Hapi tjetër pas provës së Phenianit?

"Distanca mes Koresë së Veriut dhe Seulit është shumë, shumë e vogël dhe ata mund të zhdukin një pjesë të madhe të popullatës së Koresë së Jugut vetëm me armë konvencionale..."
Foto AP

Bota është duke debatuar për përgjigjen ndaj provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut të dielën, e gjashtë dhe më e fuqishmja që nga viti 2006. Pheniani ka sfiduar të gjitha paralajmërimet ndërkombëtare duke kryer prova, pavarësisht vënies së një serie të re sanksionesh të miratuara gjithashtu nga Kina, aleatja më e ngushtë dhe më e fuqishme e Koresë së Veriut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hokes njofton.

Bomba e përdorur në provën e së dielës shkaktoi lëkundje në mbarë rajonin dhe ishte më e fuqishmja nga provat e mëparëshme të kryera nga Pheniani. Komuniteti ndërkombëtar po debaton hapat që mund të merren për të ndalur mosbindjen e Koresë së Veriut.

“Këshilli i Sigurimit ka miratuar shumë sanksione dhe ato nuk duket se po e ndalin Korenë e Veriut përsa u përket termave të pranueshëm në programin e tyre bërthamor. Cili është hapi tjetër? Është një pyetje e rëndësishme.”

Presidenti Trump i ka kërkuar Kinës të përdorë ndikimin e saj mbi Phenianin për të frenuar ambicjet e tij bërthamore, por të djelën ai tha përmes Twitterit se Kina ka patur pak sukses dhe se Koreja e Veriut po bëhet një kokëçarje për Pekinin.

Presidenti tha se një opsion që po shqyrton, është të ndalë tregtinë me të gjitha vendet që bëjnë biznes me Korenë e Veriut. Kjo padyshim do të përfshijë Kinën, aleaten më të ngushtë të Koresë së Veriut dhe partneren e saj më të madhe tregëtare.

Një analist në Pekin thotë se prova e Koresë së Veriut po krijon një çarje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe po nxit ndarjen në shoqërinë koreano-jugore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në këtë tension.

“Duke dislokuar sistemin e mbrojtjes ajrore në Korenë e Jugut, Amerika ka bërë që populli dhe qeveria kineze të mendojnë se është thyer balanca strategjike. Gjithashtu në këtë proces Koreja e Jugut është në anën e Amerikës dhe kjo ka thelluar ndarjen mes Kinës dhe Koresë së Jugut dhe natyrisht atë mes Kinës dhe Amerikës. Kështu që për Korenë e Veriut ky është një përfitim strategjik”, thotë analisti Dong-Gil Kim.

Analisti kinez thotë se Koreja e Veriut është shumë e interesuar të zhvillojë armë bërthamore pasi ndjehet e rrethuar nga armiq. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të ulen në dialog me Phenianin dhe të punojnë për të ulur shqetësimet e Koresë së Veriut për sigurinë.

Trump shkroi në Twitter se pajtimi me Korenë e Veriut nuk funksionon dhe shtoi se do të diskutojë opsione të tjera me zyrtarët e tij ushtarakë.

Shumica e udhëheqësve perendimorë thonë se nuk ka asnjë opsion ushtarak për Gadishullin Korean.

“Distanca mes Koresë së Veriut dhe Seulit është shumë, shumë e vogël dhe ata mund të zhdukin një pjesë të madhe të popullatës së Koresë së Jugut vetëm me armë konvencionale. Kështu që nuk është shumë e lehtë të kërcënosh dhe ta mbash fjalën”, thotë Boris Johnson, ministër i jashtëm i Britanisë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po bëjnë thirrje për sanksione më të forta ekonomike kundër Phenianit dhe thonë se Kina dhe Rusia, si partneret më të mëdha tregtare të tij, kanë përgjegjësinë më të madhe për të siguruar zbatimin e tyre./Zëri i Amerikës

Kategori
Bota

TË NGJASHME