Antiprotesta e Ramës, kokëulurit e PS dhe protestuesit pa zë

    Artur  ZHEJI   Shumica e asambleistëve të PS janë sot njerëz të pasur. Dikur aktivistë të “zjarrtë” për një Shqipëri europiane, pa plehra, pa ndotje dhe pa...

 

 

Artur  ZHEJI

 

Shumica e asambleistëve të PS janë sot njerëz të pasur.

Dikur aktivistë të “zjarrtë” për një Shqipëri europiane, pa plehra, pa ndotje dhe pa mbetje të importuara, kundër diktateve dhe diktaturave.

Kundër teprimeve të dikurshme dhe lindën nga kriza e një identiteti të rrezikuar, që i bëri politikanë ambiciozë dhe shpesh herë edhe kurajozë dhe interesantë.

Por ata, në të shumtën e tyre, e dogjën me një shpejtësi marramendëse, atë pak idealizëm dhe ndjeshmëri njerëzore, për ata që i votojnë dhe sot i pasurojnë me taksat e tyre.

Sot, ata u mblodhën si ca socialistë manarë të Bariut të tyre, ish veprimtarë të shesheve, sot të mbledhur në mbledhjen antiprotestë të PS, në të njejtin orar me atë të protestës qytetare.

Për të bërë zhurmuesin e fjalës së lirë të popullit të tyre!

Spiropali apo Erion Veliaj, Sajmir Tahiri dhe të tjerë, sot as nuk shohin dhe as nuk dëgjojnë, studentët dhe veprimtarët e varfër të shoqërisë civile, nga e cila familje sot, janë në majat më të larta të pushtetit dhe të kamjes.

Sepse sot kanë Range Rover të shtrenjtë, u gëzohen aeroporteve dhe week-end-eve pariziane apo ekzotike, kanë bodyguardë dhe shërbëtorë, janë të pasur dhe tregëtarë idesh dhe idealesh, dikur të reklamuara.

Tregëtarë të ideve të tyre të vjetra që shërbyen si mashtrim, për të grumbulluar vota anti-berishiste, për të drejtuar të nesërmen, dogana apo institucione me qarkullim të madh të parasë dhe neveri ndaj popullit te thjeshtë.

Përtej parasë, përtej ndrydhjes së pushtetit, përtej ambicies për karrierë që u vendos syze të errta për të mos parë Sheshin e shqiptarëve të thjeshtë që ulurin nga dhimbja dhe mospranimi i plehrave, që rrezikojnë të përmbysin Shqipërinë, atyre, pushtetarëve të sotëm të rinj, nuk u ka mbetur asnjë ndjeshmëri.

Kryeministri sot, bëri një shpikje të re provokative. Ai sinkronizoi orarin e Asamblesë së PS me atë të Protestës së shoqërisë civile, të cilën e ka frikë më shumë se partitë politike kundërshtare.

Dhe detyroi mediat kombëtare, të pasqyronin fjalën dhe logorenë e vetmuar të tij, kundrejt mijëra protestuesve të varfër.

Isha mes tyre dhe e preka varfërinë tyre të dukshme, për të cilën ishin kryelartë.

Thjeshtësinë dhe mungesën e parfumeve të shtrenjta.

Mungesën e teshave të përzgjedhura në raftet firmato të dygjaneve vip!

Por lavdi Zotit, të shëndetshëm, pa viruse vesesh dhe pa kurvëri zakonesh.

Sigurisht nuk pashë askënd me kostume Brioni, as me çanta të mijëra eurshe, me diamante në gishta dhe me perla në qafë, si asambleistat dhe asambleistet e PS, që rreken më shumë se të përgatisisn teza apo zgjidhje, të marrin pjesë në garën e lluksit, të hapur nga Bariu i tyre, veshur e ngjeshur si bejlurcinë!

Por aty, në grupimin e zjarrtë të shoqërisë civile, kishte Jetë dhe kishte dëshirë për Sfidë! Një vrull romantik që buron si ujë i pastër, nga poshtë – lart, një buronjë e pandotur djemsh dhe vajzash, që u jepnin shpresë dhe kurajo njeri tjetrit, me tubimin e tyre. Një kurajo që ashtu e bashkuar dhe nevojtare, i kalontë kufinjtë e tyre dhe i jepte shpresë, Kurajos së Madhe, që kemi nevojë që të gjithë.

Për një Shqipëri ndryshe!

Të shkolluar jashtë apo në Shqipëri, nga provincat apo nga oksidenti, ishin ata, një zë herë i qartë, por edhe qarës, edhe lutës, edhe psherëtitës, edhe uluritës e opa një sintaksë të rregullt, të përmbytur nga emocionet.

Por në korin që krijonin, ata nuk ndjeheshin një Brez i Humbur apo një Brez i Shitur!

Të paktën në Betejën Ekstreme, për të shpëtuar Shqipërinë nga Bisha e tërbuar e Mafias së Plehrave, që kërkon të na shndërrojë të gjithëve në emigrantë!

Zërat e tyre të pastërvitur dhe jo profesioniste, kishin atë Dritë dhe atë sinqeritet, që kryeministri, nje imitues i vazhdueshëm i tyre, e ka humbur me kohë.

Ndërkohë shqiptarët, u detyruan të ndiqnin live Gënjeshtrën dhe jo të Vërtetën. Sepse fliste kryeministri, si një zhurmues dokrrash, që të mbulonte dhe të censuronte Protestën që kërkontë zbythjen e tij, nga ligji i Plehrave!

Por ata nuk do të dorëzohen, kjo dukej sot e sigurtë. Do t’më pëlqente sot të isha një reporter i thjeshtë dhe të raportoja nga Sheshi përpara Kryeministrisë, zërat dhe emocionet e tyre. Edhe te atyre zërave që nuk patën shansin të kapnin mikrofonat dhe lëngonin nga dhimbja e kësaj pabesie të qeverisë, që ndoshta dje, e kanë votuar.

Dhe ndër ato që nuk u dëgjuan nga censura, më së shumti qarkullonte shprehja: Mos e gëzofsh atë që do të fitosh nga Plehrat që do të mbysin Shqipërinë!

Rama, kujtoi se sot, i la pa zë, protestuesit që folën dhe u çorrën, përpara Kryeministrisë së zbrazur. Por në të vërtetë ka filluar kështu një lojë me zjarrin.

Bota ka parë shumë të fuqishëm të rremë, shumë më të fuqishëm se dënglaxhiu ynë i gjatë, që janë shkrirë si kollosë kripe apo si kukulla akulli, kur sfidojnë në palcë, popullin e tyre.

Popullin pa Brioni dhe pa stolisje diamanti.

Popullin me kurriz të përkulur dhe që mezi lidh dy fjalë, por që ka të qartë një Ide të vetme: dashurinë primitive apo të çartur për Jetën!

Dhe vetëdijen se kjo Jetë e dhënë nga Zoti, është e tyrja dhe jo e dikujt tjetër! Se ajo Jetë, është e vetmja pasuri që u ka mbetur, e që sot, kërcënohet nga Oligarkia e Helmit dhe plehrave, që janë përkohësisht në pushtet. /360grade.al

Kategori
Energjia & MjedisiKryesoreLajmet e FunditVendi

TË NGJASHME