Analistët komentojnë dorëheqjen e ministrit Xhafaj

Në Tiranë, dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u prit me reagime të ndryshme nga vëzhgues të jetës politike dhe të sigurisë në vend. Ata besojnë se largimi...

Në Tiranë, dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u prit me reagime të ndryshme nga vëzhgues të jetës politike dhe të sigurisë në vend.
Ata besojnë se largimi i zotit Xhafaj nga detyra është shenjë e tensioneve në radhët e socialistëve dhe e presioneve që bëjnë ndaj tyre grupet kriminale.

“Nga ana tjetër pozita e vet ministrit Xhafaj ishte e kompromentuar herët nga dënimi i vëllait në Itali për trafiqe narkotikësh” – tha Armand Bajrami, gazetar dhe analist i TV ABC.

Ndërsa analisti Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, thotë se prej 4 vitesh shumica socialistë premton të njëjtat gjëra si goditja e bixhozit, goditja e krimit dhe e 40 bandave, gjë që tregon se rezultatet konkrete mungojnë, se socialistët nuk luftojnë dot kriminalitetin, se reformat janë ngadalësuar dhe kur kapet ndonjë grup kriminal menjëherë presionet e botës së krimit shkaktojnë furtuna politike.

Sipas tij, shumica socialiste ka vështirësi në plotësimin e premtimeve për shtetin e të drejtës dhe shndërrimet e kërkuara politike.

“Kabineti qeveritar ngjan më shumë si një grup këshilltarësh dhe ndihmësish besnikë të zotit Rama se sa figura me personalitet politik e profesional nga radhët e të majtës, të besueshëm për të udhëhequr reforma me rëndësi për vendin. Ndërkohë, Grupe të organizuara kriminale e të korruptuara kanë arritur në nivele të frikshme presioni dhe rrijnë të ndikojnë të vendim-marrjet politike, duke impnuar zgjedhjen e deputetëve por edhe ndryshime ministrash” – tha zoti Krasniqi.

Analistët besojnë se shtytja e institucioneve ndërkombëtare ndaj autoriteteve shqiptare është mjeti kryesor për të patur rezultate në ngritjen e strukturave të reformës në drejtësi si SPAK dhe BKH, në mënyrë që të ruhet ritimi i reformave dhe që asnjë problem i brendshëm i Partisë Socialiste të mos dëmtojë përparimin e vendit drejt BE-së.

“Krahas vonesave të mëdha me reformën në drejtësi dhe vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, analistët mendojnë se po ashtu ka ngelur ne vend edhe vetingu në radhët e forcave policore, ndonëse pritshmëria në të dy këto procese ka qenë e lartë nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët” – tha zoti Bajrami.

Bashkëpunimin e afërt të agjencive ndërkombëtare me Shqipërinë në luftën reale kundër krimit të organizuar analistët e shohin si mënyrën kryesore që të shmangen presionet e botës së krimit ndaj zyrtarëve shqiptarë, dhe që vendi të mos paguajë më shtrenjtë kostot e vonesave në rrugën drejt BE-së./www.zeriamerikes.com/,

TË NGJASHME