Demokracia pa “ligjin natyror” ka me vete ilaçin e vetëvrasjes!

Pra, roli i fesë në ngjizjen e ideve qeverisëse është jo thjesht i madh, por edhe themelues...

Aq shumë e kanë pushtuar diskursin e politikës klishetë dhe format e tjera laiciste të shprehjes sa është krijuar ideja se është e pamundur të jetojnë së bashku demokracia dhe besimi fetar. Në një farë mënyre demokracia shihet si diçka që mund të jetësohet vetëm nga ata që janë të zbrazur nga besimi fetar. Është e qartë se klishetë ndihmojnë shumë në përhapjen e shpejtë të kësaj mënyre të menduari duke qenë se ato u mundësojnë njerëzve të mendojnë “jo me kokën e tyre” por me vetë klishetë.

Në të vërtetë në demokraci laike është hapësira publike, janë institucionet por nuk janë njerëzit. Në vitin 1953 në SHBA u përfshinë fjalët “under God” në “Betimin për Besnikëri”, një lutje e cila lexohet në shkolla apo në kongres vazhdimisht. Presidenti Ajzenhauer e shpalli katër korrikun ditë kombëtare të lutjeve ku kjo lutje është thelbësore. Në fakt, demokracia për shumë njerëz në SHBA por edhe në Europë është e mbështetur mbi të drejtat natyrore të cilat presupozojnë një besim fetar. Njerëzit që e besojnë këtë gjë citojnë Deklaratën e Pavarësisë së SHBA, e cila thotë se “…të gjithë njerëzit janë të pajisur nga Zoti me disa të drejta të patjetërsueshme”.

Mendimtarë të ndryshëm kanë shtruar së paku dy pyetje të rëndësishme në lidhje me fenë dhe demokracinë. Njëra ka të bëjë me nëse suksesi i demokracisë, pra vetëqeverisja kërkon një popull (demos) fetar, i cili qeveriset sipas normave të fesë? Ndërsa pyetja tjetër ka të bëjë me nëse një qeverisje e kufizuar dhe e përkufizuar nga të drejtat natyrore të njerëzve kërkon patjetër një besim fetar? Në lidhje me pyetjen e parë ka diskutime të shumta por të cilat pranojnë rolin e rëndësishëm të fesë në jetën e njeriut, në mbajtjen gjallë të moralit, në ruajtjen e rendit, në zhvillimin e bamirësisë etj., gjëra të cilat ndihmojnë në zhvillimin e demokracisë.

Emile Durkheim, një nga sociologët më të rëndësishëm të fesë thotë se feja ka një rol të jashtëzakonshëm te njerëzit dhe te shoqëria. Ajo bën të mundur që njerëzit të jetojnë me norma, të jenë të përgatitur për vështirësi, të dinë të mos dorëzohen, të mbrojnë pronën dhe jetën etj. Durkheim, i cili ka qenë ateist e konsideronte fenë një nevojë sociale që ndihmon vetë shoqërinë. Ndërsa në lidhje me pyetjen e dytë, atë se a është e domosdoshme të jesh besimtar për të kërkuar një qeverisje të kufizuar dhe të përkufizuar nga të drejtat natyrore duhet thënë se shumë mendimtarë pohojnë se nuk është e domosdoshme.

Pra, është e mundur që të mbrohet një qeverisje e kufizuar dhe e përkufizuar nga të drejtat natyrore edhe nga njerëz që shkojnë tek ideja e kësaj lloj qeverie me anë të arsyes, pa qenë besimtarë. Vihet re qartë gjithsesi në çdo rast që feja ose besimi fetar është pa diskutim një gjë që ndihmon në sendërtimin e një qeverie të kufizuar dhe që mbështetet mbi të drejtat natyrore. Kështu çdo njeri i cili beson se një qeveri e kufizuar dhe e mbështetur te të drejtat natyrore është ajo që i duhet një vendi, duhet të jetë miqësor me fenë edhe në qoftë se nuk është besimtar.

Këtu lind dhe kjo është e djathta. Për shkak të këtij roli të madh të fesë disa nga etërit themelues të SHBA-së, të cilët ishin deistë ose nuk ishin fare besimtarë u treguan vazhdimisht miqësorë me fenë. Thomas Xheferson shkonte në meshë të dielën me bibël në dorë në mënyrë që ta shikonin njerëzit ndonëse vetë nuk ishte besimtar. Xhon Adams presidenti i tretë i SHBA ishte besimtar shumë i devotshëm dhe madje arrinte deri atje të shprehej se pa besimin fetar nuk mund të ketë demokraci. Xhejms Madison ishte i bindur se qeveria e kufizuar dhe e mbështetur te të drejtat natyrore nuk mund të ishte indiferente ndaj besimit fetar i cili këto i kishte në themel të tij, përkundrazi.

Pra, roli i fesë në ngjizjen e ideve qeverisëse është jo thjesht i madh, por edhe themelues. Ideja e një qeverie të kufizuar dhe të përkufizuar nga të drejtat natyrore buron nga besimet fetare të cilat e mendojnë njeriun si një qenie që mund të bjerë pre e impulsive të këqija, që mund t’u nënshtrohet joshjeve dhe kur të jetë në qeveri të kthehet në tiran. Duke qenë kështu atëherë kthehet në nevojë ndërtimi i një qeverie (me qeveri kuptohen të gjithë degët e qeverisjes: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori) me pushtet të kufizuar që ka për detyrë të mbrojë të drejtat natyrore të njerëzve.

Të drejtat natyrore janë të dhëna, nuk kanë të bëjnë asfare me qeverinë. Deklarata e pavarësisë e SHBA-së thotë se të drejtat janë të dhëna nga Zoti. Tërë mendimi politik amerikan por edhe ai pjesës më të madhe të vendeve demokratike është ndërtuar mbi këtë pikëpamje. Atëherë a ka kuptim të flitet për pamundësi të një qeverie demokratike në të cilën marrin pjesë apo drejtojnë besimtarët. Sigurisht që jo. Prania e besimit në një qeveri të tillë, të kufizuar dhe që mbështetet mbi të drejtat natyrore është krejtësisht e natyrshme. Institucionet e besimit, kisha, sinagoga dhe xhamia do të jenë më vete dhe nuk do të kenë asnjë punë me politikën dhe qeverinë.

Në vitin 1800 Thomas Xheferson, i cili ishte në një garë të ashpër zgjedhore për president me presidentin në detyrë Xhon Adams shkroi një letër monumentale banorëve të kontesë Dunbury në Connecticut. Në letë ai iu tha banorë të Dunbury-t se ai jo vetëm që nuk do ta lejonte qeverinë të përzihej në punët e kishës por do të ngrinte një mur ndarës mes kishës dhe shtetit në mënyrë që shteti të mos përzihej kurrë në punët e shtetit. Kisha do të ishte e lirë të bënte punën e saj dhe të shprehej për të gjitha çështjet që ajo i gjykonte të rëndësishme dhe me interes publik.

Ky është pohimi më i fortë dhe më domethënës mbi laicizmin, një pohim i cili ka udhëhequr prej asaj kohe tërë politikën dhe qeverisjen në ShBA. Për këtë shkak laicizmi në SHBA por edhe në shumë vende të tjera, sidomos të botës anglosaksone, nuk ka tentuar ta shtyjë fenë në periferi, nuk ka qenë armiqësor me fenë, nuk i ka diskutuar liritë fetare dhe as që ka folur ndonjëherë nëse mund të jenë apo besimtarët politikanë apo mund të drejtohet një qeveri nga besimtarët.

Jo vetëm që presidentët si etërit themelues kanë folur me vlerësim për fenë por ka patur nga ata që kanë thënë pa fe nuk mund të ketë demokraci, ka patur nga ata që i kanë ngjyrosur fjalimet dhe qëndrimet e tyre fuqimisht me fjalët Zot, bekim, mëshirë, dënim, amshim etj. etj. Kryetari i tanishëm i kongresit Paul Ryan gjatë debatit me zëvendës presidentin Joe Biden kur u pyet se ç’rol luante feja në qëndrimet dhe idetë e tij politike tha se besimi fetar përkufizonte gjithë pikëpamjet dhe veprimin e tij politik.

Por dhe në Europë është e pamundur që Theresa May, Mariano Rahoy apo Angela Merkel të mbajnë qëndrim të ndryshëm nga ai i Paul Ryan. Kjo është një traditë demokratike e themeluar nga e djathta, pa të cilën as që mund të kishte demokraci. Format e tjera qeverisëse të cilat nisen nga ideja se të drejtat nuk janë natyrore por i caktojnë njerëzit apo qeveritë me arsye kanë prodhuar totalitarizma ose forma të përçudnuara demokracish hibride.

 

Marrë nga Mapo.al

TË NGJASHME