Flet Artan Fuga/ Çfarë nuk do hidhja mbi kokën e ligjit të arsimit të lartë nëse do të ishte grua a burrë

Artan Fuga: Ligji klientelist, u krye me metoda obskurantiste. Të tjera lemerira do na pllakosin “Unë çfarë nuk do të hidhja mbi kokën e ligjit për arsim të lartë...

Artan Fuga: Ligji klientelist, u krye me metoda obskurantiste. Të tjera lemerira do na pllakosin

“Unë çfarë nuk do të hidhja mbi kokën e ligjit për arsim të lartë nëse do të ishte grua a burrë: çfarë të kisha me vete në mendje dhe në trup. Po shkatërron të ardhmen e kombit”

Intervistoi: Anesti Barjamemaj

Një nga zërat më të rëndësishëm në Shqipëri, Prof. Dr. Artan Fuga, ka qenë kundërshtari i Ligjit për Arsimin e Lartë. Së bashku me Fugën dhe shumë kolegë të tjerë të tij kanë dal hapur kundër një ligji që sipas tyre do të sjell shkatërrimin e universitetit në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “standard” akademiku Artan Fuga ka shpjeguar, arsyet që e bëjnë atë kundër këtij ligji dhe ka folur për situatën që është krijuar në shkollat e larta në vitin e ri akademik. Profesori tha se ligji është i gjithi një dështim. Sipas tij të gjithë aktorët e përfshirë duhet që të reagonin më përpara, pasi u zgjuan shumë vonë kur ligji ishte miratuar. Në fund ai jep edhe një mesazh për gjestin me hedhjen e salcës mbi ministren.

Ju dhe shumë pedagogë të tjerë të Universitetit të Tiranës keni kundërshtuar reformën në Arsimin e Lartë. Me çfarë argumentesh i mbështesni reagimet tuaja?

Unë nuk di argumentat e këtyre që ju i quani shumë, por të miqve të mi, dhe kolegëve të nderuar, i njoh. Argumentet i kemi stërthënë, mund t’i gjeni në mediat e kohës përpara dy viteve, madje edhe në gazetën tuaj. Përse të kthehemi mbrapa dhe të humbasim kohë? Unë kam një argument për të thënë tani : A i shihni pasojat që ka prodhuar ky ligj i mbrapshtë? Nëse ju i shihni, mirë, nëse jo, gjeni një student të kënaqur prej këtij ligji, një prind, dhe pastaj flasim, por që të mos jenë në konflikt interesi me të vërtetën. A e keni parë injorancën universitare që po përhapet si kolerë? A i keni parë në çfarë gjendje janë bibliotekat shkollore dhe universitare? A i keni parë hendeqet mes nesh dhe botës? Pastaj flasim!

Ku i ka sipas jush dobësitë Reforma për Arsimin e Lartë: në procesin e përzgjedhjes apo në  vendosjen e kritereve nga universitet?

Dobësitë i ka kudo, nga gërma e parë deri te e fundit e ligjit. Ligj i mbrapshtë, klientelist, i bërë nga njerëz të paaftë për atë punë, me metoda obskurantiste dhe manipulime të opinionit publik, me komplicitetin e disa mediave të shitura që janë aq të mërzitshme saqë edhe në qeli po të isha dhe të vdisja nga mërzija, nuk do t’i lexoja.

Kundërshtimi për këtë reformë ka qenë i madh dhe mjaft studentë e organizata po vazhdojnë të rezistojnë me protesta e tyre. A mendoni se do të ketë një zgjidhje nga protestat e shumta, apo ministria do të vazhdoj linjën e saj pa u ndikuar nga protestuesit?

Për këtë pyesni ministrinë, jo mua. Por, nuk shoh protesta të vërteta. Gjimnazistët fjetën, prindërit fjetën, kur ne u thoshim, kujdes se po luhet me fatin e fëmijëve tuaj! Tani ku e di unë vullnetin e protestuesve, që janë shumë të bindur, dhe ka prej tyre edhe të manipuluar ideologjikisht, dhe ku e di unë kokëfortësinë e ministrisë për t’i shkuar deri në fund të keqes që na ka ndodhur. Ai ligj është një gjëmë, jo ligj për arsimin e lartë.

Rasti i fundit ishte hedhja e salcës nga një studente mbi Ministren e Arsimit Lindita Nikolla. A ju duket kjo një formë demokratike për të zgjidhur një problem.

Pse ligji demokratik ishte? Studentja është e pagjykueshme nga unë. Unë nuk do të hidhja asnjë lloj salce, majoneze, apo marmalate mbi flokët e asnjë zonje. Por, mos prisni nga unë të gjykoj studenten. Ku e di unë si i ka ardhur në majë të hundës asaj. Sa për mua, unë çfarë nuk do të hidhja mbi kokën e ligjit për arsim të lartë po qe se do të ishte grua a burrë: çfarë të kisha me vete në mendje dhe në trup. Ai po shkatërron të ardhmen e kombit. Po prisni se do të shihni edhe të tjera lemerira që do të na pllakosin, kjo e rregjistrimeve nuk është veçse fillimi. Studentët madje dyshojnë masivisht se shpërndarja e të drejtës për të përzgjedhur profilet e studimit është bërë mbi baza klienteliste politike. Kanë shumë të drejtë që dyshojnë.

Si pedagog në Universitetin e Tiranës keni kontakte më studentë të ndryshëm dhe sidomos me ata që janë në vitin e parë. A janë ata të informuar për këtë reformë, apo janë viktima të saj?

Ore e di ti që kanë rënë regjistrimet në mastera sepse njerëzit nuk kanë lekë të paguajnë? E di që shkollat doktorale i kanë mbyllur çka përbën një krim edhe ekonomik? A e di që studentët nuk kanë lekë të blejnë libra apo jo? Ore, e di ti që ata kequshqehen apo jo?

Duke i krahasuar me studentët e viteve më parë, reforma ka ndikuar pozitivisht në zgjedhjet e tyre për degën që duan apo ka ndikuar negativisht duke i hallakatur në zgjedhjet e tyre?

Keq ka qenë, më keq është bërë.

Një prej debateve për Reformën në Arsimin e Lartë është edhe ndarja publik privat dhe kalimi i shumë fondeve të ky i fundit. A mendoni se qëndrojnë këto teza apo ligji çalon në shumë pika të tjera?

Universitetet private janë më të robëruara sesa ato publike nga politika prej këtij ligji. Unë nuk ndaj në private e publike. Ky ligj është kundër studentëve, prindërve dhe pedagogëve kudo që janë. Atë e pëlqen thjesht ndonjë pronar borxhli deri në fyt, ndonjë administrator mëkatar që ka probleme me ligjin, ose që merr rrogën, kur të tjerët lëpijnë buzët. I pëlqen edhe Vladimir Iliçit. Universitetet private si agjenci të pavarura iu mbyllet goja me anë të hierarkisë shtetrore të politizuar. Pedagogët aty nuk kanë asnjë të drejtë profesionale të vërtetë bashkëkohore. Janë pa të drejta si pedagogët te publiku. Ku le ligji hapësirë për të drejta. Universitetet administrohen tani pa kuadrin ligjor të kompetuar. A e kuptoni ju këtë apo jo? Janë bllokuar.  Unë i dua universitetet private si model, por ky ligj po i keqpërdor në mënyrën më të paskrupullt dhe nëndorë iu kërkon si shpërblim shërbime politike të turpshme.

Unë i dua universitetet private si model, por ky ligj po i keqpërdor në mënyrën më të paskrupullt dhe nëndorë iu kërkon si shpërblim shërbime politike të turpshme. 

 

Kategori
ArsimiKryesoreLajmet e FunditVendi

TË NGJASHME