Dokumenti, George Soros ka hartuar që në 2013 planin për reformën në drejtësi, gjithçka po realizohet sipas synimeve të tij, të përfshirë dhe BE-SHBA

  Kliti Topalli Reforma në drejtësi po realizohet e gjitha sipas synimeve dhe planeve të George Soros. “DC Leaks” ka publikuar një dokument me rreth 10 faqe, ku tregohet...

 

Kliti Topalli

Reforma në drejtësi po realizohet e gjitha sipas synimeve dhe planeve të George Soros. “DC Leaks” ka publikuar një dokument me rreth 10 faqe, ku tregohet plani 2014-2017 i Fondacionit Soros për Shqipërinë. Aty tregohen synimet e Soros për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Sa i takon reformës në drejtësi, gjithçka po bëhet sipas ideve të Soros. Në dokument ishte parashikuar që brenda vitit 2014 të realizohej një vlerësim i thellë i kapitujve të Kushtetutës që duhet të ndryshoheshin dhe të ishin identifikuar praktikat e vendeve të tjera që mund të zbatoheshin në Kushtetutën e re të vendit. Në të vërtetë, kjo ndodhi dhe u bë një analizë e gjerë. Fondacioni planifikonte po ashtu që në vitin 2015 të paraqiste një draft reformë kushtetuese të hartuar nga një “grup përfaqësues i palëve të interesuara”. Plani ishte që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin brenda katër vjetësh, por nëse kjo gjë nuk do të arrihej, atëherë Fondacioni do ta përfshinte reformën kushtetuese si çështje të rëndësishme të fushatës zgjedhore të vitit 2017. “OSFA (Fondacioni Shoqëria e Hapur) do të kërkojë ndryshimet kushtetuese në mënyrë që Shqipëria të bëhet një shtet institucionesh dhe jo një shtet partish. Ndryshimet do të rrënjosin kontrollin dhe balancimet mes pushteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, do të forcojnë rolin e presidentit, do të reduktojnë influencën politike në emërimet e gjykatave kushtetuese dhe të lartë”, thuhet në dokument.

Debatet publike 

Një tjetër plan i Soros që në 2013 ka qenë zhvillimi i konsultimeve dhe tryezave në publik. Në të vërtetë deri më tani ky fondacion ka zhvilluar disa tryeza konsultimi. “Grupet e ndikimit janë një sërë partnerësh civilë si Forumi Civil (ish-presidentët shqiptarë), ish-autorë të Kushtetutës, fakultet ligjore, media, aktorë ndërkombëtarë si Komisioni i Venecias, delegacioni i BE. OSFA do të organizojë peticione qytetare dhe fushata mediatike. Pas diskutimeve elektorale të 2013, tani është koha e duhur që fondacioni të përfitojë vrullin e ndryshimeve kushtetuese. OSFA është organizata më e përshtatshme në Shqipëri për këtë sfidë, pasi ka fuqinë e bashkimit për debat mes aktorëve vendas dhe të huaj dhe konsiderohet si neutrale politikisht, në një vend të zotëruar ashpër nga partitë politike”, thuhet në strategjinë e fondacionit.

Përfshirja e SHBA-BE

Ndryshe nga sa ka deklaruar ambasadori amerikan se George Soros nuk ka fare lidhje me reformën në drejtësi, faktet tregojnë krejt të kundërtën. Në strategjinë 2014-2017 të Soros tregohet fare qartë se ai ka kapur përfaqësuesit e SHBA dhe BE në vendin tonë. Aty thuhet qartë  se do ketë lobim shumë të madh te ta. Madje theksohet se do i kërkohet BE që ta vërë kusht për integrimin reformën, gjë që ndodhi. “OSFA do të japë nga ekspertiza e tij për avancimin e procesit, me ndihmën e grupeve të iniciativave juridike, analistëve dhe ekspertëve. SHBA dhe BE kanë influencë në Shqipëri prandaj OSFA do të lobojë për krijimin e balancave, madje duke kërkuar që kjo të bëhet kusht për avancimin e bisedimeve për në BE”, thuhet në dokument.

Analiza e sistemit të drejtësisë

Para se të bëhej reforma në drejtësi u bë një analizë e sistemit, për të parë se ku duhet të ndërhyhet. Në të vërtetë, ky ka qenë një plan i George Soros që në 2013 dhe tregon se gjithçka ka ecur sipas planeve të tij. “Deri në fund të vitit 2014 fondacioni do të ketë bërë një vlerësim të plotë të kapitujve që duhen rishikuar, sipas kushtetutave të shteteve të tjera, për t’i aplikuar në kontekstin shqiptar. Ai do të provojë gjithashtu ide të reja që mund të mirëpriten dhe të aprovohen. OSFA do të nxisë debate publike rreth propozimeve kushtetuese, duke nxitur mbështetjen e partive politike. Preferohet që brenda katër viteve, kjo fushatë të japë rezultate pozitive duke i dhënë energji debatit publik mbi çështjen. Por nxitja e reformave kushtetuese është gjithmonë një sipërmarrje e rrezikshme dhe fondacioni mund të sulmohet politikisht nga aktorët që u intereson mosndryshimi i gjërave (status quo). Nëse partitë politike e injorojnë procesin e sensibilizimit, mbështetja publike do të bëhet edhe më e rëndësishme”, ka theksuar Soros. Më tej në dokument tregohet se Soros do të krijojë dhe do udhëheqë një grup të gjerë për realizimin e reformës në drejtësi. Realisht kështu ndodhi, pasi edhe komisioni i reformës po drejtohet nga Soros. Aty shumica janë ekspertë të tij dhe të gjitha ndryshimet ligjore e kushtetuese janë realizuar prej tyre. Pra dokumentet tregojnë se pas reformës në drejtësi fshihet George Soros dhe jo SHBA e BE.  

 /Agjensia e Lajmeve Sot News/
Kategori
DrejtësiaKryesoreLajmet e FunditVendi

TË NGJASHME