shkroi: “Progres për të gjithë!”

Njoftimi vjen disa ditë përpara se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të takohet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në një pikë kufitare për një takim të rrallë të nivelit të lartë që synon zgjidhjen e konfrontimit bërthamor me Phenianin.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut po planifikojnë një samit të veçantë, ndonëse nuk është caktuar ndonjë datë.

Koreja e Veriut ka mbrojtur zhvillimet e saj bërthamore dhe provat raketore, në kundërshtim me mandatet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si një masë sigurie për atë që e sheh si kërcënim nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të 28,500 trupave amerikane të dislokuara në Korenë e Jugut. Por vendi nuk ka kryer prova me raketë balistike ndërkontinentale që nga fundi i nëntorit, po ashtu nuk ka zhvilluar prova bërthamore që nga shtatori i kaluar./Zëri i Amerikës

TË NGJASHME