Gabimet (e shumta) logjike të Ramës dhe çfarë tregojnë ato

Fitim Zekthi Të shtyrë në një cep nga ku duhet të gjejë patjetër një përgjigje për shkak të akuzave dhe veprimit politik të opozitës – e cila ka që...

Fitim Zekthi

Të shtyrë në një cep nga ku duhet të gjejë patjetër një përgjigje për shkak të akuzave dhe veprimit politik të opozitës – e cila ka që në nisje të shtatorit që flet për lidhje të krimit me politikën, kërkon vetting për politikanët, ka braktisur parlamentin dhe flet me emra konkretë kundër shumicës qeverisëse, kërkon të mbahet përgjegjësi për Fushë Krujën, vëllain e ministrit Xhafaj etj-  qeveria dhe kryeministri Rama po prodhojnë përgjigje kaotike. Në mbledhjen e grupit parlamentar ai mbajti një fjalim ku gati çdo fjali ishte një gabim logjik.

Le të bëjmë një vështrim të thjeshtë të logjikës së disa pohimeve të tij në atë fjalim. Në lidhje me kërkesën e deputetëve të opozitës, të artikuluar nga deputetja Klaudia Gjosha për të larguar Taulant Ballën nga delegacioni parlamentar në Këshillin e Europës, për shkak të dyshimit se ai ka kërcënuar në komisiariatin e Fushë Krujës një oficer policie për llogari të deputetit Rrahman Rraja, kryeministri tha: E ftoj deputeten Gjosha të shkojë në Prokurori dhe të shohë pamjet e kamerave të komisariatit të Fushë Krujës dhe në qoftë se del që Taulant Balla ka qenë atje, atëherë unë (Rama) do të kërkoj që atij t’i hiqet mandati dhe të jepet leja për arrestim. Kjo që ka thënë Rama është krejtësisht e palogjikshme.

Të shkosh në Prokurori dhe të kërkosh të shohësh një material apo provë të një procesi në hetim nuk lejohet. Këtë gjë as Prokurorja e përgjithshme nuk mund ta bëjë, edhe po të dojë. Pra, në qoftë se Gjosha i thotë Ramës “dakord, po shkoj të shoh pamjet”, askush në Prokurori nuk do ta lejojë. Madje rojet nuk i hapin as derën. Pra, Rama e ka thënë atë kot dhe për t’u dukur si i besueshëm para njerëzve. Medemek ai e bëri të tijën, por opozita nuk do sepse opozita gënjen. Në fakt është një rrenë dhe palogjikshmëri e Ramës.

Rama tha gjithashtu se “jua tregoj unë pse opozita sillet kështu, pse ajo shpif për gjoja lidhjet tona me krimin. Jua ua tregoj sepse ma ka thënë vetë Lulzim Basha. Ai më kërkoi pushtet në tavolinë, më kërkoi pushtet me marrëveshje”. Përsëri kjo është e palogjikshme. Në qoftë se Basha do t’i kërkonte marrëveshje për pushtet atëherë Rama do ta denonconte të nesërmen ose gjatë fushatës që nisi në ato ditë. Këtë ai nuk e bëri. Së dyti, të thuash “se unë e di pse ai na akuzon ne për lidhje me krimin, sepse ma ka thënë vetë” është  përsëri pa kuptim. Në qoftë se ai do pushtet në tavolinë, atëherë pse ai e shfaq këtë dëshirë vetëm kur të sulmon ty për lidhje me krimin? Pse nuk e shfaq këtë dëshirë edhe kur kundërshton taksën në rrugën Durrës-Kukës, apo kur denoncon koncesionet?

Rama tha gjithashtu se “na sulmojnë për lidhje me krimin sepse kemi trazuar keq krimin, sepse ne po e luftojmë fort krimin”. Në fund të vitit 2013, dhe thuajse gjatë gjithë vitit 2014, në Shqipëri pati shumë shpërthime me telekomanda. U vranë dhe u plagosën njerëz të ndryshëm nga biznesmenë deri te kryetarë komunash, apo njerëz të dyshuar për trafik. Situata u bë shumë e rëndë dhe Rama tha në një fjalim me videoprojketorë dhe transmetim live para Policisë në Pallatin e Kongreseve se “lufta jonë ndaj krimit ka bërë që ai të vrapojë dhe të lajë hesapet, ai e ndjen se forca e shtetit do ta asgjësojë dhe po lan hesapet para se Policia t’i nxjerrë para ligjit….” Pra, në qoftë se krimi është tmerruar nga lufta e Policisë në vitin 2013 dhe 2014, e cila do ta çmontonte, atëherë nuk ka mundësi që ai të jetë sot shumë i fortë por i trazuar dhe i tmerruar nga lufta e Policisë. Nga viti 2013 deri në vitin 2018 nuk mund të jemi në të njëjtën gjendje.

Një tjetër gabim i trashë logjik i Ramës ishte kur tha: “Sot, për fatin shumë të keq të Lulzim Bashës dhe të gjithë lehaqenieve të kazanëve politikë e mediatikë, nuk është vetëm analiza shkencore e laboratorit britanik që e nxjerr audiopërgjimin të fabrikuar. Jo, është vetë aktori, i papaguar sipas premtimit të dhënë në emër të Lulzim Bashës që i ka dalë për zot zërit të vet në audio përgjim”. Rama përdor në këtë fjali argumentin ad hominem kur i quan lehaqenë njerëzit e medias (që është gabim logjik), por edhe thotë se  laboratori britanik solli analizë shkencore që medemek nxori zbuluar gënjeshtrën e opozitës. Në fakt, laboratori britanik nuk ka thënë asgjë dhe nuk thotë se aty nuk është zëri i Xhafajt. Gjithashtu gabimi logjik i Ramës vazhdon sepse ai i shton si mbështetje të pohimit të tij mbi analizën shkencore të laboratorit, edhe atë që ka thënë njëri nga personazhet. Pra, analiza shkencore e laboratorit, që është shkencë, u bëka e pakundërshtueshme sepse u mbështeska nga pohimi i dikujt që pranon krimin. Rama nuk e kupton që një analizë shkencore nuk mund të mbështetet nga një pohim vetjak kuturu.

Më pas Rama flet për lëndën shpërthyese të hedhur te shtëpia e gjyshit të Xhisiela Malokut vajzës që ka denocuar për djegie dhe dhunim djalin e deputetit Rraja. Ai thotë se “natën, vajzës së kthyer në “mish për topat” e kësaj politike të ulët i është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar të krijojë në publik idenë se vajza është nën trysninë e një terrori psikologjik? Ne?! Jo! Nuk ka mendje normale, madje dhe peshqit e Liqenit artificial e kuptojnë që për këtë kanë interes vetëm ata që e dhunuan publikisht për ditë e ditë të tëra dhe askush tjetër”. Pra, sipas tij duke qenë se opozita përfiton nga shpërthimi në shtëpinë e gjyshit të Xhisielës atëherë opozita e ka shkaktuar shpërthimin. Sipas Ramës meqenëse nga masakra e Reçakut në Kosovë në vitin 1998, ku u masakruan mbi 70 gra, pleq, burra dhe fëmijë, përfituan shqiptarët, sepse shërbeu për të nisur NATO sulmet mbi Serbi, atëherë atë masakër e bënë shqiptarët. Sipas Ramës, meqë ai përfitoi nga rrahja që iu bë në vitin 1997, atëherë atë ai e bëri vetë. Sipas Ramës, meqenëse organizatat ambientaliste përfituan nga shpërthimi i centralit bërthamor në Fukushima, duke detyruar qeverinë të reduktojë prodhimin e energjisë nga keto centrale, atëherë këto organizata e kryen shpërthimin. Këto janë qesharake edhe si gabime logjike. Gjuha e tij ka qenë gjithnjë e ngarkuar me gabime logjike, por tani është vërtetë keq./www.politiko.al/

TË NGJASHME