Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Nga Reshat Kripa* Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013, ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të...

Nga Reshat Kripa*

Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013, ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004 data 27 janar është caktuar si dita e gjenocidit nazist kundër hebrenjve. Lidhur me këtë Kuvendi i Shqipërisë hartoi një rezolutë, ku solidarizohej me të dhe njëkohësisht në një pikë të saj e shpallte edhe si ditën e gjenocidit komunist. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka. Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzetë, që autori e quan “shekulli i megavdekjes”. Gjithashtu ai bën edhe krahasimin e këtyre shifrave me atë të viktimave të dy luftërave botërore. Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:

Lufta e Parë Botërore – 13 milionë

Lufta e Dytë Botërore – 35 milionë

Gjithsej dy luftërat botërore – 48 milionë

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

Nga Lenini – 8 milionë

Nga Stalini – 25 milionë

Nga Mao Ce Duni – 29 milionë

Nga Pol Poti – 1 milionë

Nga diktatorët e Europës Lindore – 3milionëë

Gjithsej – 66 milionë

Vini re! Sistemi komunist shkaktoi 18 milionë viktima më shumë se dy luftërat botërore së bashku. Po ndërsa viktimat e luftërave botërore u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi le t’u referohemi të dhënave të tjera të këtij libri mbi disa prej masakrave më të njohura të ushtruara në ish-Bashkimin Sovjetik:

1 milion të ekzekutuar në fund të viteve ’20;

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milionë të vdekur në kampet e punës së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938;

7 milionë fshatarë të vdekur gjatë procesit të kolektivizimit;

360 mijë robërë lufte të vdekur nga kushtet e këqija;

140 mijë ushtarë polakë të ekzekutuar;

20 mijë oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve ’80;

14 736 oficerë polakë të ekzekutuar më 5 mars 1940 me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini, si dhe 10.685 të burgosur të tjerë politikë;

15 mijë oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër.

Le t’u kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arkva e Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë:

Të ekzekutuar – 6023 veta

Të vdekur në burg – 1065 veta

Të burgosur – 17 300 veta

Të sëmurë mendorë – 260 veta

Të internuar – 180 mijë veta

Të vdekur në internim – 9000 veta.

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar drejtpërdrejt persekutimin arrin 250 mijë veta. Duke marrë parasysh se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1000 000 veta, rezulton se 25% e asaj popullsie është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rrëqethëse. Duke lexuar këto të dhëna mendova: “Si ka mundësi që këtë ditë asnjë personalitet shtetëror ose partiak nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediet elektronike dhe ato të shkruara, e sidomos TVSH-ja, për të cilat edhe ne të përndjekurit politikë paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje? Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje.

Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thosha më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.                             – “Fjalë imzot, vetëm fjalë! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi.”

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekjen politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që fillimisht u caktua 21 maji, dita e revoltës së Spaçit, ditë që nga ana e autoriteteve nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit. Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 14.01.2009 për projektligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, miratuar edhe nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ku parashikohej ngritja e obeliskut të viktimave dhe të krimeve të komunizmit, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur. Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumenteve për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mospërfitimin e dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar politikë me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh për të gjithë ata ish-të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës të Kuvendit. Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja: “Pse të ndodhte kështu kur të gjitha autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që u jepet ish-të përndjekurve politikë?”

Nga këto mendime më zgjoi miku im që përsëriti: “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”

Një nismë e madhe e drejtuesit të Partisë Socialiste pushtoi të gjitha faqet e medies shqiptare. Sipas kësaj nisme, në kupolën e kësaj partie na qenka formuar edhe një komision, ose grup pune, quajeni si të doni, që do të merret me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë (!). Në krye të këtij komisioni qenka caktuar një zonjë ose zonjushë, bija e një ish-të dënuari politikë nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën. Me të u bashkua edhe një kryetar shoqate të përndjekurish me origjinë nacionaliste, por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës, dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra, ky grup doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.

Duke menduar këto, mua më lindi pyetja: sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia juaj? A nuk ishte partia e juaj që pas vitit 1997 na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbani përgjegjësi për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën kur ju jeni drejtues i saj. Pse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej rezoluta “Për dënimin e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri”? Pse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Pse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji për lustracionin në Republikën e Shqipërisë? Pse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e Sigurimit për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste ndjeva përsëri zërin e mikut tim: “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”

Një person me shumë ishe, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president, që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka tek ish-të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë vetes edhe disa individë të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri: “Pse nuk e bëri një gjë të tillë kur ishte në partinë e mëparshme?” Përgjigjen ma jep miku im: “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”

A do të bien ish-të përpjekurit politikë në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barsoletën e mëposhtme:

Perandori romak Neroni i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. I trembur, perandori thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka, dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:

– Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– A do të më besojnë?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i servilet.

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë, nuk dua të besoj se ish-të përndjekurit politikë do të mund të përdoren si manekinë. Në veshët e mi vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim: “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”

Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?/www.zemrashqiptare.net

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Kategori
AnalizëVendi

TË NGJASHME