KONTRATA: E QARTË DHE E SIGURT

Shqipëria ka ndryshuar shumë përgjatë 28 vitesh tranzicion. Popullsia ka ndryshuar dhunshëm; pas 28 vitesh vazhdojnë të largohen më së shumti dy kategori sociale; të varfrit që kanë besim...

Shqipëria ka ndryshuar shumë përgjatë 28 vitesh tranzicion.
Popullsia ka ndryshuar dhunshëm; pas 28 vitesh vazhdojnë të largohen më së shumti dy kategori sociale; të varfrit që kanë besim se po të ikin mund t’ia dalin diku tjetër, dhe profesionistët që largohen me besimin se do të vlerësohen ekonomikisht shumë më shumë tjetërkund. Pikërisht marzhi i popullatës që ka gjallë besimin dhe që është më i rëndësishëmi për zhvillimin e vendit.

Mite të mëdha kanë rënë në këto vite. Por sado e madhe pesha e gënjeshtrës së djeshme të Shqipërisë fanar ndricues, ajo mbetet e kaluara. E sotmja është , vuajtja dhe zhgënjimi ndërsa shqiptarët vazhdojnë të përballojnë shkërmoqjen e iluzionit se demokracia është një sistem magjik i lirisë dhe mirëqenies, ndërsa nuk ka asnjë rregull loje.

Parakushti i zhvillimit në ekonominë e tregut apo sisteme demokratike është besimi, një nivel minimum besimi që ka shoqëria tek vendimet qeverisëse.
Arsyet themelore të moszhvillimit të Shqipërisë mund të përmblidhen gjerazi në tre të tilla, amatorizmi qeverisës ndaj krijimit të rregullave të lojës në një treg të lirë, korrupsioni i lartë, mungesa bashkëpunimit midis shoqërisë dhe qeverisjes.

Mungesa e bashkëpunimit qeverisje –shoqëri lëngon në dyshina të ndryshkura, e para në dështimin e politikës për të qenë përfaqësuese me modelet që përfaqësohet dhe po ashtu përdorimi i teknikave populiste gjatë fushatave që theksojnë edhe më shumë tendencën etatiste, shteti zgjidh shteti vendos shteti sduhet të të lërë pa bukë dhe qytetari kërruset dhe revoltohet në lëmoshë. Populizmi elektoral po ashtu ka dërrmuar vlerat themelore të kontratës së pastër mes individëve dhe po ashtu të besimit mes partive dhe individëve.

Të ndodhur në këtë dysheme parakushtesh me qëllimin dhe përgjegjësinë për të përmirësuar dhe zgjidhur, duhet lexuar gjendja ku ndodhet shoqëria shqiptare dhe raporti i saj me politikën që e qeveris.

Prej 5 vitesh tashmë dakortësojmë në unanimitet që rilindja ka mjet qeverisës ekranin dhe median në tërësi.

Në këto kushte jemi të detyruar të lexojmë realitetin e shumfishte dhe të gjejmë rrugëzgjidhjet për përmirësim. Tregu i votës tashmë është realitet faktik i cili nuk duhet vetëm gjykuar, dhe as duhet fshehur pas iluzionit se ky problem do të na zgjidhet me proçedura, me riparime ligjore, apo brenda qendrës dhe ditës së votimit. Jo. Ky treg gjallon dhe zgjatet në mënyrë kapilare shumë muaj dhe ditë përpara ditës së formalitetit të zgjedhjeve.

Ajo çka duhet lexuar qartë sot është fakti se qytetarët, populli,votuesi, kur zgjedh do të shohë kontratën e qartë. Vetë shitblerja e votës është një lloj kontrate, ndonëse më e keqja,më e varfra, më e dëmshmja – ajo është “më jep të jap”. Ka ndodhur rëndom dhe do tentojë të ndodhë rëndom. Para, gri, të kuqe dhe të të zeza sot ka në treg më shumë se kurrë në historinë e Shqipërisë, sekserë në të zezë sot ka në treg më shumë se kurrë, dhe tashmë të specializuar.

Si do të bëhet e mundur të ndalohet kontraktualzimi më i keq i mundshëm për shqiptarët? Çfarëdo të themi në analiza sociale, në fund përgjegjësia reale për një popullsi të mbetur këtu do të jetë dhe do të mbetet tek politika. Shqipëria nuk mundet t’i imponohet politikës së saj si shoqëri , si disa vende te tjera që kanë tregje të mëdha, popullsi të madhe dhe lëvizje sociale që prodhojnë forca mbipolitike. Në këto kushte pamundësie, Shqipëria do të vazhdojë ta vuajë shumë cilësinë e klasës së saj politike.

Atëherë si mundet ta rrisim nivelin e kontratës politike nga shitblerja “më jep 20 – 50 Euro dhe vërej (pa)punën”, në një kontratë që me anë të votës shkëmben zgjidhjen. Nga një “më jep të jap” në një “të votoj më zgjidh punët”. Populli ka të drejtë absolute që kërkon kontratën, dhe është mençuri të kërkosh një kontratë të pastër jo një ndjekje symbyllazi, madje kontraktualizmi në vetvete është pikërisht në esencë e politikës si zhvillim.

Çfarë duhet bërë konkretisht që tenderi mos të shitet kaq lirë, me 50 Eurot e një dite, si dhe indiferencën pasivo-agresive të 4 viteve në vazhdim, të blerë kaq shtrenjt?

Mirë do të ishte që zgjidhja të mos gjendej duke rritur pazarin, pasi kjo do ishte qartësisht në favor të pazarxhinjve të sotëm. Zgjidhja mbetet vetëm një -ngritja e alternativës.

Kontrata për një popull që lëngon në varfëri nis nga niveli i parë – siguria. Nuk është aspak e rastit që njëra nga shtyllat ku mbështetet Rilindja e ekraneve, është vetë nostalgjia e sigurisë së dikurshme. E bën këtë, se e di që pasi ka varfëruar shumë shumicën dhe ka pasuruar gjithnjë e më shumë një pakicë,elementi që duhet të kujtohet është nostalgjia për komunizmin e cila jep shijën e amëshuar të sigurisë.

Rilindja valvulën e sigurisë se kafshata që nuk jep s’do ta penalizojë e gjen tek zgjidhja e fundit, shkëmben një shenjë tek fleta e votimit në këmbim të 50-shes të rradhës.
Një tufë e stërmadhe me 50-she, kjo është valvula e sigurisë rilindase. Valvula që siguron zgjedhjet, por që varros me vite të tëra zgjidhjet.

Sfida është ndërtimi i një alternative që shihet si kontratë e qartë dhe qartësisht më shpërblyese se nje shitblerje e thjeshtë vote. Një kontratë që jep siguri për zgjidhje, një përqasje që zgjidhjet ia mbivendos partishmërisë, një perspektivë, që ideologjinë e sheh si funksion të zhvillimit, dhe mungesën e saj si justifikim shumë të keq, kjo është alternativa që duhet ndërtuar.
Kjo kontratë që është përgjegjësi e forcave opozitare duhet të jetë e tillë që në çdo element të saj të ketë ngritjen e besimit të munguar dhe të forcës jo si moral denoncues por si levë zgjidhëse. Një kontratë që nis me konkretizimin e modelit përfaqësues dhe aktivizimin e brendshëm me të njëjtën qartësi të vetë këtyre forcave.
Është e mundshme, është e realizueshme dhe nuk duhet të justifikohet se pengohet nga disa dhjetëra kriminelë, shtatë-tetë oligarkë, pesë lobistë disa miliarda lekë.

Në fund partitë politike janë organizma vendimarrëse dhe jo analitike si të tilla vendosen para përgjegjësisë edhe kur dëmi është i kundërshtarit por zgjidhja mungoi nga vetvetja.

 

Marrë nga artikulli publikuar ne gazetën Panorama

http://www.panorama.com.al/kontrata-e-qarte-dhe-e-sigurt/

TË NGJASHME