Haradinaj i dorëzon Thaçit platformën për dialogun me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj i dorëzoi sot presidentit Hashim Thaçi platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën...

Kryeministri Ramush Haradinaj i dorëzoi sot presidentit Hashim Thaçi platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Europian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar”, shkruan Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas presidentit, kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të detyrueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike.

“Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje”, përfundon Thaçi.

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka aprovuar një platformë për dialogun me Serbinë, e cila pastaj pritet t’i dërgohet edhe kuvendit./KosovaPress/

TË NGJASHME