8 pika për një Akademi Shkencash jorrotative! nga Artan Fuga

N‌ë dijeni të opinionit publik dhe të mediave, të komunitetit intelektual dhe shkencor shqiptar, të elitave universitare, të autoriteteve të shtetit, jam i detyruar t’a botoj publikisht këtë letër që i...

N‌ë dijeni të opinionit publik dhe të mediave, të komunitetit intelektual dhe shkencor shqiptar, të elitave universitare, të autoriteteve të shtetit, jam i detyruar t’a botoj publikisht këtë letër që i kam dërguar kryetarit të Akademisë të Shkencave, ku i paraqes kërkesat e mia për një rinovim rrënjësor të saj kundër përgjumjes dhe rutinës burokratike që gjykoj se e ka prekur atë.

Unë, kështu, jashtë cdo interesi personal, cliroj edhe njëherë ndërgjegjen time duke i ngritur publikisht këto probleme pasi i kam konsumuar jo vetëm brenda institucionit dhe madje për vite me radhë, por edhe përpara përfaqësueve të lartë të shtetit.

Unë i qendroj mendimit se Akademia e Shkencave nuk është pronë e kryesisë së saj, e akademikëve, madje as e administratës, ajo i takon si një e mirë publike të gjithë shoqërisë.

Ja përmbajtja e letrës e datës 5 gusht 2017, e shtuar në mënyrë krejt periferike për ta bërë atë më të kuptueshme për publikun por, pa ndryshuar thelbin e saj :

I nderuar Prof. akademik Myzafer Korkuti,

zoti Kryetar i Akademisë të Shkencave,

Faleminderit për përgjigjen Tuaj të letrës sime të parë, por nuk pashë atje asnjë dëshirë nga ana Juaj, as për për të reflektuar rreth cështjeve shumë serioze që unë kam ngritur dhe ngre dhe as mundësi për mua që të shprehem personalisht përpara kryesisë!

Madje edhe më keqkuptoni, për fatin tim të keq ! Ju bëj me dijeni se nuk i lejoj vetes në asnjë rast të vendos në dyshim rezultatet e punës Tuaj shkencore në vitet e fundit, qoftë edhe për etikë, ose sikurse them edhe sepse nuk jam njohës i fushës që lëvroni Ju!

Nuk do të gjeni asgjë të tillë në letrën time ! Lutem shënojeni mirë dhe përfundimisht këtë!

Por, Ju, kur na dërgoni kërkesën për të mbështetur kandidaturën Tuaj për nënkryetar të Akademisë të Shkencave, etika do t’a donte të na dërgonit edhe cv Tuaj si edhe ekspertizën shkencore për librat Tuaj.

Nuk ka kuptim, i nderuar profesor, që votën për t’u zgjedhur nënkryetar i Akademisë për një mandat tjetër katërvjeçar të na e kërkoni virtualisht në e-mail, kurse për cv dhe monitorimin e punimeve Tuaja, të na thoni : Shihini në dosje!

Por, kjo nuk ka rëndësi të veçantë.

Në komisionin e reformës jam i bindur që keni çuar përvojën Tuaj të çmuar personale dhe të respektuar nga unë, sikurse thoni, por ama e keni çuar në rrugë personale, pra si anëtar i atij komisioni. Sepse nga ana tjetër kryesia ka bërë çfarë është e mundur që vetë Akademia atje të mos paraqitet me një platëformë institucionale.

Por, nejse!

Unë Ju kam kërkuar që me lëvizjet e gjithkahershme rrotulluese në Kryesi nuk është mirë që Akademia t’i ngjajë një loje dami me pozicione reversibël : çil e mbyll!

Kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar. Kjo është më së pari etikë dhe madje ajo më minimalja në ushtrimin e së mirës publike.

Për këtë unë nuk tërhiqem nga mendimi im, sado respekt të sinqertë të kem për të gjithë kolegët pa asnjë përjashtim, për të gjitha kandidaturat, aq më shumë për Ju personalisht si një nga kërkuesit shkencorë më me përvojë dhe me zë të vendit, dhe si administrator i mirënjohur i kërkimit shkencor kombëtar.

Por, sa më sipër nuk justifikon sjelljet rrethqarkulluese në kryesinë e Akademisë të Shkencave.

Unë nuk kam kërkuar një takim personal me Ju, sikurse më ftoni, sepse atë e kemi ezauruar disaherë dhe nuk ka sjell asnjë rezultat.

Unë kërkoj :

1. Një bilanc përpara asamblesë për punën Tuaj në Akademi në mbarimin e mandatit Tuaj si kryetar i saj.Si është e mundur që të mbyllet një katërvjeçar pune në krye të një institucioni publik dhe të mos kemi ndërgjegjen se duhet raportuar thellë dhe në detaje se çfarë është arritur, cilat kanë qenë dobësitë dhe çfarë nuk është arritur. Raporti madje duhet të jetë me shkrim dhe i publikueshëm para opinionit shkencor të vendit.

2. Hyrjen në fuqi të rregullores së re të Akademisë të Shkencave përpara votimit për kryesinë. Vetë e keni nisur e vetë e keni braktisur për në kalenda këtë detyrë kapitale. Vetëm votimi i një rregulloreje të brendshme do të sillte shëndoshjen sadopak të gjendjes në Akademinë e Shkencave me hyrjen në fuqi të rregullave të reja që pengojnë funksionimin pa efikasitetin që duhet të saj.

Përndryshe Akademia e Shkencave në vend të reformimit të saj rrezikon të kthehet në vend të ndejtur ku prej vitesh ka vetëm rrotacione, dhe ku kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar.

Unë kam bindjen se veç të tjerash e gjitha kjo na rrezikon të bëhemi qesharakë dhe të mos na lejohet të kryejmë detyrat tona.

3. Unë ju kërkoj publikisht që të hapet debati në Asamblenë e Akademisë të Shkencave lidhur me rolin e saj të ri në kuadrin e reformave që me të drejtë dëshiron të marrë ekzekutivi i shtetit për transformimin e sistemit të kërkimit shkencor në Shqipëri. Nuk ka as vend as kuptim që të pengohet në vazhdimësi që Akademia e Shkencave të dali me një platformë propozuese për rinovimin e funsioneve dhe të statusit të saj, duke mbetur një agjenci e pavarur, por partnere e qeverisë dhe agjencive të tjera që çojnë përpara kërkimin shkencor dhe novacionin teknik në Shqipëri!

4. Marr vesh nga mediat se Akademia e Shkencave ka kërkuar nga agjencia përkatëse që të marri informacion mbi pastërtinë e figurës morale të anëtarëve të saj dhe se cilat kanë qenë eventualisht marrëdhëniet e tyre me organet e sigurimit dhe policisë të fshehtë në periudhën e diktaturës. Lidhur sa më sipër, duke e vlerësuar pozicionin dhe inciativën tuaj, kërkoj që të bëhen transparente për institucionin rezultatet e kësaj ankete të domosdoshme, përpara procesit të votimit për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë të Shkencave. Pa vendosur në dyshim askënd, dhe duke mos i lejuar vetes asnjë insinuatë, kam bindjen se iniciativa juaj e çuar deri në fund do të ishte në të mirë që votimi të ishte i pastër dhe i çliruar nga cdo ngarkesë.

5. Konsultimin me një jurist ose institucion juridik ceshtjen që pas moshës 68 vjeç nuk mundet askush të punojë si rregull në administratën publike, as edhe në ate të Akademisë të Shkencave. Duhet të theksoj se Akademia e Shkencave është një agjenci publike dhe të qënurit i punësuar edhe në poste drejtuese pranë saj është angazhim nëpunësor në një administratë të tillë. Nuk ka kuptim që ajo që zbatohet për universitetet publike të mos zbatohet edhe për Akademinë e Shkencave.

Të riorganizohen seksionet duke iu përmbajtur parimit se vetëm kryetari tyre eventualisht edhe mund të jetë akademik kurse sekretari në asnjë mënyrë.

6. Anullimin e rendit ditës të mbledhjes së ardhshme të Akademisë parashikuar në javën e parë të shtatorit ku bashkë me seancën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit keni vendosur padrejtësisht për mua edhe zgjerimin e Akademisë sepse krijon përplasje konflikti interesi.

7. Të mos bëhen zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë të Shkencave pa alternativa rivale dhe konkurrenciale mes kandidatësh. Kjo do të ishte e turpshme për ne si Akademi e Shkencave.

8. Mosbërjen e votimeve për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë pa debat të platformave të kandidatëve sikurse keni vendosur të bëhet. Kështu sikurse na detyroni, imponohet logjika e heshtjes dhe e konformimit dhe e trafiqeve të influencave në kutitë e votimit, çka është bërë udhë sa herë ka votime të niveleve të ndryshme. Jo vetëm zgjedhjet duhen bërë me debat, por edhe të hapura ndaj mediave, fuqisë publike, shoqërisë civile dhe agjencive private dhe publike të kërkimit shkencor.

Per të gjitha këto kam kërkuar një mbledhje të kryesisë dhe të komitetit ekzekutiv ku të më jepej e drejta të paraqisja vërejtjet dhe propozimet e mia konstruktive që prej vitesh i censuroni.

Ka vend të merren masa urgjente që Akademia e Shkencave ta mbajë lart traditën e saj, të shikojë përpara në kushtet e reja, sepse gjykoj se ajo është vjetruar dhe asfiksuar pikërisht nga praktika konservatore dhe aspak dinamike.

Kategori
AnalizëArsimi

TË NGJASHME