Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut i dështuar, SHBA-të tërhiqen

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të martën nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për “subjektivizëm kronik ndaj Izraelit”, një hap...

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të martën nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për “subjektivizëm kronik ndaj Izraelit”, një hap që aktivistët paralajmërojnë se do ta bëjë edhe më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut në nivel global.
Duke qëndruar përkrah sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e këshillit. Ajo gjithashtu kritikoi vendet që ndajnë vlerat amerikane dhe e inkurajuan Washingtonin të qëndrojë, por “nuk ishin të gatshëm të sfidojnë seriozisht status quo-në”.
Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohë të gjatë se do të largohej nga këshilli prej 47 anëtarësh me seli ne Gjenevë, nëse ai nuk riorganizohet.
“Shikoni anëtarësinë e këshillit dhe shihni një mosrespektim të tmerrshëm për të drejtat më themelore”, tha ambasadorja Haley, duke vënë theksin tek Venezuela, Kina, Kuba dhe Republika Demokratike e Kongos.
Nikki Haley tha gjithashtu se “përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit, është një provë e qartë se këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut”.
Sekretari Pompeo, tha se nuk kishte dyshim se këshilli dikur kishte një “vizion fisnik”.
Por “sot duhet të jemi të sinqertë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut”, tha ai.
Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

Ajo pasoi edhe kritikat e shtuara ndaj Shteteve të Bashkuara për ndarjen e fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin me Meksikon. Komisionari i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, i bëri thirrje të hënën Washingtonit t’i jap fund politikës së “paskrupullt”.
Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar administratën e presidentit Trump që nuk i ka bërë të drejtat e njeriut përparësi të politikës së jashtme
Ambasadorja Haley tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Këshilli, “nuk është tërheqje nga përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut”.
Dymbëdhjetë grupe të të drejtave të njeriut dhe të ndihmës, përfshirë edhe organizatat, Save the Children dhe CARE, i shkruan sekretarit Pompeo duke paralajmëruar se tërheqja “do ta bëjë më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për viktimat e abuzimeve gjithandej nëpër botë”.
Grupi hebraik i të drejtave të njeriut, qendra Simon Wiesenthal, mirëpriti tërheqjen amerikane dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.
Këshilli mblidhet tri herë në vit për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ai ka mandatuar hetues të pavarur për të shqyrtuar situatën në Siri, Korenë e Veriut, Mianmar dhe Sudanin Jugor. Rezolutat e tij nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por kanë peshë morale.
Kur Këshilli u krijua në vitin 2006, administrata e presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush, e shmangu atë.
Gjatë mandatit të presidentit Barack Obama, Shtetet e Bashkuara u zgjodhën dy herë radhazi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në vitin 2016, pas një vit pushimi, Washingtoni u rizgjodh për mandatin e tij të tretë.
Nikki Haley tha një vit më parë se Uashingtoni po rishikon anëtarësinë e tij dhe bëri thirrje për reforma dhe eliminimin e një “subjektivizmi kronik ndaj Izraelit”. Trupi ka një pikë të përhershme të rendit të ditës mbi shkeljet e dyshuara të kryera nga Izraeli në territoret e okupuara palestineze gjë të cilën Washingtoni donte që të hiqej.
Muajin e kaluar këshilli votoi për të hetuar vrasjet në Gaza dhe e akuzoi Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Shtetet e Bashkuara dhe Australia ishin të vetmet që votuan kundër./www.rd.al/

TË NGJASHME