Haley, thirrje për “masat më të forta të mundshme diplomatike” kundër Phenianit

Dje Pheniani njoftoi se kishte realizuar me sukses një provë një bombë me hidrogjen që mund të hidhet me një raketë ndërkontinentale

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, foli me terma të forta në adresë të Koresë së Veriut, pas aktit të së dielën kur besohet se Pheniani vuri me sukses në provë një bombë termo-nukleare me hidrogjen.

Diplomatja amerikane foli gjatë sesionit urgjent të Këshillit të Sigurimit sot në Nju Jork, ku tha se duhet përdorur çdo mjet i mundshëm diplomatik para se të jetë tepër vonë. Ajo bëri thirrje për masat më të forta të mundshme diplomatike. “Udhëheqësi i Koresë së Veriut – tha zonja Haley – po lutet që të shpërthejë lufta. Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë, por durimi ynë ka një kufi,” tha ajo.

Sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut, Pheniani po përgatitet për një provë tjetër me raketë balistike.

Dje Pheniani njoftoi se kishte realizuar me sukses një provë një bombë me hidrogjen që mund të hidhet me një raketë ndërkontinentale. Një zyrtar i shërbimeve amerikane të zbulimit tha se nuk ka asnjë dyshim që Pheniani ka vënë në provë një armë bërthamore 10 herë më të fuqishme se arma që vuri në provë një vit më parë.

Ndërkohë në takimin e Këshillit të Sigurimit, ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara tha se Pekini nuk do të lejojë destabilitet në rajon. Ai tha se çdo veprim duhet të merret në koordinim me Rusinë dhe Kinën, dy vende shumë të rëndësishme në atë pjesë të globit./Zëri i Amerikës

Kategori
Bota

TË NGJASHME