FMN: Ja se si Shqipëria mund të përfitojë nga TAP

Fondi Monetar vlerëson se gazsjellësi Transadriatik mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë shqiptare pasi të ketë përfunduar së ndërtuari. Në një analizë të posaçme për efektet e...

Fondi Monetar vlerëson se gazsjellësi Transadriatik mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë shqiptare pasi të ketë përfunduar së ndërtuari. Në një analizë të posaçme për efektet e TAP në ekonomi, FMN vëren se pasi të hyjë në operim ky gazsjellës mund të ulë me mbi 30 për qind kostot e kompanive shqiptare duke i bërë ato më konkurruese në tregjet rajonale.

“TAP hap dyert për diversifikimin e energjisë në Shqipëri. Ai do të rrisë produktivitetin e industrisë shqiptare, teksa firmat do të zëvendësojnë energjinë elektrike me gaz natyral, çka do të ulë kostot dhe do të zhvillojë industri të reja”,- thotë FMN.

Por që këto përfitime të materializohen, duhet ndërtuar rrjeti i shpërndarjes së gazit. “Projekti fizibël ka një kosto prej 500 milionë eurosh për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes si dhe 200-300 milionë euro për tubacionin kryesor”,- vlerëson FMN.

Sipas saj, tubacioni kryesor mund të realizohet përmes nyjes Ioniano Adriatike, që ndryshe njihet si gazsjellësi IAP. Ky gazsjellës, nis në Fier dhe përfundon në Malin e Zi duke kaluar përmes Tiranës ku është edhe zona më e rëndësishme industriale e Shqipërisë.

“Ndërtimi i rrjetit të gazit do të kërkojë përpjekje domethënëse për të tërhequr investime private. “Qeveria duhet të ndërtojë një kuadër rregullator të qartë, çka është një prioritet kyç”,- këshillon FMN.

Sipas  FMN, nëse kjo do të realizohet atëherë përfitimet për ekonominë do të jenë të mëdha.

“Reduktimi i kostove për firmat dhe familjet shqiptare nuk do të jetë i vogël, duke patur parasysh që kosto e ngrohjes mund të ulet me një të tretën duke zëvendësuar energjinë elektrike me gazin”,- thotë FMN.

Gazsjellësi Transadriatik është një investim i kontraktuar në vitin 2013 nga ish qeveria Berisha. Në tre vitet e fundit, ky investim së bashku me kaskadën e Devollit kanë rritur me 0.4 pikë përqindje në vit rritjen ekonomike të Shqipërisë duke qenë dy nga projektet kyç.

Por FMN thotë se përfitimet mund të jenë shumë më të mëdha nëse Shqipëria do të arrijë të tërheqë investime për të ndërtuar rrjetin e gazit.

TË NGJASHME