Ermonela Jaho është “Madame Butterfly” në Kennedy Center

Kur interviston Ermonela Jahon, duhet të jesh e kujdesshme. Dikush mund të mendojë se kjo është fare e natyrshme, pasi ajo është soprano me famë botërore dhe soprano të...

Kur interviston Ermonela Jahon, duhet të jesh e kujdesshme. Dikush mund të mendojë se kjo është fare e natyrshme, pasi ajo është soprano me famë botërore dhe soprano të tilla, shpesh konsiderohen diva. Por me Ermonelën duhet të jesh e kujdesshme për të kundërtën: sepse ngrohtësia, energjia dhe komunikimi i saj i drejpërdrejtë të bëjnë të harrosh për një moment që ke shkuar ta intervistosh sepse ajo po interpreton për here të parë në Uashington Cio-Cio Sanin në operan e famshme të Giacomo Puccinit, “Madame Butterfly”.

Ermonela thotë se karta e saj më e fortë është vërtetësia dhe se shpreson që të prekë zemrat e audiencës në Uashington.

“Në skenë je aq lakuriq nga ana shpirtërore saqë kjo ndjehet edhe nga publiku. Publikun ti s’e gënjen dot. Kur je në skenë, aty del e vërteta, çfarë ke ti, forca, fraxhiliteti dhe çdo gjë e jotja, ajo besueshmëria që mendoj është sa herë e këndoj dhe shkrihem në mënyrë totale me rolin”.

Ermonela vjen në Uashington pas suksesit me të njëjtën opera në Londër, ku kritika e vlerësoi me superlativa interpretimin e saj. Dhe gjasat janë që edhe në Uashington duke fillluar nga e shtuna ajo do të sjellë një Cio-Cio San, japonezja e re që u martua me amerikanin Pinkerton, me gjithë brishtësinë, magjinë dhe tragjizmin e saj, me një rreze emocionesh që ndryshojnë rrënjësisht nga një akt në tjetrin. Ermonela thotë se me çdo përvojë me “Madame Butterfly”, personazhi i saj rritet, maturohet, por duke mbetur njëkohësisht po ajo vajzë e re.

“Mendoj kjo është aftësia e një artisti sepse ne të gjithë kemi qenë 15 vjeçarë, kemi në atë arkivin tonë, të ekperiencës së jetës sonë, dhe mund t’i kujtojmë ato momente kur kemi qenë aq të rinj, adoleshentë mund të them, e në një farë mënyre atë lloj vulnerabiliteti që të gjithë ne qeniet humane e kemi. Detyra e artistit është ta nxjerrë këtë, të jetë sa më i vërtetë, nëpërmjet zërit, nëpërmjet sjelljeve.”

Por Ermonela ka edhe një kartë tjetër për portretizimin e heroinës tragjike, e cila ka një përvojë jetësore përtej viteve të moshës së saj.

“Çdo qenie humane, çdo lloj vështirësie të jep një lloj pjekurie, pak përpara kohës. E mund të them që edhe ne shqiptarët kemi parë disa gjëra pakëz të parakohëshme për moshën tonë, mund të them se kemi hasur shumë vështirësi që të pjekin në një farë mënyre dhe ky është ai çelësi i emocionit që unë përpiqem të jap në të gjitha rolet që të jap një ndjenjë, atë emocionin, atë pasionin që kemi ne shqiptarët, ballkanasit. Ndoshta tingëllon gjithmonë pak nacionaliste kur e them këtë gjë, por është e vërtetë”.

Megjithëse ka 25 vjet që është larguar, Ermonela thotë se Shqipëria është brenda saj, madje ajo thotë është “pikërisht ai zjarri, ai emocioni, ai vulnerabiliteti i të gjitha ngjyrave emocionale që unë kam jetuar në Shqipëri, që marr dhe larg vendit tim, ato japin diçka të veçantë, më japin diçka të veçantë edhe mua si artiste, shpirtit tim”…

“…një e qarë me ligjërim, për shembull. Kur kam kënduar ‘Suor Angelica-n’, ‘Madame Butterfly’, ka momente dëshpërimi të një nëne kur do t’i marrin fëmijën dhe çdo nënë, çdo femër e ka atë dhimbje. Por ndoshta neve na kanë ngelur që të vegjël në mendje gjyshet, prindërit tanë, nënat tona, mënyrën se si ato e përjetojnë një dhimbje të atillë. Është një gjë që vetëm kur e mendoj tani, të këput shpirtin”.

Ajo ia atribuon thellësinë me të cilën përcjell personazhet, pikërisht intensitetit me të cilin shqiptarët siç thotë Ermonela shprehin gëzimet dhe hidhërimet, por edhe përvojës së saj personale jetësore.

“Unë kam humbur prindërit dhe një gjë të tillë nuk arrija dot ta shprehja edhe pse isha, jam pjesë e asaj kulture. Në skenë ndoshta … Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në një farë mënyre të çliron dhe për mua është një çlirim shpirtëror”, thotë ajo.

Por megjithëse ndoshta forca e shprehjes mund t’i vijë nga temperamenti dhe banka e emocioneve jetësore, Ermonela thotë se kur është në skenë shkrihet me rolin, sepse ato që këndon janë ndjenja universale humane.

“Para qindra vitesh është folur për dashurinë, jemi këtu sot flasim prapë për dashuri, për sakrifica etj, etj. Ndryshon vendi, ndryshojnë rrethanat ekonomiko-shoqërore dhe të gjitha këto kushtet, por në fund të fundit, duhet një histori, një vend ku ta vësh një personazh”.

Kjo shkrirje e universales me individualen, tërhoqi vëmendjen e Operas Kombëtare të Uashingtonit që që para dy vjetësh e zgjodhi Ermonelën për rolin e Cio-Cio Sanit.

“E kisha dëgjuar që të këndonte në Paris dhe nuk kam parë kurrë një audiencë të reagonte me aq shumë entuziazëm, sa ç’reagoi ndaj saj atë ditë. Prandaj kur po kërkonim të zgjidhnim sopranon për ‘Madam Baterflaj’, ky rol e vuri atë të në krye të listës. Ajo po bëhet nga një sopranot më të rëndësishme dhe roli (i Cio-Cio Sanit) ndër më të rëndësishmit e saj. Kur përpiqemi të zgjedhim interpretuesit për Kennedy Center, ne kërkojmë më të mirët dhe e kishim të qartë që duhet të angazhonim Ermonelën, thotë Andrew Jorgensen, Drejtor i Planeve Artistike në Operan Kombëtare të Uashingtonit.

“Madame Butterfly” në Kennedy Center ka si dizenjator, artistin abstrakt japonez Jun Kaneko, dhe paralelisht me shfaqjen e operas, një ekspozitë me skulptura të tij abstrakte shfaqet në Hollin e Shteteve në Kennedy Center. Kaneko ka dizenjuar edhe veshjet e Ermonelës për operan, një kimono e bardhë për aktin e parë të dasmës, dhe me ngjyra të forta me topa.

Ermonela ra në dashuri me operan kur pa Traviatën e Giuseppe Verdit në Teatrin e Operas dhe Baletit për herë të parë kur ishte adoleshente dhe i premtoi vetes se një ditë do të interpretonte Violetën.

“Unë do të bëhem këngëtare operistike dhe nuk do vdes pa e kënduar një here Traviatën. E kam kënduar tani 240 herë”, kujton ajo se si i tha të vëllait kur dolën së bashku nga Opera.

Ndër rolet dramatike te preferuara të saj përveç Violetës dhe Cio-Cio Sanit, janë Anna Bolena e Donizzettit dhe Suor Angelica e Puccinit. Dhe për të gjitha rolet e deritanishme dhe ato që do të vijnë më pas, Ermonela mbështetet tek arma e saj më e rëndësishme si artiste.

“Nuk ka rëndësi vjen nga Shqipëria, vjen nga çdo lloj vendi i botës, në momentin që flet në gjuhën e zemrës dhe je i sinqertë në skenë, është e pamundur të mos prekësh, të mos rezonosh me zemrat e kujtdo nacionaliteti. Dhe ky ka qenë çelësi im që deri tani ka funksionuar dhe shpresoj të funksionojë akoma”, thotë ajo.

Marrë nga Zëri i Amerikës

Kategori
Art-Kulture

TË NGJASHME