Charlie Gard dhe degradimi i moralit në Evropë

Çështja “Gard” është një tjetër dëshmi e përhapjes së një kulturë e cila dështon në vlerësimin e jetës njerëzore.

Papa Françesku dhe Presidenti Trump janë dakord: dënimi i një foshnje me vdekje është thjesht e gabuar. Të dy këta burra përbëjnë dy shtyllat e një aleance të pazakontë kundër kulturës së vdekjes e cila po përhapet në Evropë, dhe ironia është therëse. Në fund të fundit, çfarë tregon kjo për gjendjen e shoqërisë Evropiane kur personi që është ndoshta Presidenti më vulgar në historinë Amerikane ka moral më të lartë?

Në këtë pikë, faktet e çështjes janë të mirënjohura. Charlie Gard është një foshnjë me një çrregullim gjenetik të rrallë, dhe po mbahet gjallë nëpërmjet aparaturave në një spital të Londrës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbajti anën e doktorëve të cilët duan ti fikin aparaturat që mbajnë gjallë foshnjën Gard në vend që të lejojnë prindërit e tij ta çojnë fëmijën e tyre në SHBA për një trajtim eksperimental.

Një zëdhënës i Vatikanit raportoi se papa është duke u lutur për prindërit dhe shpreson “se dëshira e tyre për të shoqëruar dhe për tu kujdesur për fëmijën e tyre deri në fund të mos injorohet.” Një spital Italian ka ofruar të përkujdeset për Gard. Presidenti Trump ka shprehur gatishmërinë për ti ndihmuar prindërit nëse e mundur. Deri më tani jeta e Gard është e pasigurt.

E gjitha kjo është emblematike e një degradimi të moralit në Evropë gjithmonë në rritje, një degradim ku jeta njerëzore është subjekt i kalkulimeve utilitare, ndërkohë që idealet e rrënjosura të dinjitetit njerëzor dhe vlerës së brendshme po lihen pas dore.

Eutanazia është elementi qendror i kësaj kulture të vdekjes, dhe terreni është shumë i rrëshqitshëm. Wesley J. Smith ka vënë në dukje se si masat mbrojtëse kanë dështuar të parandalojnë abuzimin me këtë praktikë: Që kur eutanazia u lejua në vitet 1970, Holanda gjithmonë ka pasur një problem me doktorë që vrasin pacientë të cilët nuk kanë kërkuar eutanazi. Pavarësisht se kjo përbën vrasje sipas ligjit, asgjë substanciale nuk është ndërmarrë për ta ndalur.

Në 2015, Smith zbuloi se 400 pacientë në Holandë janë vrarë pa kërkuar shprehimisht eutanazi. Dhe çështja përkeqësohet. Në 2016, mjekët Holandezë “kanë vrarë të paktën një pacient të sëmurë mendor në javë.” Charles Lane ka identifikuar të tjera praktika skandaloze në Belgjikë dhe Holandë. Në këtë të fundit p.sh., “aktivistë të së drejtës për të vdekur hapën një klinikë në Mars të 2012 për të ‘ndihmuar’ ata njerëz të cilëve u mohohej injektimi vdekjeprurës nga mjekët e tyre.” Kjo klinikë ka vrarë një duzinë njerëzish arsyetimi i vetëm i të cilëve ishte se “janë të lodhur me jetën.”

Papa Francis e ka karakterizuar këtë gjendje globale si produkt i një “kulture një-përdorimshe” Ky është një përshkrim me vend i një qasje ndaj jetës gjithmonë e më dominant në Evropë: vlera e jetës reduktohet në funksion ekonomik dhe kënaqësi. Nëse nuk është e dobishme, produktive apo gazmore, atëherë nuk ja vlen të jetojë.

Por, akoma më i dëmshëm, është precedenti që krijon çështja Gard që i lejon despotët juridik dhe burokratët të diktojnë nëse një jetë vlen të shpëtohet. Çështja Gard, më tej minon nocion se eutanazia ka të bëjë me lirinë e të zgjedhurit; në të kundërt të kësaj, është qartësisht totalitarizëm.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë përsipër statusin gati gjysëm-hyjnor duke pretenduar se ka të drejtën të përcaktojë kush mund të jetojë dhe kush duhet të vdesë. Mesa duket ky është “progresi”: barbarizëm i maskuar si mëshirë.

Është pasojë logjike e një kulturë e cila po përjeton kalbjen e moralit, sepse kur shoqëria nuk mbron jetën e atyre të cilët nuk mund të flasin për veten, kultura një-përdorimshe lulëzon.

Autor: Nga Jeff Cimmino

Përshtatur në shqip nga origjinali marrë nga National Review.

Lexoni më shumë në: http://www.nationalreview.com/article/449234/charlie-gard-case-european-moral-decline-throwaway-culture-thriving

 

Kategori
Mendimi Konservator

TË NGJASHME