Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i ri i Parlamentit

Në Shqipëri parlamenti zgjodhi në mbrëmje, zotin Gramoz Ruçi si drejtuesin e vet për katër vitet e ardhshme. Ai është një nga figurat më në zë të Partisë socialiste...

Në Shqipëri parlamenti zgjodhi në mbrëmje, zotin Gramoz Ruçi si drejtuesin e vet për katër vitet e ardhshme. Ai është një nga figurat më në zë të Partisë socialiste e cila pas zgjedhjeve të 25 Qershorit ka siguruar e vetme kontrollin e shumicës. Kandidatura e zotit Ruçi, deputet në parlament që prej vitit 1997, hasi në kundërshtimin publik të ish të përndjekurve politik, për shkak të kaluarës në radhët e ish partisë komuniste para viteve ’90 dhe ish ministër i Brendshëm për disa muaj kur në Shqipëri sapo ishte vendosur pluralizmi. Një grup ish të përndjekurish protestuan sot në mbrëmje përpara parlamentit, ndërsa brenda në sallë po zhvillohej votimi për kryetarin e ri të parlamentit.

Emri i zotit Ruçi ishte kundërshtuar nga opozita, si nga Partia Demokratike, forca kryesore e së djathtës, ashtu dhe nga LSI-ja, një forcë e qendrës së majtë, e cila për katër vite bashkëqeverisi me socialistët.

Por ndërsa LSI-ja vendosi që 19 deputetët e saj të mos merrnin pjesë në votim, dy deputetë demokratë rezultojnë të kenë votuar në favor të kandidaturës së zotit Ruci, i cili në përfundim të votimit grumbulloi 80 vota. Sipas përllogaritjeve, socialistët mendohet të kenë dhënë të 74 votat e tyre në mbështetje të tij, e po ashtu edhe 3 votat e deputetëve të PDIU-s që publikisht janë shprehur në mbështetje të socialistëve, apo dhe vota e deputetit socialdemokrat Tom Doshi, gjithashtu i rreshtuar hapur në krah të PS. Dy votat e tjera në favor të zotit Ruçi mbetet kështu t’i përkasin deputetëve të PD-së. Edhe sepse votat kundër ishin 40, nga 43 deputetë demokrat që përfaqësohen në parlament, dhe një fletë votimi rezultoi e pavlefshme.

Pas votimit, grupi parlamentar i PD-së ju bashkua protestës s ëish të përndjekurve, ndërsa kryetari demokrat Basha, nuk e shmangu një shtrëngim duarsh me zotin Ruçi. Megjithatë në fjalën e tij përpara protestuesve ai e quajti kandidaturën e tij një provokim të kryeministrit Rama “ndaj kujtimit dhe gjakut të 4 martirëve të 2 Prillit dhe qindra qytetarëve të Shkodrës të plagosur nga armët e zjarrit të bishës komuniste teksa po jepte shpirt, për të provokuar qindra e mijëra të përndjekur politik që ende nuk kanë marrë atë që meritojnë. Në votuam kundër vazhdimësisë së aleancës me krimin që materializohet sot me vendosjen në karriken e kryetarit të Parlamentit të një njeriu që nuk lejohet të shkelë në tokën amerikane për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar dhe narkotrafikun”, deklaroi zoti Basha.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u shpreh se “ambicja jonë është që parlamentit t’i rikthehet dinjiteti i nëpërkëmbur për katër vjet në shkelje flagrante të rregullores. E rëndësishme që në parlament të sjellim një frymë të re, bashkëpunimi e ndërveprimi brenda llogjikës normale të pozicioneve të kundërta, se në fund fare jemi këtu për t’u ballafaquar e ndeshur për vizione, programe e qasje të kundërta”. Zoti Rama, i cili në sallë pati dhe një shtrëngim duarsh me zotin Basha, uroi që marrëveshja e arritur mes tij dhe kryetarit demokrat mesnatën e 17 majit “të mos ketë vdekur. Sot qëndrimi i PD ka qenë superkorrekt, institucional dhe është një shenjë pozitive. Si do vazhdojë, mbetet për t’u parë, pa patur iluzionin se do ketë paqe nën filizin e brishtë të ullirit të paqes që u mboll në maj. Nëse opozita dhe PD do jetë e ashpër nuk do të thotë që marrëveshja ka vdekur, nëse do shkelen principet mbetet për tu parë. Nuk jam as optimist as pessimist”, u shpreh ai.

Pak çaste pas votimit për zotin Ruçi, presidenti Ilir Meta dekretoi zotin Rama si kryeministër, i cili nuk vonoi që menjëherë t’i dërgojë për dekretim edhe përbërjen e kabinetit qeveritar, në mënyrë që t’i hapet rrugë kështu parlamentit që pa humbur kohë, ditën e hënë, të nisë me prezantimin e programit qeverisës për të vijuar më pas votimin e qeverisë.

Partia Demokratike, e reduktuar ndjeshëm në numër krahasuar me parlamentin e kaluar, ka premtuar një opozitë të fortë e cila sipas zotit Basha “është më shumë se kurrë sot një domosdoshmëri e madhe për Shqipërinë. Kjo është një kohë kritike ku do të përcaktohet nëse Shqipëria do t’i rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor apo do të zhytet plotësisht në sundimin e kri​mit të organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar politike të vendit”. Të njejtin pozicion ka mbajtur dhe LSI-ja, drejtuesit e së cilës janë shprehur megjithatë se do të jenë në favor të çdo nisme që lidhet me integrimin europian të vendit apo që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor që ka lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Do të jemi në opozitë me keqqeverisjen, nuk do të jemi në opozitë me partitë politike, por do të jemi në opozitë me keqqeverisjen, e cila po i ofrohet çdo ditë e më shumë qytetarëve”, deklaroi pak ditë më parë Monika Kryemadhi, kryetarja e re e LSI-së./Zëri i Amerikës

Kategori
Vendi

TË NGJASHME