Koment/ Pse nuk kërkon ndjesë Edi Rama për “listën e zezë” me 100 emra?

Publikimi i një liste nga Edi Rama me 100 profesionistë të administratës midis të cilëve mjekë të njohur, mësues, policë ka shkaktuar mjaft reagim në publik. Ideja e përgjithshme...

Publikimi i një liste nga Edi Rama me 100 profesionistë të administratës midis të cilëve mjekë të njohur, mësues, policë ka shkaktuar mjaft reagim në publik. Ideja e përgjithshme është se pavarësisht nëse personat e përmendur janë apo jo fajtorë, ata nuk duhet të linçoheshin publikisht nga kreu i qeverisë dhe të bëheshin tabele qitjeje nga komentuesit e tjerë në rrjetet sociale.

100 emrat e listës janë persona realë. Ata kanë fëmijë, bashkëshortë, të afërm, miq, farefis e kolegë të cilët që nga dita e futjes së emrit në “listën e zezë” i shohin me dyshim. Në rastin më të mirë ata shihen si “të padëshiruar” nga pushteti i sotëm dhe në rastin më të keq, si hajdutë e të korruptuar.

Kryeministri përdori sot si justifikim argumentin se “nuk është lista ime, por e ka hartuar Skuadra e Shënimeve në kryeministri, e cila merr ankesat e njerëzve”, është një përgjigje jobindëse që nuk sqaron asgjë. Përkundrazi, duket sikur e justifikon gafën.

Kjo lloj alibie, e vështirë të bindë dikë, për disa arsye.

E para, lista nuk u publikua nga e ashtuquajtura “Skuadra e Shënimeve” por nga kryeministri dora vetë. Dhe kryeministri mban përgjegjësi për aktet e tij. Një qeveritar i këtij niveli, nuk mund të sillet me logjikën: ç’më duhet mua çfarë bëjnë vartësit e mi ose ca më keq, ç’më duhet mua çfarë bëj unë. Përsa kohë, Edi Rama e ka publikuar listën nën emrin e tij, duhet ti dalë për Zot dhe të mos fshihet pas “Skuadrës së Shënimeve”.

E dyta, çdokush ka të drejtën të prezumohet i pafajshëm për sa kohë nuk provohet e kundërta. Pavarësisht, ankesave të njerëzve për zyrtarë të ndryshëm, kryeministri i një vendi nuk ka të drejtë të mbajë anë duke denigruar publikisht administratën si “abuzuese me pushtetin” dhe “shkelëse e ligjit” vetëm se dikush e pretendon këtë. Madje, në ndonjë rast, e kundërta mund të jetë e vërtetë: pra, denoncuesi, i pakënaqur se nuk ka marrë nderin që kërkon, i publikon emrin zyrtarit në fjalë.

Më e ndershmja do të ishte që, të paktën, përkrah emrit të të denocuarit, të ishte edhe emri i denoncuarit. Për t’i dhënë vërtetësi kësaj liste.

E treta, në listën me 100 emra mund të ketë vërtet abuzues me pushtetin, por është e pabesueshme që kjo listë na qenkërka kryesisht me zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët dhe aty mungojnë ministrat.

Fjala vjen, është e pabesueshme që njerëzit na paskan denoncuar mjekë të caktuar ose drejtorë shëndetësie dhe nuk paska asnjë ankesë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Mungesa në atë listë e emrave të zyrtarëve të lartë të qeverisë, e zhvleftëson besueshmërinë e saj.

E katërta, tingëllon vështirë e besueshme se ankesat kryesore të njerëzve na qenkan kryesisht për përfaqësuesit e LSI-së. Pavarësisht pretendimit të parcelizimit të administratës, LSI-ja nuk ka më shumë se 20% përfaqësim në të gjitha nivelet.

Pretendimi se “populli socialist” është i ndershëm, kurse populli “socialist i integruar” dhe “populli demokrat” është hajdut dhe i korruptuar ja shton pabesueshmërinë kësaj liste.

E pesta, digjet i njomi me të thatin. Eshtë e vështirë të besohet se një X gjyqtar i korruptuar që ndoshta meriton të jetë në atë listë, të barazohet me policen Mimoza Ibrahimi, ish-volejbolliste e njohur e Dinamos dhe Kombëtares, Mjeshtre e Merituar e Sportit. Ç’gjëmë paska bërë policja Mimoza, që t’i renditet emri përkrah një prokurori a gjyqtari të korruptuar, pasuria e të cilit shkon në miliona euro?

E gjashta, precedenti i keq. Po sikur, presidentit të Republikës t’i teket të ngrejë edhe ai një “Skuadër Shënimesh” dhe të vjelë mendimin popullor për gjeneralët e ushtrisë, ministrat e qeverisë, rektorët, ambasadorët dhe të tjerë funksionarë, emërimi i të cilëve është nomeklaturë e tij? Dhe ta publikojë këtë listë në faqet e vet zyrtare duke i denigruar dhe demonizuar publikisht?

Po sikur, Kryetarit të Kuvendit t’i teket të ngrejë edhe ai “Skuadrën e vet të Shënimeve” dhe të marrë mendimin popullor për deputetët duke e publikuar atë zyrtarisht dhe duke i përbaltur deputetët një e nga një?

Po sikur, shefi i Shtabit të Ushtrisë të bëjë të njëjtën gjë, të publikojë “listën e zezë” të ushtarëve, drejtori i QSUT “listën e zezë” të mjekëve apo kryebashkiaku i Tiranës “listën e zezë” të fshesarëve?

Një drejtues duhet të sillet me seriozitet: për çdo parregullsi, shkelje, abuzim apo vjedhje ka institucione. Një polic që abuzon me detyrën mund të denoncohet në SHÇBA, tek eprorët e vet apo në prokurori.

Asnjë drejtues institucioni: qoftë ky shef komunaleje apo kryetar qeverie nuk mund t’i japë tagër vetes të publikojë lista njerëzit të prezumuar si hajdutë e të korruptuar. Fundja, jemi të gjithë rrogëtarë: që nga punonjësi që fshin rrugët deri tek ai që merr detyrën si ministër a kryeministër për t’i shërbyer popullit.

Përgjigja që Edi Rama u jep kritikëve në përgjigjen me titull: “Për lulet mos më prek”, i shkon idesë: Hajt se s’u bë qameti se ju doli emri, mos bëni si ‘lule mos më prek’.

Por, shpifjet i llahtarisin fëmijët njësoj: edhe atë që lexon se nuk është pjellë e babait, por e gjyshit të tij edhe atë që lexon se babai i tij mjek, nuk është human, por hajdut. Ca më keq, kur në rastin e dytë ai që flet nuk është një gazetar-kazani, por vetë kryeministri i vendit.

Para 25 qershorit, Edi Rama kërkoi publikisht falje vetëm një ditë pasi i bëri thirrje policisë të dilte në fushatë për PS. Duke e kuptuar se kishte bërë një gafë, kreu i qeverisë u tërhoq.

Edhe këtë punën e “listës së zezë” me 100 emra, mund ta mbyllte fare mirë me një ndjesë. Ajo listë është një turp dhe nuk është turp të kërkosh falje atëherë kur lipset./www.gsh.al

 

Kategori
PolitikëVendi

TË NGJASHME